Ndërlidhjet

Kush vendos për aplikimin e ligjeve?


EULEX-i thotë se gjykatësit e pavarur kanë të drejtë që vetë të përcaktojnë se çfarë ligjesh do aplikojnë për raste të caktuara gjyqësore. Kjo mundësi hidhet poshtë nga zyrtarë të Qeverisë, të cilët i kujtojnë EULEX-it se duhet të zbatojë vetëm ligjet e Republikës së Kosovës.


EULEX-i ka deklaruar se gjykatësit e këtij misioni mund të vendosin vetë se çfarë ligjesh do aplikojnë për akëcilin proces gjyqësor.

Rasti që ka ngjallur debate është ai i procesit gjyqësor në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, ku po gjykohen dy serbë të akuzuar për plaçkitje të rëndë. Një kolegj prej tre gjykatësish të misionit evropian po trajtojnë rastin.

EULEX-i ka thënë se po përdor Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale në këtë rast. Por, ka zëra që thonë se në këtë proces po përdoren rregulloret e UNMIK-ut në vend të ligjeve kosovare.

Kjo ka ngritur dyshimin te subjektet opozitare në Kosovë, se EULEX-i po zbaton planin gjashtëpikësh në vendbanimet me shumicë serbe. Një mundësi të tillë e mohon zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal.

“Nuk e di se ku i kanë marrë këto informacione. Nëse i referohen rastit që po trajtohet aktualisht në gjykatën në veri të Mitrovicës, atje ende nuk është shpallur verdikti, kështu që mendoj se është e parakohshme që të bëhen deklarata të tilla”,
thekson Limdal.

Misioni evropian për sundimin e ligjit ua lë në duar gjykatësve të këtij misioni që të përcaktojnë vetë se në bazë të çfarë ligji do merret verdikti.

“Secili duhet ta presë verdiktin dhe të shohë se cilat ligje gjykatësi i pavarur do të zbatojë atje. E dini se gjykatësi kryesor është i pavarur dhe në rastin e Mitrovicës, ajo (gjykatësja) ka të drejtë që të marrë vendim se cilin ligj do ta aplikojë, cili do të jetë më i favorshëm për të pandehurin”, nënvizon Limdal.

Qeveria e Kosovës
Por, një gjë e tillë është e papranueshme dhe cilësohet si hap qesharak për zyrtarët e Qeverisë së Kosovës. Avokati Tomë Gashi, që është edhe këshilltar ligjor i kryeministrit, thotë se në Kushtetutën e Kosovës nuk është paraparë asnjë lloj, siç e quan, ‘fontanë dëshirash’ për aplikim të ligjeve.


“Në secilin vend të botës gjyqtarët janë ata që aplikojnë ligje dhe jo të nxjerrin ligje. Kjo duhet të ndodhë edhe në Kosovë, që ata detyrimisht të aplikojnë vetëm ligje të Republikës së Kosovës, ndërsa as EULEX-it nuk i lejohet që ai të deklarojë se gjyqtarët e tyre mund të aplikojnë ligje që ata i dëshirojnë”.


“Ata kanë aluduar në mes të urdhëresave apo rregulloreve të UNMIK-ut dhe ligjeve të Republikës së Kosovës. EULEX-i është mision në Kosovë dhe duhet detyrimisht t’i aplikojë vetëm ligjet e Kosovës, po ashtu edhe Kushtetutën e Kosovës. Kështu që kjo është e obligueshme, e detyrueshme dhe vetëm në këtë mënyrë EULEX-i mund të jetë i dëshiruar në Kosovë”, tha Gashi.

Në rastin konkret të procesit gjyqësor në Mitrovicë, Tomë Gashi thotë se EULEX-i nuk ka tjetër çka të aplikojë, pos Kodit Penal dhe atë të Procedurës Penale.

“Në lëmin penal dhe atë të procedurës penale për këtë që konkretisht po flasim, për gjyqtarët e EULEX-it në Mitrovicë, kjo lëmi është mbuluar me ligje pozitive të Republikës së Kosovës, me Ligjin Penal dhe atë të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës. Kështu që aty më nuk vijnë në shprehje kurrfarë rregulloresh të UNMIK-ut, apo të dikujt tjetër”, sqaron Tomë Gashi.

Juristët pohojnë se rregulloret e UNMIK-ut mund të zbatohen vetëm në ato fusha, ku ende nuk janë zëvendësuar me ligje që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës.

Juristi Ismet Salihu ka qenë një nga përpiluesit e Kodit Penal dhe atij të Procedurës Penale. Ai thotë se janë këto kode ato që domosdoshmërisht duhet t’i respektojë EULEX-i.

“Po më vjen mirë që kolegji i EULEX-it ka filluar dhe po zhvillon procedurën në bazë të Kodit Penal të Kosovës. Përndryshe, s’ka tjetër, nëse do ta zbatonte ligjin penal të Jugosllavisë, apo të Serbisë, atëherë do të bënte shkeljen e ligjit. EULEX-i ka ardhur në Kosovë me mision që ta instalojë ligjshmërinë në Kosovë. Në të kundërtën, nëse zbaton ligje tjera që nuk janë në fuqi në Kosovë, bën shkelje të ligjit”,
pohon Salihu.

Paqartësitë në lidhje me ligjet e aplikueshme nga ana e EULEX-it vijnë si pasojë e mungesës së kornizës së qartë ligjore të misionit evropian.

Ky mision që mbikëqyr policinë, drejtësinë dhe doganat, ka thënë se është neutral karshi statusit dhe rrjedhimisht asnjëherë nuk ka deklaruar se do të zbatojë Kushtetutën e vendit.
XS
SM
MD
LG