Ndërlidhjet

S’ka parakushte politike për qeveri teknike


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Analistët nuk besojnë se ka gatishmëri politike në Kosovë që të krijohet një qeveri teknike. Edhe deputetë të Kuvendit thonë se pavarësisht ideve që mund të vijnë nga opozita, aktualisht nuk ka rrethana që shpijnë kah ndërtimi i një qeverie të tillë.


Nuk janë krijuar rrethanat politike për ndërtimin e një qeverie teknike, vlerësojnë analistët. Sipas tyre, parashtruesi i idesë, Lidhja Demokratike e Dardanisë, nuk ka dhënë një projeksion të qartë se çfarë do të arrihej me ndërrimin e qeverive.

Analisti Lulëzim Peci thotë se parashtruesi i idesë për formimin e qeverisë teknike, nuk e ka qartësuar as vizionin se si do të ndërtohej një qeveri e tillë teknike. Ai beson se në Kosovë nuk ka gatishmëri politike për një qeveri të tillë, marrë parasysh se në pushtet janë dy partitë më të mëdha në Kosovë, të cilat ushtrojnë kontrollin edhe mbi Parlamentin, por edhe mbi Qeverinë.

“Nuk besoj se ka gatishmëri për të hyrë në qeveri teknike. Edhe nëse një opsion i tillë shtrohet, atëherë duhet të jetë pak e qartë edhe ideja se çka po dëshirohet të mbërrihet me të - vetëm hyrja në koalicion apo çka dëshirohet t’i sillet Kosovës me këtë punë”, thekson Peci.

Ndërkohë, deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Driton Tali, thotë se personalisht e mbështet idenë që ekzekutivi i Kosovës të ketë më shumë ministra me profesion të afërt me veprimtarinë që e kryejnë. Por, marrë parasysh rrethanat politike, ai nuk beson se ideja e ndonjë subjekti opozitar do të mund të implementohej.

“Ka nevojë për implementim të ekspertizës, të profesionalizmit. Jam adhurues i idesë së implementimit të profesionalizmit në qeveri. Kjo ideja e qeverisë teknike është konform asaj”, thotë Tali.

Deputeti Driton Tali thotë po ashtu se partia më e madhe në Kosovë, si dhe kreu i Qeverisë, në asnjë moment nuk e kanë lënë të hapur derën për përfshirjen e ekspertëve tjerë, që nuk janë të afërt me partitë në pushtet në kuadër të Qeverisë. Kjo, sipas tij, i bllokon shpresat e atyre që mendojnë se mund të bëhen ndryshime në ekzekutivin kosovar.

“Kjo qeveri, në realitet, partia më e madhe e koalicionit, pati premtuar se do ta implementojë profesionalizmin dhe meritokracinë, në kuptimin teknik në aparatin shtetëror, në qeverisje, por një gjë të tillë nuk e ka bërë. Vazhdon avazi i vjetër, domethënë është ajo e vjetra, andaj unë nuk besoj se kjo ide do të merret seriozisht”, thekson Tali.

Ndërkaq, sipas analistit Lulëzim Peci, kërkesa e opozitës është legjitime, sepse qëllimi i partive politike është që të jenë pjesë e pushtetit. Por, ai e sheh si të domosdoshme që për një ide të tillë, Kosovës do t’i duhej një konsensus politik, në radhë të parë me partitë në pushtet.

Andaj, në rrethana të tilla, ai nuk beson se kjo ide mund të shkojë përpara. Madje, në situata si në Kosovë, kur, sipas Lulëzim Pecit, nuk hetohet ende ndonjë krizë aq e thellë, qeveritë e unitetit apo ato teknike mund të sjellin komplikime dhe jo zgjidhje.

“Qeveritë e unitetit vijnë në shprehje në atë moment kur vendi është në një krizë të madhe. Unë nuk besoj që Kosova momentalisht është duke u ballafaquar me një krizë të madhe. Mirëpo, nëse ka një vizion me këtë punë dhe dihet se çka mendohet të arrihet me këtë punë... se qeveria teknike nganjëherë mund të sjellë më shumë dëme, sesa të mira”,
thotë Peci.

Dje, menjëherë pasi që LDD-ja kishte propozuar idenë e krijimit të një qeverie teknike, pati reaguar edhe Zyra e Kryeministrit, përmes zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, duke e cilësuar këtë ide si të panevojshme, pasi që, sipas krerëve të Qeverisë, në Kosovë nuk ka krizë në atë masë sa përpiqet ta paraqesë opozita, e cila do të shpinte deri te ndërrimi i qeverisë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG