Ndërlidhjet

Pavarësia e Kosovës është çështje e kryer dhe procesi nuk mund të kthehet më prapa, thonë zyrtarët në Prishtinë, duke iu përgjigjur deklarimeve në Beograd për bisedime të reja në lidhje me statusin e Kosovës.


Njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia është parakusht për fillimin e bisedimeve mes dy vendeve, thonë zyrtarët në Prishtinë.

Sipas tyre, Serbia përfundimisht duhet të heqë dorë nga pretendimet se mund të bisedojë me palën kosovare për çështjet që ndërlidhen me statusin dhe i bëjnë thirrje këtij vendi që të njohë realitetin e ri në Kosovë, e më pas të fillohet me ndërtimin e epokës së re të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha sot se deklarimet në Beograd, se me palën kosovare do të bisedohet për çështje të statusit, Prishtina nuk i sheh si serioze, pasi që kjo çështje është përmbyllur kaherë që nga shpallja e pavarësisë.

“Ne konsiderojmë që pala serbe duhet ta njohë shtetin e pavarur e sovran të Kosovës dhe duhet të jetë e gatshme ta njohë realitetin e ri në Kosovë dhe pastaj ne kemi interesa të bisedojmë për çështje teknike që janë në interes të të dyja vendeve dhe dy popujve”, tha Krasniqi.

Deklaratat e kryetarit të Kuvendit, Krasniqi, pasuan prononcimet në Beograd, sipas të cilave, çështja e statusit të Kosovës është ende e hapur dhe mbetet në tavolinën e bisedimeve.

Krasniqi beson se edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të japë një vlerësim pozitiv në lidhje me shpalljen dhe njohjen e shtetit të Kosovës.

“Pavarësia e Kosovës nuk është proces që mund të kthehet prapa. Ne jemi të bindur se edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të jetë në vijën e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krimet e luftës, për të cilat mendoj se zyrtarët më të lartë të shtetit të Serbisë janë të dënuar dhe jemi të bindur se edhe Gjykata e Drejtësisë do ta ndajë drejtësinë në shërbim të interesit të popujve për vetëvendosje”, tha Krasniqi.

Po në lidhje me raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se Prishtina dhe Beogradi mund të bisedojnë, por vetëm pasi që Serbia ta njohë shtetin e Kosovës dhe pasi që ky vend t'i largojë strukturat e tij paralele që i ka ndritur në Kosovë.

“Beogradi së pari duhet të njohë realitetin e krijuar në Kosovë, pavarësinë e saj, pastaj t'i heqë të gjithë mekanizmat që i ka në Kosovë dhe të japë llogari për dëmet e luftës që ka shkaktuar në Kosovë. Pastaj, politika jonë duhet të shikojë se cila do të ishte agjenda që do të përcaktohej për bisedime”, deklaron Isufi.

Duke iniciuar bisedime, Beogradi synon që të ndërhyjë në Kosovë për të implementuar planin 6-pikësh, thotë Ahmet Isufi. Andaj, sipas tij, Prishtina duhet të jetë shumë këmbëngulëse në këtë çështje, duke mos lejuar që t’u nënshtrohet presioneve dhe të mos bisedojë për këto qëllime të Beogradit përderisa ky vend të mos e njohë pavarësinë e saj.

“Konsiderojmë se tendenca e Beogradit është që të ndërhyjë me planin 6-pikësh në Kosovë dhe se këto bisedime i sheh në këtë frymë. Prandaj, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës nuk guxojnë që të veprojnë ndryshe përveç se në bazë të raporteve që duhet të krijohen në mes të Serbisë dhe Kosovës”,
thotë Isufi.

Që nga miratimi i planit 6-pikësh nga ana e Kombeve të Bashkuara vetëm me pajtimin e Beogradit, Prishtina zyrtare ka kundërshtuar dialogun teknik me Serbinë. Në anën tjetër, Beogradi thotë se i ka dy qasje ndaj bisedimeve. Sipas palës serbe, me Prishtinën do të bisedohet vetëm për çështje të statusit, kurse me autoritetet ndërkombëtare për zbatimin e planit 6-pikësh. Ky plan nga ana kosovare shihet si inekzistent dhe i pazbatueshëm.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG