Ndërlidhjet

logo-print

JFR: "Viti i qetësisë në Kosovë"


Jane's Foreign Report


Viti i parë i Kosovës së pavarur ka kaluar qetësisht, por procesi i njohjes ka qenë shumë më i ngadaltë seç pritej.

Kjo është edhe rezultat i hapave të marra nga Beogradi, mes të cilave dërgimi i çështjes së ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Megjithatë, ende nuk dihen synimet afatgjata të Serbisë.

Edhe festimet e njëvjetorit të pavarësisë në Kosovë, afro një muaj më parë, u shoqëruan me një ndjesi zhgënjimi.

Pak ditë para shpalljes së pavarësisë, kryeministri Hashim Thaçi tha se në një periudhë të parë Kosovën do ta njohin 100 shtete. Një vit pas pavarësisë, rreth 55 vende e kanë pranuar shtetin e Kosovës, çfarë përfaqëson më pak se një të tretën e vendeve anëtare të OKB-së.

Rol ka luajtur dhe politika e ndjekur nga Beogradi, e cila ka qenë relativisht e moderuar. Kjo është dëshmuar veçanërisht me pranimin e misionit të EULEX-it.

Misioni, i cili ishte paraparë të ndihmonte Kosovën në periudhën e tranzicionit drejt shtetësisë së plotë, tashmë është neutral ndaj statusit dhe duket se Serbia ka një lloj të drejte ligjore në Kosovë. Ky fakt dëshmon se pavarësia nuk është një punë e kryer, siç pretendon Londra dhe Uashingtoni.

Por, shumëçka mbetet e paqartë. Të gjitha këto fitore të vogla të Beogradit nuk të krijojnë idenë se çfarë dëshiron të arrijë Serbia në afat të gjatë.

Me gjithë retorikën serbe se nuk do ta pranojnë asnjëherë Kosovën e pavarur, anketat e opinionit tregojnë se serbët e kanë kuptuar shumë mirë se Kosova është e humbur.

Në këto kushte ka pasur sugjerime se Serbia është e interesuar për copëtimin e Kosovës, duke marrë veriun e Kosovës ose 15% të territorit që banohet me shumicë serbe.

Që të ndodhë një gjë e tillë duhet një politikan i gatshëm të marrë përgjegjësitë për një hap të kësaj natyre.

Shumë vëzhgues, gjithnjë e më shumë, po pyesin se a e di Serbia çfarë dëshiron? Duket se Beogradi nuk ka një strategji për Kosovën.

Nga ana tjetër, bashkësia ndërkombëtare po fokusohet në Bosnjë, ku ka rritje tensionesh. Zgjidhja e problemeve atje kërkon dhe ndihmën e Serbisë, çfarë i ofron Beogradit një mundësi tjetër për të përmirësuar besueshmërinë e vet.

Për Serbinë, ashtu si dhe për bashkësinë ndërkombëtare, duket se Kosova është problem i së djeshmes, me gjithë potencialin që të krijojë shqetësime në të ardhmen.
XS
SM
MD
LG