Ndërlidhjet

logo-print

Kriza ekonomike globale çdo herë e më shumë po e prek edhe Kosovën. Autoritetet kosovare vlerësojnë se Kosova që nga fillimi i këtij viti ka rënie të eksportit dhe importit të produkteve dhe e gjithë kjo si pasojë e krizës ekonomike botërore. Ekspertë për çështje ekonomike thonë se rënia e eksportit më shumë identifikon rënien e prodhimit dhe varfërinë në Kosovë, sesa një refleksion të drejtpërdrejtë dhe të rëndë në buxhetin e Kosovës.

Kriza ekonomike globale sado që nuk është e theksuar në Kosovë, megjithatë po tregon praninë e vet, vlerësojnë autoritetet kosovare dhe ekspertë për çështje ekonomike. Ata konfirmojnë se që nga fillimi i këtij viti ka rënie të eksportit dhe importit të produkteve dhe e gjithë kjo si pasojë e krizës ekonomike botërore.

Eksporti në muajin janar 2009 kishte vlerën 6.7 milionë euro, ndërsa importi 99 milionë euro, që është një rënie prej 41.1 për qind për eksport dhe 4.9 për qind për import, krahasuar me janarin e vitit 2008.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, thekson se faktor kryesor që ka ndikuar në rënien e eksportit të produkteve kosovare është kriza ekonomike botërore. Megjithatë, ai pohon se Qeveria e Kosovës po synon që përmes politikave të reja tregtare të ndikojë në zvogëlimin e deficitit tregtar, nxitjen e eksportit dhe zëvendësimin e importit me prodhime vendore.

“Mundohemi që të kemi prodhimin e produkteve tona, gjegjësisht t’i ndihmojmë produktet që nuk janë të prekura apo të ballafaquara drejtpërdrejt nga kriza ekonomike globale”, thotë zoti Zharku

Ministri Zharku potencon se politika tregtare do të fokusohet në ngritjen e kapaciteteve konkurruese në tregun e brendshëm, në masat për lehtësimin e tregtisë së jashtme, si dhe në promovimin e eksportit.

Ndërkaq, Ilir Berisha, nga Enti i Statistikave të Kosovës, tregon se të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar për muajin janar 2009 prej 92.3 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 92.7 milionë eurosh me janarin e vitit 2008.

“Eksporti në Kosovë ka shënuar një rënie. Edhe ashtu eksporti mujor nuk është në nivele shumë të larta, nganjëherë kap shifrën që kap vetëm të një importuesit të vetëm, edhe mosvazhdimi i kontratave eksportuese - afekton në rënien e përgjithshme”,
thotë zoti Berisha.

Ai thotë se në muajin janar 2009, përqindja më e madhe e eksportit ishte Italia, Maqedonia, Shqipëria, Gjermania, Turqia etj., ndërsa, përqindja më e madhe e importit është nga Maqedonia Gjermania, Serbia, Kina , Turqia etj.

“Po të shikohen të dhënat në detaje me vende, krahasuar janarin e vitit 2009 me 2008, vetëm në Belgjikë janë eksportuar 2 milionë euro, ndërsa në vitin 2009 në Belgjikë nuk është eksportuar asnjë sasi e mallrave të Kosovës”, thotë zoti Berisha.

Ndërsa, sipas ekspertit për çështje ekonomike, Ibrahim Rexhepi, vlerëson se rënia e eksportit dhe importit ka qenë e pritshme dhe shumë normale në rrethanat në të cilat ndodhet Kosova dhe vendet e botës.

“Në janar, Kosova vetëm hyri ne deflacion dhe kjo tregon rënien e fuqisë blerëse të qytetarit, që vetvetiu reflektohen në nivelin e importit dhe të eksportit”, thotë zoti Rexhepi.

Mjaft shqetësues, zoti Rexhepi e quan rënien e importeve të materialeve për përpunim, që do të thotë se niveli i prodhimit është në rënie.

“Çështja e eksportit më shumë identifikon rënien e prodhimit dhe varfërinë në Kosovë, sesa një refleksion aq të drejtpërdrejtë dhe të rëndë në buxhetin e Kosovës”, thotë ai.

Dalja nga kjo krizë, sipas ekspertit për çështje ekonomike, zotit Rexhepi, mund të bëhet përmes investimeve dhe përmes zhvillimit të prodhimit.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG