Ndërlidhjet

“Zapatero: Spanja s’do ta njohë Kosovën”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Spanja nuk do ta ndërrojë qëndrimin e vet në lidhje me Kosovën dhe do të vazhdojë të përkrahë kundërshtimin e Serbisë ndaj pavarësisë së shpallur më 17 shkurt 2008, ka deklaruar të hënën kryeministri i Spanjës, Jose Lis Zapatero, pas një takimi që ka pasur me kryetarin e Serbisë, Boris Tadiq, në Madrid. Në një konferencë për gazetarë, Zapatero ka shtuar se Spanja përkrah plotësisht edhe përpjekjet e Serbisë për integrim në BE. “Pozicioni i Spanjës në lidhje me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës është pozicioni i ditur për mosnjohje”, tha kryeministri Zapatero në konferencën e përbashkët me Tadiqin...

EPOKA E RE
Kryeministri i Republikës së Kosovës ka ripërsëritur të hënën qëndrimin se është i gatshëm ta presë në zyrën e tij presidentin e Serbisë, Boris Tadiq. Një vendim i Tadiqit për ta pranuar ftesën, sipas kryeministrit Thaçi, do të shërbente për relaksimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Unë e kam dhënë deklaratën dhe qëndrimin tim të dielën , prandaj nuk do t’i shtoja asgjë më tepër asaj që kam deklaruar”, është shprehur të hënën kryeministri Thaçi. Thaçi ka thënë se ftesa drejtuar presidentit serb, Tadiq, është bërë duke u mbështetur në qëllimin e Qeverisë së Kosovës, për të krijuar paqe dhe stabilitet në Ballkan. Duke shpalosur vizionin integrues evropian, kryeministri Thaçi ka theksuar se është në interes të të dyja shteteve të ndërtojnë raporte të fqinjësisë së mirë, sepse kjo, sipas tij, është në shërbim të paqes, bashkëpunimit rajonal dhe perspektivës evropiane...

LAJM
Asnjë dyshim apo ndonjë informatë rreth krimeve të kryera nga serbët gjatë luftës në Kosovë nuk mund të hidhet poshtë, përderisa nuk dihet për fatin e rreth dy mijë personave të zhdukur. As dyshimet e fundit për mundësinë e tregtisë me organe njerëzore të shqiptarëve të vrarë në Kosovë nga mjekë rusë, nuk hidhen poshtë nga Prenkë Gjetaj, i cili që nga formimi i Qeverisë, që udhëhiqet nga kryeministri Hashim Thaçi, është emëruar në postin e kryetarit të Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit. Gjetaj, në një bisedë për “Lajm”, tha se këto informata që plasohen edhe në media, por edhe nga familjarët, lënë vend për dyshime. “Përderisa kemi ende të zhdukur, lë vend për dyshime”. Gjetaj qëndron prapa asaj që ka thënë më herët se ekzistojnë fakte të bollshme se në varrezat e Shkupit janë të varrosur rreth 20 shqiptarë nga Kosova, të cilët forcat serbe, pasi i kanë vrarë, i kanë hedhur në lumin Lepenc...

ZËRI
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin Thaçi se ai është i përfshirë direkt në korrupsion, derisa ka kërkuar sqarime për videon e publikuar ditë më parë ku Thaçi shihet në një lokal në Maqedoni. Sipas tij, kryeministri Thaçi në Maqedoni është takuar me biznesmenë serbë për të bërë marrëveshje të fshehta. Këto komente, i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka bërë në debatin e titulluar “Pa dorëza” me qytetarë të Prishtinës dhe të vendbanimeve rreth saj, i cili ka zgjatur rreth dy orë. “Mendoj se në zhvillimin e korrupsionit në Kosovë, një kontribut shumë të madh ka kryeministri Hashim Thaçi. Nuk guxon që të komprometohet mandati. Fakti që kryeministri Thaçi zhvillon takime të fshehta me biznesmenë serbë, ta zëmë në Shkup, tregon se ky është komprometim jo vetëm i pozicionit të kryeministrit, por është komprometim i shumë etikave të tjera, në të cilat duhet të obligohet një kryetar i një qeverie të një vendi, pa marrë parasysh i cilido qoftë ai”, ka vlerësuar Haradinaj...

BOTA SOT

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, priti në takim përfaqësuesin e posaçëm të BE-së në Kosovë, që njëherësh është edhe shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith. Me këtë rast, zoti Feith e informoi kryeparlamentarin Krasniqi lidhur me punën e Konferencës së paradoditshme që u mbajt në Vjenë, kumorën pjesë përfaqësues të shteteve të BE-së, të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Në këtë konferencë, z. Feith kishte vlerësuar se në Kosovë janë duke u arritur rezultate të rëndësishme ne realizimin e planit të Ahtisaarit, njofton zyra për informim e Kuvendit të Kosovës. Po sipas këtij njoftimi bëhet e ditur se takimin e ka përshkuar edhe diskutimi mbi aktivitetet rreth zgjedhjeve në disa institucione të pavarura të Kosovës...

EXPRESS
Dënimi për krime lufte i ish-zyrtarëve të lartë serbë nga Tribunali i Hagës mund të përdoret si argument i rëndësishëm në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), e cila, me iniciativë të Serbisë, do të nxjerrë një opinion këshillëdhënës rreth legalitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Tribunali ka konfirmuar akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe se pala serbe ka kryer krime dhe spastrim etnik gjatë luftës në Kosovë. Dhuna e shtetit serb në Kosovë është përdorur shpeshherë nga diplomatë perëndimorë si një nga argumentet për të arsyetuar mbështetjen për krijimin e shtetit të ri nga territori i ish-Jugosllavisë. Një numër i konsiderueshëm shtetesh, mes tyre edhe institucionet e Kosovës, do të deponojnë në Gjykatën e Drejtësisë përgjigjet e tyre në pyetjen se a ka qenë pavarësimi i Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Për këtë çështje, Qeveria e Kosovës ka angazhuar juristin britanik, Michael Wood...

KOSOVA SOT
Shkelja e marrëveshjes së vetme për tregtinë e lirë, CEFTA, është duke vazhduar. Shtetet fqinje, Serbia, Bosnja, Maqedonia, sërish po u vënë barriera produkteve kosovare, duke pamundësuar eksportimin e produkteve kosovare në shtetet e tyre. Edhe pse nga ana e Qeverisë së Kosovës është bërë shumë zhurmë për marrjen e masave proporcionale me vendet që vënë barriera, në këtë drejtim nuk është bërë asnjë hap konkret. “Ne jemi munduar deri më tani dhe jemi duke punuar në këtë drejtim, mirëpo deri më tani nuk kemi arritur ta zhbllokojmë. Lidhur me këtë problem është duke punuar Komisioni Evropian rreth zhbllokimit të kësaj situate”, thotë Lutfi Zharku, ministër i Tregtisë dhe Industrisë... Muhamet Mustafa, nga Instituti Riinvest, thekson se koha që ky problem të zgjidhet nga Komiteti i CEFTA-s tashmë ka kaluar dhe se Qeveria e Kosovës duhet të marrë masat kundërvepruese ndaj vendeve që vënë barriera...
XS
SM
MD
LG