Ndërlidhjet

Rasmussen, shef i NATO-s?


Anders Fogh Rasmussen
Anders Fogh Rasmussen

Ditëve të fundit ka pasur raporte se vendet kryesore evropiane duan që kryeministri danez, Anders Fogh Rasmussen, të bëhet shefi i ri i NATO-s. Nëse konfirmohet, Rasmussen do të vijë në krye të aleancës në kohën e sfidës vendimtare për Afganistanin.

Kryeministri i Danimarkës, Anders Fogh Rasmussen, ka dalë si kandidat kryesor për sekretar të përgjithshëm të NATO-s.

Shefi aktual i NATO-s, Jaap De Hoop Scheffer, ish-ministër i Jashtëm i Holandës, në korrik e lë detyrën, të cilën e mori në janar, 2004.

Trashëgimtari i tij do të emërohet formalisht nga liderët e NATO-s në samitin e 60-vjetorit të aleancës, më 3 dhe 4 prill, që do të mbahet në Kehl të Gjermanisë dhe në Strasbourg të Francës.

Gazeta gjermane "Sueddeutche Zeitung" ka cituar zyrtarë të aleancës të kenë thënë se tre aleatët kryesorë të NATO-s në Evropë, Gjermania, Britania dhe Franca, tashmë janë dakorduar që Rasmussen të bëhet shefi i ri i aleancës.

Bastian Giegerich, nga Instituti për Studime të Sigurisë Ndërkombëtare në Londër, thotë se të gjitha këto duhet të merren si spekulime.

"Në këtë kohë, kjo është ende spekulative. Mendoj se duhet të vijmë në pikën ku do të ketë një deklarim të qartë nga cilido kandidat, qoftë ai Rasmussen apo emrat tjerë që janë përmendur", thotë Giegerich.

Emërimet e krerëve ndërkombëtarë janë çështje të ndjeshme dhe në përgjithësi janë bërë në fshehtësi. Kandidatët zakonisht hezitojnë të prononcohen, që të mos i minojnë përpjekjet e ndërlikuara diplomatike të qeverive të tyre, sepse mund të mbeten keq nëse kandidati i tyre nuk kalon.

Qeveritë zakonisht janë tepër diskrete. Kjo bëhet pjesërisht për të mos i fyer qeveritë tjera, të cilat mund të kenë kandidatin e vet, si dhe për të mos i hapur pa nevojë letrat, që i shfrytëzojnë në manovrimet diplomatike.

Duke i vlerësuar gjasat e Rasmussenit, Daniel Korski, nga Këshilli për Marrëdhënie të Jashtme në Londër, thotë se lideri danez mund të jetë njeriu ideal për në krye të aleancës.

"Ndërsa NATO-ja po përballet me zgjedhjen më të rëndësishme të saj, Anders Fogh Rasmussen, si ish-kryeministër, ka qenë i afërt me Shtetet e Bashkuara në Irak, dhe veçanërisht në Afganistan, por, njëkohësisht, ka edhe mbështetjen e liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Britanisë për postin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s", thotë Korski.

Rasmussen, i cili është kryeministër i Danimarkës prej vitit 2001, e përfshiu vendin e tij në luftën në Irak në vitin 2003. Danimarka tash ka 700 trupa në Afganistan, shumicën e tyre në provincën e trazuar Helmand.

Sipas një rregulli të pashkruar, sekretari i përgjithshëm i NATO-s gjithmonë zgjedhet nga vendet evropiane, ndërsa kryekomandanti ushtarak i aleancës është amerikan.

Shtetet e Bashkuara, ashtu si të gjitha vendet anëtare të aleancës, kanë të drejtën e vetos ndaj çdo kandidati.

Presidenti Barack Obama dhe Fogh Rasmussen nuk janë takuar, por "Sueddeutche Zeitung" shkroi se këshilltari për Siguri Kombëtare, James Jones, mund të zhvillojë bisedime me kryeministrin Fogh Rasmussen në një të ardhme të afërt.
XS
SM
MD
LG