Ndërlidhjet

“Vetëvendosje: Stop strukturave paralele”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
ZËRI
Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës thanë dje se pavarësisht se cili do të jetë karakteri i vizitës, të cilën shefi i EULEX-it në Kosovë, Iv de Kermabo, do ta zhvillojë, sikur pritet gjatë kësaj jave, në Beograd, plani 6-pikësh për Kosovën është i vdekur. Këto komente u bënë dje nga kabineti qeveritar, në prag të vizitës, të cilën Kermabo pritet ta zhvillojë midis 18-20 marsit në Beograd – një vizitë kjo që prej zyrtarëve të këtij misioni është cilësuar si teknike dhe në kuadër të një turni vizitash, të cilat shefi i EULEX-it është duke zhvilluar kohët e fundit në vendet fqinje të Kosovës në rajon. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, tha dhe se vizita e Kermabosë nuk ka të bëjë asgjë me institucionet e Kosovës dhe ajo realizohet atje sipas agjendës që shefi i misionit të EULEX-it e ka parashtruar në kuadër të përgjegjësive që i ka në këtë mision...

BOTA SOT
“Pasanikët” e politikës së Kosovës ende mbeten pa faturë rreth pasurisë së tyre, sepse asgjë nuk i detyron ligjërisht ta shprehin atë. Megjithëse miratimi i ligjit për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë të institucioneve është i nevojshëm për ta zvogëluar korrupsionin dhe pasurimin e politikanëve në mënyrë të paligjshme, ky ligj është “vërtitur” lart e poshtë në institucionet që duhet ta kishin miratuar atë. Pavarësisht se vjet Qeveria e Kosovës ia ka përcjellë projektligjin për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë Kuvendit të Republikës së Kosovës, ky ligj ende nuk është miratuar. Shkaku i mosmiratimit të tij nga Qeveria shpjegohet se me ndryshimin e kontekstit politik, duhet të ndryshohet edhe ky ligj, mandej të procedohet. Mirëpo, grupet parlamentare vlerësojnë se miratimi i tij nuk është bërë për shkak se dikujt i shkon për “shtat” që të mos miratohet ky ligj, në mënyrë që të mos deklarojnë pasurinë zyrtarët. Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, pohon për gazetën tonë, se ky ligj është kthyer për ripërpunim, por në momentin që do të përfundojë, do të procedohet prapë...

EPOKA E RE
Ka pranuar se Kosova është prekur nga kriza financiare që e ka përfshirë botën. Njëkohësisht ka paralajmëruar se, nëse kriza vazhdon me këtë ritëm, do ët ketë ndikime edhe më të mëdha për Kosovën. Ka lavdëruar punën e drejtuesve të doganave dhe atyre të Administratës Tatimore të Kosovës, madje ka pranuar se gjatë pranverës Kosova do të jetë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Por, nuk ka dashur ta publikojë kuotën që i është caktuar për ta paguar, për t’u anëtarësuar në këto institucione, me arsyetim se një gjë e tillë do ta dëmtojë procesin. Humbjet e Trustit i ka quajtur fatkeqësi, megjithëse ka bërë me dije se ato mund të ndërpriten pasi të zgjidhet bordi i ri i Trustit. Flet për “Epokën e re”, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala...

EXPRESS
Njohja e Kosovës nga Republika e Maldives vazhdon të jetë një temë e nxehtë në këtë shtet të vogël të Oqeanit Paqësor, pas akuzave se zyrtarët qeveritarë maldivianë kanë marrë 2 milionë dollarë nga afaristi kosovar, Behgjet Pacolli. Presidenti i Maldives, Mohamed Nasheed, ka urdhëruar hetime policore për të vërtetuar nëse ka pasur pranim të mitos siç akuzon Partia Islamike Demokratike, në opozitë. Ministri për Punë të Jashtme, Ahmed Shaheed, ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato “spekulime që kanë për qëllim diskreditimin e Qeverisë së Maldives”... Akuzat e Partisë Islamike Demokratike se Behgjet Pacolli ka paguar 2 milionë dollarë amerikanë për këtë njohje, janë kundërshtuar nga zyrtarë të Partisë Aleanca për Kosovën e Re. Nënkryetari i kësaj partie, Ibrahim Makolli, ka thënë të dielën për Express se “këto janë spekulime të dala nga kuzhinat e Beogradit” në përpjekje për të zhvlerësuar të gjitha këto arritje të Kosovës...

KOSOVA SOT
Kosova është duke përgatitur përgjigjen për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila do të përmbaje fakte të mjaftueshme për ta mbrojtur shpalljen e pavarësisë. Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku, tha se Kosova do të jetë plotësisht e përgatitur deri në mesin e muajit të ardhshëm, kur është afati për dorëzimin e përgjigjeve në gjykatë. “Kosova ka një mozaik të argumenteve të mjaftueshme për ta mbrojtur shpalljen e pavarësisë dhe këto argumente tanimë janë mbledhur nga koordinatori i ngarkuar për këtë punë. Gjithsesi, për shkak të ndjeshmërisë së çështjes dhe për shkak të rregullave të brendshme të gjykatës së drejtësisë, ne nuk mund të japim detaje për përgjigjet, deri në momentin kur ajo të deponohet zyrtarisht me shkrim në GJND”, tha Çitaku...

KOHA DITORE
Zbatimi i Propozimit gjithëpërfshirës për marrëveshjen për statusin e Kosovës pritet të bëhet në shkurt të vitit të ardhshëm nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, por askush s’mund të japë garanci nëse të gjitha dispozitat e këtij propozimi do të mund të implementohen. Nëse GDN-ja në atë kohë konstaton se Kosova i ka përmbushur kushtet e kësaj marrëveshjeje, atëherë mandati i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar në Kosovë do të skadojë. Pakoja, e cila nuk ka marrë miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si rezultat e kërcënimit rus me veto në Këshillin e Sigurimit, por që kishte qenë rezultat i bisedimeve rreth dyvjeçare me ndërmjetësim ndërkombëtar në Vjenë, ka qenë dokumenti kryesor në bazë të të cilit autoritetet e Kosovës kishin shpallur pavarësinë e Kosovës, rreth një vit më parë...

INFOPRESS
Partia Demokratike e Kosovës, të dielën, ka bërë thirrje që zgjedhjet lokale të mso shtyhen, por të mbahen në afatin e paraparë, që i bie në vjeshtën e këtij viti. Në një konferencë për media, zëdhënësi i kësaj partie, Blerand Stavileci, ka thënë se kërkesa e disa partive për shtyrjen e afatit të mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, është joreale... “PDK konsideron që kërkesa për shtyrje e disa partive është joreale, jodemokratike dhe jolegale. Konsiderojmë që kjo paraqet një frikë për përballjen me demokracinë dhe me legjitimitetin qytetar”, ka thënë Stavileci. Ai nuk ka komentuar asgjë nëse kërkesa për shtyrje të zgjedhjeve lokale vjen edhe nga ndërkombëtarët. “Kjo është kërkesë e disa partive”, ka thënë ai, i pyetur në lidhje me përfshirjen e ndërkombëtarëve në këtë mes...

LAJM

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar emrat e 116 të punësuarve në strukturat politike paralele serbe që veprojnë në Kosovë. Lideri i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, tha të dielën në një konferencë për gazetarë, se përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës duhet të ngritin kallëzim penal ndaj këtyre njerëzve, që, sipas tij, e cenojnë sovranitetin e vendit. Në këtë listë nuk janë të përfshirë të punësuarit në sferën e shëndetësisë, arsimit dhe fushave tjera jopolitike të sponsorizuara nga Serbia. Kurti tha se toleromi që u është bërë strukturave paralele deri më sot, është inkurajim dhe “pjesëmarrje në krim”. Ai ka ftuar qeveritarët që të ndërmarrin hapa konkretë kundër këtyre personave. “Hashim Thaçi (kryeministri) na thotë përditë se institucionet e Kosovës janë për zbatimin e Kushtetutës, atëherë këta njerëz konkretë po e shkelin atë për çdo ditë”...
XS
SM
MD
LG