Ndërlidhjet

logo-print

Veriu në udhëkryq


Ura qendrore në Mitrovicë

Ura qendrore në Mitrovicë

Deputetë të Kuvendit, për integrimin e veriut të Kosovës i varin shpresat në misionin evropian për sundimin e ligjit. Por, derisa deputetë të partive në pushtet konsiderojnë se vetë shtrirja e EULEX-it paraqet një lloj plani për integrim, opozitarët thonë se mungon strategjia për integrim dhe Mitrovica gjendet në një status-quo.


Shtrirja e EULEX-it në veri - paraprirje për shtrirjen e institucioneve të Kosovës. Në këtë qasje beson kreu i Komisionit Parlamentar për Siguri, Rrustem Mustafa.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa, këtë e sheh edhe si plan konkret, apo strategji për integrimin e pjesës veriore, edhe pse kjo nuk figuron të jetë plan zyrtar i dalë nga cilido institucion qendror i Kosovës.

“Unë, plan e kuptoj të shtrihet EULEX-i; kjo është paraprirje për shtrirjen e institucioneve të vendit atje dhe në gjithë vendin. Ky është plan për mua. Strategjia është e mirëfilltë nga mekanizmat tjerë institucionalë, siç janë policia e EULEX-it, gjyqësia, doganat. Tash, hapin e parë e kemi bërë, pikat doganore janë vendosur – kjo është strategjia se si po përmbushet plani”, thotë Mustafa.

Kështu nuk mendojnë deputetë të opozitës. Besa Gaxherri, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, thotë se nuk ka parë strategji konkrete, pa të cilën, sipas saj, integrimi i pjesës veriore, të banuar me shumicë serbe, do të jetë i vështirë.

“Është dëshpëruese që ne si deputetë nuk kemi parë ndonjë strategji konkrete, së paku nga Qeveria. Ndoshta në sirtarët e tyre kanë, nuk dua të paragjykoj, por kjo duhet të jetë transparente, sepse do të kontribuonim të gjithë. Ne duhet ta arrijmë qëllimin, që edhe atë pjesë ta integrojmë dhe natyrisht në radhë të parë ta respektojmë Kushtetutën dhe integritetin e Republikës së Kosovës”, u shpreh Gaxherri.

Kuvendi i Kosovës
Veriun e vendit ende nuk e kontrollojnë institucionet e Kosovës. Edhe pas vendosjes së misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, në këtë pjesë nuk janë shpërbërë strukturat paralele serbe, të mbështetura nga Beogradi zyrtar.

Besa Gaxherri pohon se ajo që do ta përshkruante gjendjen në Mitrovicë, është status quo-ja.


“Natyrisht, këtë po e shohim, është status quo dhe është e rrezikshme; është kohë e rrezikshme, prandaj duhen plane konkrete dhe transparencë në këtë proces”,
theksoi Gaxherri.

Gjatë administrimit të Kosovës nga misioni i OKB-së qe përpiluar një plan për integrimin e qytetit, i cili mbeti vetëm në letër.

Edhe Pakoja e Ahtisaarit parasheh shndërrimin e Mitrovicës në qytet me dy komuna, gjë që mendohet se do t’i ndihmojë zgjidhjes së problemit. Por, edhe kjo, deri më tani nuk është jetësuar.

Rrustem Mustafa pranon se Kosova është vonuar shumë në marrjen e kontrollit në këtë pjesë.

“Ne, si vend, jemi të vonuar në shtrirjen e kontrollit në atë pjesë. Tash ka filluar, strategjia po funksionon mirë. Është hap i mirë vendosja e pikave doganore dhe njësitë e përziera që po patrullojnë”, pohon Mustafa.

Po bëhen 10 vjet që kur autoritetet e sigurisë ndërkombëtare e vendore e vlerësojnë gjendjen në Mitrovicë si të brishtë.

Mbesin dilemat në qarqe të ndryshme nëse rivendosja e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës do të duhej të bëhej në mënyrë graduale, duke e favorizuar faktorin kohë, apo duke përpiluar një plan të qartë, që për disa vjet do të integronte veriun e vendit.
XS
SM
MD
LG