Ndërlidhjet

Të gatshëm për anëtarësim në FMN


Fondi Monetar Ndërkombëtar
Fondi Monetar Ndërkombëtar

Autoritetet kosovare thonë se janë përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim të Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Gjithashtu, sipas tyre, Kosova ka siguruar kuotën dhe nuk shihet ndonjë problem për mosanëtarësimin e saj në këtë mekanizëm.


Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, thekson se procesi për anëtarësim në FMN është duke shkuar konform planit dhe parashikimeve që janë bërë që nga viti i kaluar, megjithatë, sipas tij, janë disa çështje të proceduarve të rregullta, të cilat janë duke vazhduar, por që janë në rrugë të duhur.

“Kosova tanimë i ka përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Po bëjmë gjithçka që është e mundur që ato shtete, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën shtet, të marrin pjesë në votim”, thotë zoti Shala.

Ai thekson se kuota është e siguruar, por problemi, sipas tij, qëndron tek numri i vendeve që marrin pjesë në votim. Numri i vendeve që duhet të marrin pjesë në votim, sipas ministrit, duhet të jetë më shumë se 50 për qind e anëtarëve të FMN-së, përkatësisht Bankës Botërore.

Aktualisht, zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave janë duke lobuar tek vendet, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën shtet, që të votojnë ose të marrin pjesë në votim.

Ndërsa, sa i përket shumës që Kosova duhet të paguajë për të qenë anëtare e këtyre institucioneve ndërkombëtare monetare, ministri Shala thotë se është ende herët të flitet, por gjithsesi, shton ai, është një kuotë, e cila do të caktohet në bazë të GDP-së.

“Ne jemi në përfundim të këtij procesi dhe kjo nuk është ndonjë problematikë, pasi që ato mjete nuk duhet të paguhen menjëherë. Është çështje e një agjende, e cila do të harmonizohet me FMN-në”, thotë ministri Shala.

Eksperti për çështje ekonomike, Muhamet Sadiku, pret që Kosova brenda këtij viti të anëtarësohet në këto dy institucione ndërkombëtare financiare. Ai thekson se Fondi Monetar Ndërkombëtar, Republikës së Kosovës pas anëtarësimit do t’i ofrojë edhe asistencë teknike dhe programe për krijimin e një stabiliteti më të qëndrueshëm makroekonomik.

“Nëse Qeveria e Kosovës do të arrijë të ndjekë me vëmendje një kurs të qartë të reformave ekonomike në këtë rrugëtim, përveç tjerash, do ta ketë ndihmësen e këtyre institucioneve për zbulimin e burimeve të reja ekonomike”, u shpreh zoti Sadiku.

Për t’u bërë anëtar i një institucioni monetar ndërkombëtar, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, thotë se duhet përkushtuar edhe në aspektin e disiplinës financiare dhe në aspektin e politikave të qarta.

“Ne do të bëjmë gjithçka që të jemi shtet modern, që respektohet ligji dhe demokracia, dhe në bazë të këtyre vlerave dhe politikave të qarta zhvillimore, do të kemi raporte të qëndrueshme me këto dy institucione të rëndësishme ndërkombëtare”, thotë zoti Shala.

Ndërkaq, Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës, ndonëse nuk sheh ndonjë problem për anëtarësimin e Kosovës në FMN dhe BB, ai dyshon që do të mund të arrihen përgatitjet që Kosova të jetë pjesë e këtij institucioni brenda këtij viti.

“Secili anëtar që dëshiron të anëtarësohet në këto institucione, duhet t’i përmbushë obligimet. Ne, përpos këtyre obligimeve, kemi edhe borxhet e jashtme, të cilat barten nga periudha e paraluftës dhe servisimi i këtyre borxheve është i domosdoshëm që të futemi në rrjedhat financiare ndërkombëtare”, thekson zoti Keqa.

Ndryshe, anëtarësimi në FMN është parakusht i Kosovës për anëtarësimin në Bankën Botërore. Vendimet në FMN merren në bazë të shumës së mjeteve që paguajnë vendet anëtare.

Në rastin e Kosovës, vendet e G7-ës, të cilat e kanë pranuar Kosovën, kanë shumicën e votave, pasi që edhe janë kontribuuesit më të mëdhenj financiarë. Ndërsa, kundërshtarët kryesorë të pavarësisë së Kosovës, Rusia dhe Serbia, kanë më pak se 3 për qind të votave në FMN dhe nuk e kanë të drejtën e vetos, si në Këshillin e Sigurimit, në Këshillin e Evropës dhe në OSBE.
XS
SM
MD
LG