Ndërlidhjet

Opozita për qeveri teknike, pozita kundër


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Një pjesë e opozitës ka kërkuar që në Kosovë të formohet një qeveri teknike për të përballuar, siç u tha, krizën e rëndë ekonomike. Ndaj një kërkese të tillë ka reaguar Zyra e Kryeministrit të Kosovës, e cila e ka vlerësuar si të suksesshme punën e qeverisë aktuale duke e përjashtuar mundësinë e pranimit të kërkesës së opozitës.


Lidhja Demokratike e Dardanisë, subjekt ky opozitar që ka 11 deputetë në Kuvend, ka kërkuar sot formimin e një qeverie teknike për të përballuar gjendjen e rëndë ekonomike.

Mirëkuptim për këtë kërkesë ka shprehur edhe subjekti tjetër opozitar - Aleanca Kosova e Re, përderisa nga Qeveria e Kosovës është përjashtuar mundësia e formimit të një qeverie të tillë.

Berim Ramosaj, nënkryetar i LDD-së, tha se kriza globale financiare dhe paaftësia e Qeverisë për t’iu përgjigjur këtyre trendeve, shton nevojën që Kosova ta ketë një qeveri teknike të ekspertëve. Kriza ekonomike, sipas tij, do të jetë shumë më e thellë sesa kriza politike që ka kapluar për një kohë të gjatë Kosovën.

“Më shumë do t’i jepja rëndësi qeverisë së ekspertëve, sepse Kosova sot vërtet është e sfiduar edhe në planin politik të njohjeve dhe të tjera, por në planin ekonomik, sfida është më e madhe. Në qoftë se Kosovën nuk e bëjmë të pavarur ekonomikisht dhe vend atraktiv për biznes, për të arritura, për të hyra, atëherë sigurisht do të ketë pengesa edhe në fusha tjera”.

“Andaj, një qeveri teknike, e cila vërtet do të mblidhte ekspertë pa ngjyrosje politike, ndoshta do të jepte edhe një shkas në këtë fazë të zhvillimeve ekonomike e politike”, tha Ramosaj.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se Qeveria aktuale ka mandatin dhe legjitimitetin e plotë që të marrë përgjegjësitë dhe t’i zbatojë ato. Kuçi tha se e respekton opozitën, por nuk e sheh gjendjen në Kosovë aq të rëndë sa të vijë deri te ndërrimi i qeverive.

“Unë do të doja që idetë apo alternativat të jenë më shumë se si të përmirësohet jeta e qytetarëve dhe më pak se si të hyjë edhe dikush tjetër në qeveri. Dua të them se duhet ta shohim gjendjen më me optimizëm”.

“Nëse e marrim vitin e kaluar, kur kriza financiare është jo vetëm në rajon, por në tërë botën, Kosova megjithatë ka pasur zhvillime pozitive në kuptimin e ngritjes së GDP-së. Edhe këtë vit, përmes projektimeve tona buxhetore apo edhe zhvillimeve tjera ekonomike, kemi paraparë rritje dhe jo rënie ekonomike”, thotë Kuçi.

Marrë parasysh sfidat që ka Kosova si një shtet i ri, edhe Aleanca Kosova e Re, sipas nënkryetarit të saj, Ibrahim Makolli, vlerëson se Kosova ka nevojë për një qeveri teknike apo qeveri uniteti, në mënyrë që ky proces të kalohet më lehtë.

“Për t’i tejkaluar këto sfida, qofshin të brendshme, qofshin të jashtme, kemi thirrur gjithnjë në unitet politik dhe jo vetëm unitet bashkëpunues, por edhe unitet bashkëveprues”.

“Kjo nënkupton edhe mundësinë e krijimit të një qeverie, e cila do të ishte e gatshme dhe do ta kishte mbështetjen e gjithë subjektit politik, dhe jo vetëm subjektit politik, për t’u përballur me këto sfida të natyrave edhe politike, por edhe ekonomike”, thekson Ibrahim Makolli.

Ditëve të fundit, në opinionin kosovar është folur shumë edhe për disa ndryshime në qeveri, të cilat thuhet se do t’i bëjë kryeministri Hashim Thaçi në koordinim me partitë në koalicion. Zëvendëskryeministri Kuçi thotë se ndryshimet eventuale janë në kompetencë të kryeministrit.

“Nuk e besoj. Kryeministri vendos, por çdo ndryshim do të jetë racional, do të jetë i përmbajtshëm, por nuk kemi nevojë të krijojmë ndonjë shqetësim. Kjo qeveri është shumë stabile dhe ka legjitimitet të plotë. Logjika që do të bëhet sot ose nesër, nuk do të na mbajë nën stres. Ne nuk punojmë nën presion dhe stres”, deklaroi Kuçi.

Ndërsa është përjashtuar mundësia e krijimit të ndonjë qeverie teknike, në qeverinë aktuale janë paralajmëruar disa ndryshime në postet e ministrave, por për hapa të tillë, është thënë se kryeministrit Thaçi do t’i duhet paraprakisht edhe një pajtim ndërmjet PDK-së dhe LDK-së si parti partnere në koalicion.
XS
SM
MD
LG