Ndërlidhjet

logo-print

Prishtina pret vlerësim real nga UNMIK-u


Këshilli i Sigurimit i OKB-së

Këshilli i Sigurimit i OKB-së

Më 23 mars, para Këshillit të Sigurimit në Nju Jork, do të diskutohet raporti i misionit të Kombeve të Bashkuara mbi zhvillimet në Kosovë për katër muajt e fundit. Autoritetet në Prishtinë, presin një raport real të shefit të UNMIK-ut, përderisa ka dilema nëse Kombet e Bashkuara do të respektojnë pozicionin e rezervuar të Kosovës në lidhje me dialogun me Serbinë.



Qeveria e Kosovës pret një raport real për zhvillimet dhe përparimet në Kosovë të cilin shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier pritet ta paraqes më 23 mars para Këshillit të Sigurimit. Ndërkaq opozita, thotë se vlerësimet e faktorëve ndërkombëtar, duhet parë paralelisht me zhvillimet në Kosovë, sidomos në përparimet në lidhje me sundimin e rendit dhe ligjit. Mirëpo, sipas zëdhënësit të Qeverisë, Memli Krasniqi, raporti i shefit të UNMIK-ut, si e drejtë e tij, pritet të jetë korrekt si zakonisht.

“Raporti i Përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë është e drejtë e tij. Vlerësimet zakonisht kanë qenë reale dhe ne besojmë se edhe kësaj radhe do të ketë vlerësim për të gjithë sukseset dhe progresin që është bërë në Kosovë”, thotë Krasniqi.

Autoritetet ndërkombëtare në Prishtinë, nuk kanë dashur ta bëjnë publik raportin para se ai ti dorëzohet Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban ki Moon.

Në anën tjetër, deputeti opozitar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thotë se raportin e UNMIK-ut, por edhe faktorëve tjerë në lidhje me përparimet në Kosovë duhet shikuar paralelisht me përparimet dhe ngecjet në sundimin e ligjit apo edhe në menaxhimin dhe shpenzimin e parasë publike. Deputeti Gjini kërkon nga qeveria e Kosovës një vendosmëri më të madhe në marrjen e përgjegjësive si shtet.

“Nëse Kosova do ët kishte pas një situatë të qartë me sundimin e ligjit aty ku mundet, nëse Kosova do të kishte një situatë të qartë me vetëvetën, do të thotë ne, nëse do të ketë pasoja për pavarësinë e Kosovës, nuk guxojmë të heqim dorë nga pavarësia, por duhet të tregojmë qartë se jemi të gatshëm që të marrim çfarëdo barre që të jetë e mundshme, që vendimet të cilat ne i kemi marrë, të implementohen plotësisht”, thotë Gjini.

Ndërsa në media dhe deklarata të ndryshme në Prishtinë, paralajmërohet se Këshilli i Sigurimit më 23 mars mund të paraqes një lloj brengosjeje për shkak të mos fillimit të dialogut teknik ndërmjet Prishtinës e Beogradit, në të cilin ka insistuar këta muajt e fundit edhe UNMIK-ut, zëdhënësi Memli Krasniqi thotë se Prishtina nuk ka marrë ndonjë kërkesë zyrtare nga autoritetet e OKB-së për këtë dialog. Madje, në këso rrethana dhe pozicione mes palëve, ai nuk sheh asnjë mundësi që ky dialog të filloj.

“Ne skemi agjë konkrete, por pozicioni dhe qëndrimi i Qeverisë së Kosovës mbetet i njëjtë dhe i pandryshueshëm. Nuk mund të ketë bisediem teknike pa e pasur një pajtim bazë për parimet themelore që do ti mundësonin negociatat e tilla”, thekson Memli Krasniqi.

Ndërkohë, deputeti Ardian Gjini i sugjeron qeverisë së Kosovës që të pozicionohet pro-dialogut me të gjitha vendet fqinje, por duke përcaktuar pozicione të qarta të ndërtimit të bisedimeve në formatin e shteteve të barabarta. Kurse duke u ndërlidhur në kërkesat e Kombeve të Bashkuara për dialog me Serbinë, Gjini thotë se një dialog i tillë pamundësohet nga vet Beogradi i cili nuk e njeh Kosovën si palë të barabartë në bisedime.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG