Ndërlidhjet

Serbët: EULEX në periudhë testuese


Pjesëtarë të EULEX-it

Pjesëtarë të EULEX-it

Serbët e Kosovës ende kushtëzojnë bashkëpunimin me misionin evropian për sundimin e ligjit - EULEX. Këtë qëndrim do ta ndryshonin po qe se EULEX-i zbaton planin 6-pikësh të kreut të OKB-së, Ban Ki Moon. Derisa nuk ndodh një gjë e tillë, për ta EULEX gjendet në periudhë testuese.

Tre muaj pas fillimit të funksionimit në Kosovë, EULEX-i ende shihet me rezervë nga ana e serbëve lokalë.

Derisa konsiderojnë si partner të vetëm politik misionin e UNMIK-ut, tashmë të reduktuar, serbët e kanë caktuar një periudhë testuese për misionin evropian për sundimin e ligjit.

Marko Jakshiq është nënkryetar i organit paralel të quajtur Kuvendi i Komunave dhe Vendbanimeve Serbe të Kosovës.

“Ne rezervat tona i kemi shprehur ende pa ardhur ata. Mijëra serbë kanë nënshkruar peticionin kundër ardhjes së EULEX-it. Edhe pas ardhjes së tyre, për ne partneri politik kryesor mbetet UNMIK-u. Ndërsa, sa i përket EULEX-it, ia kemi lënë kohës që të dëshmojë se ata janë neutralë ndaj statusit, se do të nisin realizimin e planit gjashtëpikësh dhe pas një periudhe testuese, atëherë mund të jetë i pranueshëm për popullin serb në këtë pjesë të Kosovës”, pohon Marko Jakshiq.

Misioni evropian për sundimin e ligjit është përballur me sfida të shumta rreth zbarkimit, fillimisht nga komuniteti serb në Kosovë dhe Beogradi zyrtar, të cilët e kanë cilësuar funksionimin e tij si të paligjshëm.

Pas një sërë marrëveshjesh dhe bisedimesh, misioni pati marrë dritën e gjelbër edhe nëpërmjet një deklarate presidenciale të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Megjithatë, serbët e Kosovës nuk i besojnë ende këtij misioni.

“Përkundër faktit se janë të pranishëm për 3-4 muaj, asgjë nuk ashtë bërë në drejtim të zgjidhjes së problemeve. Sikur problemet të zgjidheshin në përputhshmëri me udhëzimet e dhëna nga plani i Ban Ki Moonit, atëherë sigurisht se EULEX-i do të ishte shumë i pranueshëm. Në njëfarë mënyre, serbët do ta pranonin po të shihnin se EULEX-i ka vullnet për zgjidhjen e këtyre problemeve, dhe kështu gjendja do të stabilizohej. Por, nëse problemet lihen nën tepih dhe pritet që vetvetiu të zgjidhen, atëherë gjendja vetëm sa do të komplikohet - çka nuk i përgjigjet askujt”, thotë Dragan Veliq, nga Këshilli Nacional Serb.

Tre muaj pas zbarkimit ende nuk është krejtësisht e qartë korniza ligjore e veprimit të misionit evropian. Në procesin gjyqësor, të zhvilluar në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, që edhe shënoi rifillimin e punës së kësaj gjykate pas një viti, EULEX-i mori për bazë Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale, të miratuar nga ana e UNMIK-ut.

Kjo ngriti shqetësimin te partitë opozitare se EULEX-i po zbaton 6-pikëshin në vendbanimet me shumicë serbe. Por, vetë serbët mendojnë se ende nuk ka zbatim të këtij plani dhe ky zbatim është edhe kushti i tyre për bashkëpunimin me EULEX-in.

“EULEX-i plotësisht duhet të angazhohet që të realizojë planin 6-pikësh të Ban Ki Moonit. Vetëm t’ua rikujtoj - ky është plani mbi doganat, mbi policinë, drejtësinë, mbrojtjen e trashëgimisë serbe etj. Ne shpresojmë se EULEX-i, sa i përket 6 pikave, të ketë qasje pozitive dhe se do nisë bashkë me palën serbe realizimin e tyre”, tha Marko Jashkiq.

Ndryshe, vetë zyrtarët e EULEX-it thonë se ky mision ruan një qasje neutrale karshi statusit të Kosovës.
XS
SM
MD
LG