Ndërlidhjet

Kritikat rreth zgjidhjes së ombudspersonit


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Mungesa e një avokati të popullit në Kosovë po dëmton demokracinë në vend duke pamundësuar mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut në mënyrë institucionale, thonë përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë. Konkursi i katërt me radhë për avokatin e popullit do të përmbyllet, ndërkohë, më datën 23 mars të këtij viti.


Përfaqësuesit e mekanizmave vendor dhe ndërkombëtar në Kosovë, më pak se dy javë para përfundimit të konkursit të radhës për avokatin e popullit në Kosovë, kanë ripërsëritur dhe njëherë nevojën, sipas tyre, imediate për ekzistimin e një bartësi të postit të ombudspersonit në Kosovë.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, pjesë e misionit të së cilës është asistimi i institucioneve kosovare në formimin e politikave për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, është shprehur e pakënaqur me zhvillimet e deritanishme në lidhje me procesin e zgjedhjes së avokatit të popullit.

Zëdhënësja e OSBE-së, Edita Buqaj, thekson se mungesa e një avokati të popullit, si adresë për shqetësimet e qytetarëve rreth të drejtave të tyre, po dëmton në tërësi demokracinë në Kosovë si dhe po pamundëson dhënien e përgjegjësisë të personave të caktuar juridik në Kosovë.

“Mungesa e ombudspersonit i bën dëm, në radhë të parë, vet institucionet ngase sjell deri te mungesa e legjitimitetit. Ndërsa ombudspersoni është avokati i popullit dhe nëse ministritë nuk e marrin seriozisht këtë institucione atëherë ato nuk i marrin seriozisht as të drejtat e njeriut”,
u shpreh Buqaj.

Përfaqësues të Kuvendit të Kosovës, i cili përmes votimit dy herë radhazi nuk ka arritur të zgjedh Avokatin e Popullit, e pranojnë dështimin e tyre në këtë proces, por shfaqin shpresën se pas përfundimit të konkursit të fundit legjislativi kosovar do të mund të caktojë ombudspersonin për Kosovën.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Ismet Beqiri, sqaron qëndrimin e tij mbi këtë temë.

“Moszgjidhja e avokatit është një dështim; do të duhet ta pranonim këtë dhe sa më shpejtë që është e mundur do ët duhet ta përfundojmë çështjen e një institucioni mjaft të rëndësishëm. Kudo në botën demokratike çmohet roli i avokatit të popullit dhe unë do ët doja të jetë kësisoj dhe që ne, më në fund, ta kuptojmë rëndësinë e avokatit të popullit dhe ta përzgjedhim atë
”, theksoi Beqiri.

Pas mbarimit të luftës, këtë post e ka ushtruar me emërim nga Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, polaku Marek Antoni Novicki për dy mandate me radhë. Pas largimit të tij, j si ushtrues detyre i Ombudspersonit ishte emëruar Hilmi Jashari i cili me gjasë do të vazhdoj në këtë detyrë, përderisa ligjvënësit kosovar të mos e gjejnë konsensusin e duhur për ta mbështetur njërin nga kandidatët e radhës.

E zhgënjyer nga legjislativi kosovar për ecurinë e deritanishme rreth përzgjedhjes së ombudspersonit, duket të jetë dhe OSBE-ja. Zëdhënësja e këtij misioni në Kosovë, Edita Buqaj, sqaron:

“Po OSBE ka shprehur keqardhje për faktin që Kuvendi i Kosovës ka dështuar në zgjedhjen e avokatit të popullit, ngase ky ka qenë një obligim që Kuvendi i Kosovës është dashur ta kryejë në mënyrë që të sigurojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, tha ajo.

Kandidatët për pozitën e Avokatit të Popullit, sipas konkursit, duhet të jenë personalitete të njohura me karakter të lartë moral, të paanshëm dhe me integritet, që janë të dëshmuar e të përkushtuar për të drejtat e njeriut si dhe që janë qytetarë të Kosovës.
XS
SM
MD
LG