Ndërlidhjet

logo-print

Maqedonia dhe integrimet evropiane


Raporti i miratuar nga Parlamenti Evropian për përparimin e bërë në Maqedoni gjatë vitit 2008, është një mbështetje e madhe për Maqedoninë, edhe pse në aspektin formalo-juridik konkluzionet nuk janë obliguese për Komisionin Evropian - konsiderojnë ekspertët për politikë të jashtme, duke komentuar rekomandimin e euro-parlamentarëve, që deri në fund të vitit të caktohet data për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

Ish-shefi i diplomacisë, Sllobodan Çashule, thotë se raporti nënkupton përgjegjësi më të madhe për Maqedoninë që të zbatojë zgjedhje të lira dhe demokratike, ndërsa, sipas tij, konkluzionet e miratuara do të ndikojnë edhe në heqjen më të shpejtë të regjimit të vizave me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Sa i përket datës për fillimin e bisedimeve, këtu përgjegjësia jonë është shumë më e madhe, pasi ka të bëjë më një çështje delikate dhe çfarëdo qoftë vërejtjeje që do të paraqitet për zgjedhjet, mund t’ia japë të drejtën Komisionit që edhe një herë të shtyjë datën, pasi për momentin Komisioni Evropian nuk ka as edhe një instrument që do të mund ta ndalonte Greqinë nga masat që mund të marrë kundër Maqedonisë”,
deklaroi Çashule.

Raportin e Parlamentit Evropian, zyrtarët në Shkup e kanë quajtur një fitore të vogël diplomatike, por me këtë nuk pajtohet analisti politik, Mersel Bilalli.

“Mendoj se tani në fushatë parazgjedhore dëshirohet që një rekomandim i tillë të eksploatohet, me qëllim të përfitimit të poenëve politikë, por të gjithë ata që e njohin këtë problematikë, janë të vetëdijshëm se kjo është një procedurë konstante dhe nuk janë pritur ndryshme, pasi edhe në të kaluarën kemi pasur qëndrime të këtilla të Parlamentit Evropian në raport me shtete të ndryshme, por që nuk kanë qenë obligative dhe nuk janë marrë parasysh nga Komisioni Evropian”, deklaroi Bilalli.

Në raport me kontestin rreth emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, Parlamenti Evropian ka dalë me një formulim të përgjithshëm se shtetet anëtare të Bashkimin Evropian nuk duhet t’i kushtëzojnë shtetet e Ballkanit në synimet e tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Duke komentuar këtë, ish-shefi i diplomacisë, Çashule, thotë se problemi mes Shkupit dhe Athinës dhe ai mes Zagrebit dhe Lubjanës mund të çojë deri aty që Bashkimi Evropian të rishqyrtojë të drejtën e anëtareve të saj, që të mos bllokojnë shtetet kandidate për shkak të problemeve të tyre dypalëshe.

Në këtë drejtim, analisti Mersel Bilalli thekson:

“Nuk jam shumë optimist i madh, përkundër disa vlerësimeve se gjithçka do të shkojë mirë sa i përket fillimit të bisedimeve. Unë mendoj se si satisfaksion Maqedonia do të fitojë liberalizimin e vizave, por për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE do të miratohet përmes konsensusit dhe në këtë drejtim pozicionet e Greqisë janë të qarta”, tha analisti Bilalli.

Në raportin e miratuar, Parlamenti Evropian theks të veçantë i ka vënë nevojës për zgjedhje të lira dhe demokratike më 22 mars, ndërsa ka kritikuar edhe presionet që po i bën Qeveria ndaj mediave në fushatën zgjedhore.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG