Ndërlidhjet

logo-print
Përfaqësues të komuniteteve në Kosovë thonë se është momenti i fundit që institucionet vendore të kenë qasje të barabartë ndaj të gjitha komuniteteve pakicë që jetojnë në Kosovë.

Ata vlerësojnë se pa realizimin e të drejtave të minoriteteve, Kosova e ka të vështirë rrugën për integrime evropiane. Ndërsa, zyrtarë të institucioneve të Kosovës pohuan se shteti me Kushtetutë ka marrë zotime për mbrojtjen e pakicave.

Këto komente u bënë në tryezën me temën “Respektimi i të drejtave të minoriteteve në raport me procesin e integrimit evropian në Kosovë”.

Përfaqësuesi i komunitetit egjiptian, Xhevdet Neziraj, thotë se ka shumë dallime në raport me pakicat e ndryshme. Ai thotë se në Kosovë respektohet vetëm pakica serbe, ndërkaq komunitetet tjera ballafaqohen me vështirësi nga më të ndryshmet.

“Në Kosovë është duke ndodhur një gjë që askush nuk e ka dëshiruar, është duke u forcuar komuniteti serb, për arsye të njohura, ndërsa komunitetet tjera janë të anashkaluara, edhe pse kontributi i komuniteteve joserbe për Kosovën çdo herë ka qenë i madh”, thotë zoti Neziraj.

Ai thotë se institucionet vendore dhe ndërkombëtare, duke u marrë vazhdimisht me plotësimin e kushteve të komunitetit serb, kanë harruar se në Kosovë jetojnë edhe komunitete tjera.

Zoti Neziraj thekson se Kosova nuk do të mund të shkojë drejt integrimeve evropiane pa integrimin e të gjitha komuniteteve në shoqërinë kosovare.

Përfaqësuesi i komunitetit egjiptas kërkon të drejta të barabarta për të gjitha komunitetet, pa favorizuar njërin apo tjetrin nga minoritetet që jetojnë në Kosovë. Ndër të tjera, zoti Neziraj theksoi se në Kosovë ka shumë mekanizma për mbrojtjen e minoriteteve, mirëpo problemi është te mungesa e zbatimit të ligjit në këtë drejtim.

“Qeveria e Kosovës është duke bërë një gabim shumë të madh, sepse është duke investuar në njerëz të gabuar, duke i dhënë hapësirë të madhe komunitetit serb, ndërsa kur është koha për integrimin e komunitetit serb, do të vendosë Beogradi”, thotë zoti Neziraj.

Ndërsa, anëtarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Edita Tahiri, thotë se problemi i minoriteve në Kosovë, nëse shikohet në 10 vjetët e fundit, ndryshon shumë nga vendet e rajonit, sepse Kosova ofron hapësirë më të madhe për minoritetet.

“Problemi i komunitetit serb është çështje politike, për faktin se komuniteti serb nuk arriti të shkëputet nga ndikimi i Beogradit dhe të marrë vendime vetë për integrim në shoqërinë kosovare”, thotë zonja Tahiri.

Ajo hedh poshtë akuzat e përfaqësuesve të komunitetit rom, ashkali, boshnjak dhe egjiptas, duke theksuar se me problemet me të cilat ballafaqohen këto komunitete, ballafaqohen edhe shqiptarët.

Megjithatë, zonja Tahiri pohon se është pozitive për Kosovën që një segment i shoqërisë serbe ka drejtuar kokën nga Kosova dhe po provon të integrohet.

Ndërsa, kryetari i Komisionit për të drejtat e minoriteteve, Bojan Stojanoviq, thotë se do të japin kontributin e tyre në të gjitha proceset demokratike.

“Pajtohem që të gjitha bashkësitë duhet të jenë pjesëmarrëse në proces dhe t’i kenë të drejtat dhe interesat e tyre dhe duhet të punojnë në këtë drejtim, megjithëse bashkësia serbe ka pozicion specifik dhe është më e madhe në numër se të gjitha bashkësitë tjera joserbe dhe normalisht që bashkësia serbe ka kërkesa më të mëdha dhe duhet të punohet me komunitetin serb”, thotë Stojanoviq.

Zoti Stojanoviq thtë se bashkërisht komunitetet dhe institucionet e Kosovës duhet të arrijnë standarde të reja shoqërore në zhvillimin e ekonomisë dhe proceseve të tjera.

Ndryshe, sipas disa të dhënave nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, UNHCR, në Kosovë jetojnë rreth 5 për qind të pakicës joserbe: boshnjakë, turq, goranë, egjiptianë, romë dhe ashkalinj.

Të dhënat e sakta ende nuk dihen, duke marrë parasysh faktin se nuk është bërë ende regjistrimi i popullsisë, gjë që, sipas njoftimeve të deritashme, pritet të ndodhë se shpejti.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG