Ndërlidhjet

logo-print
Të gjitha parashikimet e Qeverisë së Kosovës për rritjen ekonomike gjatë vitit 2009 pothuajse do të përgjysmohen, për shkak të ndikimeve që do të ketë kriza ekonomike botërore, ndërsa efektet e krizës janë duke u vërejtur tani edhe në Kosovë, për shkak të zvogëlimit të të ardhurave nga diaspora dhe investimet që janë pritur të ndodhin në Kosovë, vlerësojnë autoritetet kosovare.

Eksperti për çështje ekonomike, Isa Mustafa, sugjeron që të rishqyrtohet mundësia reale e rritjes ekonomike në Kosovë, krahas rritjes ekonomike në botë, pasi që derisa ka rënie të rritjes ekonomike në vendet më të zhvilluara të botës, nuk mund që Kosova të ketë rritje.

“Unë dyshoj se ne mund ta realizojmë rritjen ekonomike që kemi planifikuar, pasi që aktivitetet ekonomike do të bien. Edhe potenciali blerës i jashtëm për produktet e Kosovës do të bie, sepse do të kenë mundësi më të vogla të marrin kredi nga bankat dhe të kenë qasje në institucionet financiare kreditore ose ne tregun e drejtpërdrejtë të kapitalit”,
thotë zoti Mustafa.

Profesor Mustafa thotë se nuk mund të llogaritet që edhe depozitat bankare të bankave të Kosovës që mbahen jashtë vendit, në një formë të mos preken nga krizat. Po ashtu, sipas tij, shumica nga kompanitë të cilat janë në marrëdhënie të eksportit dhe importit me vendet e tjera, do ta ndiejnë efektin e krizës për faktin se do të mund të ketë ndërprerje të ndryshme të fluksit të pagesave.

Derisa ekspertët për çështje ekonomike janë të sigurt se Kosova tani vetëm është prekur nga kriza ekonomike globale edhe në sistemin financiar, përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës thonë të kundërtën.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, thotë se përveç Trustit Pensional të Kosovës, i cili është prekur nga kjo krizë, Kosova është duke qëndruar mirë karshi krizës ekonomike globale.

“Në këto rrethana të komplikuara financiare ndërkombëtare është arritur të ruhet stabiliteti i vendit dhe të arrihen rezultate inkurajuese të institucioneve financiare të mbikëqyrura nga BQK-ja. Sistemi financiar i Kosovës është i qëndrueshëm dhe nuk ka asnjë paralajmërim që mund të goditemi nga kriza botërore”,
vlerëson zoti Rexhepi.

Megjithatë, ai thekson se duke pasur parasysh faktin se Kosova nuk është një oazë e mbyllur dhe nuk mund të mbetet jashtë trendëve ekonomike globale, BQK-ja ka themeluar komitetin për preventivë dhe është hartuar plani operativ me qëllim të ruajtjes së stabilitetit financiar.

Ndërsa, 400 milionë euro të hyra që Kosova ka pasur nga diaspora çdo vit, sipas ekspertit të ekonomisë, zotit Mustafa, do të bien dukshëm për shkak të krizës globale. Ai thekson se gjatë këtij viti kjo krizë do të jetë mjaft e shprehur, por pritet që vitin e ardhshëm të bien efektet e krizës ekonomike dhe të ketë ngritje të përgjithshme të ekonomisë.

Krizës ekonomike globale nuk kanë mundur t’i rezistojnë as edhe bizneset kosovare. Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se bizneset kosovare aktualisht janë prekur në mënyrë direkte dhe indirekte. Megjithatë, ai thotë se përveç krizës ekonomike globale, bizneset kosovare kanë edhe probleme tjera që ende nuk mund të zgjidhen, siç është eksporti.

“Kriza globale ka qenë periferike dhe ngadalë ajo po futet në Kosovë dhe këto janë gjëra që Qeveria e Kosovës duhet me vendosmëri t’i përcjellë dhe të marrë hapa për t’i parandaluar sadopak këto dukuri”, thotë zoti Shahini.

Ai rekomandon që qeveria të krijojë brenda institucioneve grupe te ekspertëve, të cilat duhet të merren me këtë çështje dhe sipas krizës të merren edhe hapa adekuatë. Hapat që duhet t’i ndërmarrë Qeveria, sipas zotit Shahini, janë ulja e taksave, të bëhet ulja e interesit të bankave dhe shkurtimi i shpenzimeve të panevojshme.

“Rritjet ekonomike në të gjitha vendet e botës janë shumë më të vogla sesa që janë parashikuar dhe kjo do të ndodhë edhe në Kosovë. Kosova duhet të pajtohet me këtë dhe të ballafaqohet me problemet ekonomike, pasi që kjo nuk është vetëm çështje e jona, por është çështje e globit”, thotë ai.

Në Kosovë janë ndërmarrë masa jo në aspektin e masave preventive për të tejkaluar krizën ekonomike globale, por në akseptin zhvillimor të punëve publike, si në rregullimin e infrastrukturës. Këtë investim që është duke bërë Kosova, profesor Mustafa e quan investim të qëlluar, pasi që, siç thotë ai, e gjithë kjo do të aktivizojë tregun e punës, industrinë ndërtimore, si dhe krijon të ardhura për ndërmarrje.

“Duhet të stimulojmë rritjen e ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla private, pasi që ato janë më stabile, janë më të adaptueshme në aspektin e krizës ekonomike, pasi që nuk janë të mëdha dhe mund të ndërrojnë. Prandaj, mund ta ndërrojnë veprimtarinë e tyre varësisht nga kresa dhe oferta në treg”,
tha Mustafa.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG