Ndërlidhjet

logo-print

Scheffer: NATO-s i duhet strategji e re


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer tha se aleanca ushtarake duhet të përcaktojë një strategji të re për t'u përballur me sfidat e kohës.

Ai tha se sfidat kryesore të NATO-s sot i përfshijnë misionet në Afganistan, marrëdhëniet e saj me Rusinë, dhe kërcënimet e reja si krimi kibernetik, siguria e energjisë dhe pirateria.

Ai tha se aleanca nuk pajtohet me Rusinë mbi disa çështje, si Gjeorgjia apo njohja e Abkhazisë e Osetisë së Jugut, por shtoi se marrëdhëniet NATO-Rusi janë "tepër të vlefshme për të ngecur" mbi dallimet si zgjërimi i aleancës, mbrojtja raketore apo Kosova.

Scheffer i bëri këto komente në Budapest në kremtimin e 10 vjetorit të anëtarësimit të Hungarisë, Polonisë dhe Çekisë në NATO.

"Në atë ditë kur Republika e Çekisë, Hungaria dhe Polonia formalisht hynë në NATO, Lufta e Ftohtë mori fund përgjithmonë, dhe drejtësia triumfoi mbi historinë. Ishte një demonstrim i plotë i të drejtës së çdo shteti evropian që ta përcaktojë fatin e vet duke zgjedhur i lirë", tha Scheffer.

Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia u pranuan në NATO pesë vjet më vonë, në 2004.
XS
SM
MD
LG