Ndërlidhjet

Ligji për punëtorët e huaj - absurd


Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për punësimin e shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës. Ky projektligj parasheh mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve të huaj, të cilët veprojnë në Kosovë.

Mirëpo, përfaqësues nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës thonë se një veprim i tillë nga ana e institucioneve të Kosovës, është paradoksal, meqë të drejtat e punëtorëve kosovarë nuk mbrohen me një ligj të tillë. Haxhi Arifi, nga BSPK-ja, thotë:

“Duke parë që Kosova nuk ka një ligj të punës për punëtorët e vet brendapërbrenda, kjo nuk do një koment, është një zbrazëtirë shumë e madhe, një hendikep për punëtorin kosovar. Ne jemi të interesuar për të pasur ligj që i mbron punëtorët tonë këtu”.

Nga ana tjetër, deputetët e opozitës në Kuvendin e Kosovës e kanë kundërshtuar miratimin e këtij ligji, pasi që, sipas tyre, ai ligj nuk mund të jetë funksional pa miratimin e ligjit për mbrojtjen e punëtorëve kosovarë.

Ibrahim Selmanaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i cili në mandatin e kaluar qeverisës ka drejtuar Ministrinë e Punës, konsideron se ai projektligj ka kaluar në parim, por nuk mund të jetë funksional pa marrëveshje me shtetet në rajon dhe më gjerë.

“Ne kemi shprehur rezervat tona, duke pasur parasysh se si pako e ligjeve të punës në Kosovë nuk eksiton ligji i punës, ligji për organizimin sindikal, ligji për organizimin e grevave - ligje të cilat kanë qenë të gatshme. Njëkohësisht, edhe ky projektligj, që dje është votuar në parim nga deputetët me shumicë votash, ka kaluar në ligj. Por, ky ligj nuk mund t’i rregullojë dispozitat ligjore për të huajt”, tha Selmanaj.

Por, zyrtarë nga Qeveria e Kosovës thonë se miratimi i ligjit për punësimin e shtetasve të huaj do të jetë më lehtë i zbatueshëm, sesa ligji për mbrojtjen e punëtorëve të Kosovës.

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Gjergj Dedaj, konsideron se ligji i miratuar në parim nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk ka implikime buxhetore për t’u zbatuar.

“Ky është një ligj me rëndësi, sepse edhe shtetasit e huaj që veprojnë dhe jetojnë në Kosovë, duhet t’i kenë dhe t’i gëzojnë të drejtat e garantuara me ligj për punësim në Kosovë. Sikur që edhe ne tash e tutje kërkojmë që kosovarët të kenë të drejta ligjore të punës në vende të tjera, dhe ky ligj nuk ka implikime buxhetore dhe është mirë që është aprovuar”, tha Dedaj.

Megjithatë, kryetar i BSPK-së, Haxhi Arifi, vlerëson se në mungesë të ligjit të punës, të drejtat e punëtorëve shkelen në masë të madhe në Kosovë, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat. Ai thotë se më me rëndësi do të ishte aprovimi i ligjit për një çështje të tillë.

“Aty mund të nxirren dhe ligje të tjera, si ky që është nxjerrë. Kjo është një absurd i kohës, edhe i Kuvendit, edhe i të gjithëve - është një diçka që është për çdo kritikë”, tha Arifi.

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës kanë thënë se me këtë ligj synohet të vihet nën kontroll tregu i punës në vend, duke i pajisur me leje pune shtetasit e huaj, si dhe duke ua shqiptuar masat ndëshkuese atyre që nuk marrin leje prej institucioneve.

Ndryshe, në bazë të këtij ligji parashihet që të nxirren tetë lloje të lejeve të punës. Afati më i shkurtër i lejes së punës mund të jetë 3 muaj, ndërsa ai më i gjati deri në 5 vjet.
XS
SM
MD
LG