Ndërlidhjet

Lufta kundër krimit financiar


Mosfunksionimi efikas i sistemit gjyqësor dhe mosekzistimi i legjislacionit adekuat, sipas mekanizmave të sigurisë dhe ekspertëve për çështje ekonomike, kanë bërë që krimi financiar në Kosovë të jetë në përmasa relativisht të mëdha.


Ekspertët për çështje ekonomike thonë se krimi financiar, i cili, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, është mjaft i pranishëm, do të mund të luftohet përmes ushtrimit të shtetit ligjor dhe fillimit të proceseve demokratike në përgjithësi.

Njëkohësisht, ata pohojnë se në vendet ku ka krim financiar, nuk ka funksionim të shtetit ligjor dhe nuk ka funksionim të sistemit gjyqësor.

Eksperti për çështje ekonomike, Musa Limani, thotë se në Kosovë, në periudhën e pasluftës, është zhvilluar ekonomia informale, e cila mbështetet nga krimi i organizuar. Ai thotë se duhet të ngrihet në nivel shumë të lartë kontrolli, inspektorati i tregut dhe institucionet tjera, të cilat e përcjellin dukurinë që mund të paraqitet si krim financiar.

“Ata, të cilët duhet ta luftojnë krimin e organizuar, kontrabandën dhe abuzimet financiare, janë në këto rrathë dhe për ketë arsye ka ngecje në luftimin e këtyre dukurive negative”, thotë profesor Limani.

Qeveria e Kosovës, sipas profesor Limanit, duhet t’u qaset më seriozisht këtyre problemeve dhe duhet të bëhet koordinimi i të gjithë mekanizmave që merren me luftimin e këtyre dukurive dhe të bëhet një sistem i mirëfilltë i informatave.

Për të luftuar kontrabandën ekonomike, krimet e organizuara, keqmenaxhimet e mjeteve buxhetore, abuzimet financiare, profesor Limani thotë se duhet të ngrihet përgjegjësia në nivelin më të lartë dhe të pavarësohet gjyqësia.

“Tani dy vjet - ligji i përgatitur për prejardhjen e pasurisë, nuk është miratuar nga ana e Parlamentit, pasi që një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve dhe atyre që janë në krye të institucioneve, duhet të përgjigjen”,
thotë profesor Limani.

Sipas statistikave zyrtare të Policisë së Kosovës, ekziston një numër i madh i rasteve të krimit financiar, të hetuara nga policia, ndërkaq vlera e parave të konfiskuara nga viti 2006 deri në vitin 2008, është mbi 3 milionë euro.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, thekson se nga rastet e pavarura, nga Policia e Kosovës janë hetuar 15 grupe kriminale, me ç’rast janë arrestuar 48 persona.

Gjithashtu, zoti Beka konfirmon se njësiti i krimeve financiare, në bashkëpunim me prokurorinë e Kosovës, janë në proces të hetimeve edhe të disa grupe të tjera të dyshuara për krime financiare.

“Një nga sfidat për hetuesit e policisë është baza ligjore, ligji mbi deklarimin e pasurisë dhe procedurat standarde të operimit. Një bashkëpunim më i mirë në mes policisë, prokurorisë dhe gjykatave, do të kishte sukses. Gjithashtu, për luftimin e kësaj dukurie, duhet edhe bashkëpunimi ndërkombëtar i policisë, në veçanti me policinë e vendeve rajonale”, thotë zoti Beka.

Në anën tjetër, Mejdi Bektashi, ekspert për çështje ekonomike, thekson se krimi financiar ndonëse është i shprehur në një masë mjaft të madhe, është duke u luftuar vetëm formalisht dhe me efekte shumë të vogla.

“Ky krim është duke u shprehur përmes veprimit të ekonomisë se zezë dhe asaj joformale, evazionit fiskal, keqpërdorimit dhe keqmenaxhimit të mjeteve buxhetore, shpëlarjes së parave, korrupsionit dhe mitos”, thotë profesor Bektashi.

Ai vlerëson se arsye parësore e veprimit të këtyre formave të krimit ekonomik financiar është mosekzistimi i legjislacionit ligjor, si dhe mosveprimi adekuat i sistemit gjyqësor.
XS
SM
MD
LG