Ndërlidhjet

“Kosova mbron Kushtetutën"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Tetë deputetë të Parlamentit të Serbisë i ka tradhtuar “ëndrra” për të kaluar pikën kufitare të Serbisë me Kosovën, duke shkelur ligjet e Kosovës. Autoritetet kufitare të Kosovës ua kanë ndaluar atyre hyrjen në Kosovë, të hënën, në vendkalimin kufitar numër 5. Deputetët nga Serbia kishin si qëllim të merrnin pjesë në mbledhjen në fshatin Ranillugë të Kamenicës, për t’u takuar me, siç është thënë, strukturat qeverisëse në mjediset e banuara me serbë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, tha se ndalimi i tyre për të hyrë në territorin e Kosovës, ishte thjesht një zbatimi i vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës...

BOTA SOT
Komisioni i Posaçëm për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pas vlerësimit të 34 kandidatëve të intervistuar me shkrim, ka përzgjedhur të hënën 23 kandidatë, dy prej tyre minoritarë. Këta kandidatë do të vazhdojnë konkurrimin sipas proceduarave ligjore. Ndërkohë, Komisioni i Posaçëm do të fillojë procedurën e intervistimit me gojë pasi të kenë marrë dëshmitë e kërkuara nga Gjykatat për biografinë e kaluar të 21 kandidatëve të përzgjedhur. Kjo u bë e ditur të hënën pas mbledhjes së Komisionit të Posaçëm të Kuvendit, ndërkohë është saktësuar se muaji prill do të jetë vendimtar për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kryekuvendari Jakup Krasniqi, njëherësh edhe kryesues i Komisionit të posaçëm Kuvendar, për përzgjedhjen e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese është shprehur se tashmë, pasi ka kaluar faza e parë e intervistimit të kandidatëve, do të vazhdojmë me procedurat e tjera të përcaktuara me ligj...

KOHA DITORE
Derisa politikëbërësit e Kosovës vazhdojnë betejën për karriget e bordit të drejtorëve në Trustin e Kursimeve Pensionale, vlera e aksioneve të këtij fondi vazhdon të bjerë në tregjet financiare ndërkombëtare ku është investuar. Muaji shkurt ka rezultuar me humbjen e vlerës së aksioneve për më shumë se 10 milionë euro. Zyrtarë të Trustit pohojnë se vlera e aksioneve të kursimeve të punëtorëve kosovarë ka rënë për 4.14 për qind. Zëvendësdrejtori i Trustit, Vërshim Hatipi, ka konfirmuar se vlera e rënies së aksioneve të fondit pensional është më e lartë se një muaj më parë. “Çmimi i aksioneve për muajin shkurt ka rënë për 4.136 për qind apo shprehur në vlerë monetare, vetëm gjatë muajit shkurt të këtij viti, aksioneve të kursimeve të kosovarëve u ka rënë vlera për 10 milionë e 188 mijë euro”, ka pohuar të hënën Hatipi...

EXPRESS
Ndonëse presidenti Barack Obama nuk ka marrë ndonjë vendim, burime ndërkombëtare në Prishtinë thonë se Christopher Dell ka gjasa të emërohet ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Të njëjtat burime kanë thënë se ambasadorja aktuale, Tina Kaidanow, mund të largohet muajin e ardhshëm nga Kosova dhe të vazhdojë karrierën në një shtet tjetër, në rajonin tonë. Mirëpo, Ambasada amerikane ka thënë se zonja Kaidanow, e cila është kah fundi i vitit të dytë të saj në Kosovën, nuk do të largohet në muajin prill. “Ambasadorja Kaidanow nuk ka asnjë plan të largohet muajin e ardhshëm”, ka thënë të hënën për Express, një zëdhënëse e Ambasadës amerikane në Prishtinë, pa sqaruar se kur mundet që zonja Kaidanow të mbyllë qëndrimin e saj në vendin tonë. “Presidenti nuk e ka nominuar askënd për ta zëvendësuar”, ka shtuar zëdhënësja...

LAJM
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, përpjekjet e politikës zyrtare serbe që përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të arrijnë ta rikthejnë në tryezën e bisedimeve çështjen e statusit të Kosovës, i ka quajtur manovrime të dështuara paraprakisht. Kryeparlamentari Krasniqi tha të hënën, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, se politika serbe nuk ka ndryshuar në raport me Kosovën dhe institucionet e saj. “Ne jemi të bindur se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do ta ndajë drejtësinë në shërbim të interesit të popujve për vetëvendosje”. Për më shumë, Krasniqi tha se pret që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të jetë në vijën e vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krime lufte...

EPOKA E RE
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, u ka bërë thirrje UNMIK-ut dhe EULEX-it që, siç është shprehur ai, “ta vendosin sundimin e ligjit dhe të sigurojnë jetë të qetë për të gjithë banorët e Kosovës”. “Pesë vjet pas ndjekjes së serbëve, që ka ndodhur më 17 mars 2004, në Kosovë ende nuk ka siguri, liri të lëvizjes, drejtësi, rrymë, ujë dhe as respektim të normave themelore të civilizimit”, ka thënë Tadiq, kanë përcjellë mediet serbe. Duke rikujtuar pasojat ndaje njerëzve dhe objekteve të kultit që kanë pësuar me atë rast, Tadiq ka theksuar se, as pas pesë vjetësh, “përgjegjësit për këtë dhunë”, të cilën e kanë cilësuar “si të organizuar”, nuk janë dënuar. Presidenti serb Tadiq ka ftuar përfaqësuesit e UNMIK-ut dhe EULEX-it që të sigurojnë që drejtësinë ta gëzojnë të gjithë banorët në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo fetare...

ZËRI
Duket që më dilema nuk ka që sivjet, në vjeshtë, në muajin tetor apo nëntor, do të mbahen zgjedhjet për pushtetin lokal, të parat votime që prejse Kosova u bë shtet i pavarur, më 17 shkurt të vitit 2008... Sidoqoftë, janë edhe së paku tri ngjarje të rëndësishme, adresimi i të cilave do të ndikojë në orarin e mbajtjes së zgjedhjeve për pushtetin komunal në Republikën e Kosovës. Ajo e para ka të bëjë me përpjekjet e përbashkëta të Qeverisë së Kosovës, të Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe të Zyrës Civile Ndërkombëtare, për implementimin e Aneksit për decentralizimin e pushtetit, të Pakos së presidentit Ahtisaari, i cili tashmë është përbrendësuar, është bërë pjesë përbërëse e Kushtetutës së Kosovës dhe e legjislacionit të vendit. Në këtë fazë duhet të mbërrihet te Ekipet Përgatitore për themelimin e pesë komunave të reja me shumicën serbe, të cilat do ta kenë mandatin e organizimit inicial të pushtetit në këto komuna, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta, në vjeshtën e këtij viti...
XS
SM
MD
LG