Ndërlidhjet

Si të zbuten raportet mes Kosovës e Serbisë?


Derisa, raportet e Kosovës me Serbinë vazhdojnë të jenë të tensionuara, kryeministri Hashim Thaçi ka ftuar presidentin serb Boris Tadiq që ta vizitojë Kosovën. Ky hap është parë si synim i kryeministrit për të relaksuar marrëdhëniet mes dy shteteve. Por, çka sipas analistëve, do të ndikojë, që Kosova dhe Serbia të kenë raporte të mira fqinjësore?

Kryeministri i Kosovës ka thënë sot në Prishtinë se qëndron pas ftesës publike të bërë dje në Çagllavicë, për një takim me presidentin serb Boris Tadiq. Këtë shefi i ekzekutivit e sheh si një hap, që do t’i kontribuojë marrëdhënieve të mira fqinjësore.

“Është në interes të dy shteteve tona që të ndërtojnë raporte të fqinjësisë së mirë, kjo është në shërbim të paqes, stabilitetit, bashkëpunimit rajonal dhe perspektivës evropiane”, tha Thaçi, pas një takimi me një grup fermerësh nga Kosova.

Analistët kosovarë për çështje politike e konsiderojnë këtë si një ofertë kosovare që mund të çojë kah relaksimi i raporteve të tensionuara mes dy vendeve fqinje.

Analisti Ramush Tahiri mendon se Kosova dhe Serbia kanë për shumëçka të bisedojnë, kështu që një ftesë e tillë e bërë nga lideri kosovar, sipas tij duhet të shihet në frymën e krijimit të një raporti normal mes dy shteteve.

“Vetëm fakti se jemi fqinj, që i detyrohemi njëri-tjetrit në këtë rajon, dhe që raportet në mes Kosovës dhe Serbisë ndikojnë në njëfarë forme në raportet ndërmjet shteteve tjera të rajonit; gjithashtu fakti se edhe Kosova edhe Serbia synojnë integrimin në BE; po ashtu fakti se edhe Kosova edhe Serbia kanë komunitetet pakicë në të dy vendet dhe që duhet në mënyrë reciproke t’i zgjidhin marrëdhëniet; gjithashtu edhe Kosova edhe Serbia kanë dalë pas një raporti të vështirë të një periudhe të luftës së armatosur- ndikon që dy shtetet duhet të shohin kah e ardhmja dhe që fatet janë të lidhura me njëri-tjetrin. Me respektim të ndërsjellë duhet t’i ndërtojnë raportet si dy shtete të barabarta me interes të qytetarëve të të dy vendeve”, shprehet Tahiri.

Kosova tashmë ka bërë një vit që kur ka shpallë pavarësinë e saj, të cilën Serbia ende nuk e pranon. Liderët kosovarë i kanë bërë thirrje shtetit serb që ta njohë realitetin e ri, në mënyrë, që të dy vendet të ecin kah integrimet euro-atlantike.

Por, analisti politik Ylber Hysa, që ka qenë pjesëmarrës në bisedimet për statusin të zhvilluara në Vjenë, mendon se nuk është vetëm statusi, çështja kundërthënëse mes Prishtinës e Beogradit zyrtar.

“S’jam shumë i sigurt se i tërë problemi me Beogradin ka të bëjë me statusin, por ai ka të bëjë më shumë me atë çka Serbia kërkon. Serbia pretendon se duhet të ketë më shumë rol karshi Brukselit, ajo në fakt nganjëherë e sheh Kosovën si mënyrë për të ngritur zërin dhe rëndësinë e saj karshi Brukselit. Me siguri këtë po e bën edhe tash, para mundësisë së një recesioni dhe në këtë aspekt nuk e shoh gjendjen e statusit të Kosovës si problemin kryesor, por rolin që Serbia pretendon ta luajë karshi të ardhmes së saj. Nëse këtë mendon se do ta bëjë përmes tensionimit në Kosovë, kjo nuk do të ndodhë. Por Kosova është një faktor, që është kuptuar në Beograd si mundësi ta përmirësojë aspiratën serbe për të ardhmen e saj”, tha Hysa.

Bisedimet për çështje të ndryshme të zhvilluara mes Prishtinës e Beogradit kryesisht kanë përfunduar pa rezultate konkrete, për shkak se çdoherë palët kanë mbajtur qëndrime diametralisht të kundërta duke filluar nga statusi politik e deri te çështjet tjera më teknike.

Ramush Tahiri vlerëson se zbutja e raporteve të tensionuara mes Kosovës e Serbisë nuk mund të ndodhë pa një ndërmjetësim ndërkombëtar.

“Për këtë fazë unë mendoj që jo, do të ishte mirë, por nuk munden dhe është i nevojshëm ndërmjetësimi i SHBA-së dhe BE-së. Nuk mendoj se misioni i UNMIK-ut dhe i EULEX-it mund të ndihmojnë në këtë punë. Unë mendoj se Serbia këto misione të vogla të UNMIK-tu dhe EULEX-it, po i shfrytëzon për zgjidhjen e çështjeve teknike, por zgjidhje teknike nuk mund të ketë pa një marrëveshje ndërshtetërore”, tha Tahiri.

Aktualisht, është misioni i OKB-së në Kosovë, ai që po përpiqet të ndërmjetësojë në bisedimet teknike mes Prishtinës dhe Beogradit, që cilat kanë për bazë planin gjashtëpikësh të Ban Ki Moonit. Prishtina zyrtare refuzon këtë plan, duke insistuar se me Serbinë mund të bisedohet vetëm si dy shtete sovrane.
XS
SM
MD
LG