Ndërlidhjet

Strukturat paralele pengojnë integrimin


Pamje në Mitrovicë
Pamje në Mitrovicë

Strukturat paralele serbe në Kosovë vazhdojnë të sfidojnë institucionet kosovare përgjatë shumë proceseve. Këtë e pohojnë zyrtarët kosovarë, të cilët thonë se nuk do të komunikojnë me struktura të tilla.



Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës vlerësojnë se strukturat paralele serbe në vend po e vështirësojnë procesin e krijimit të një sistemi unik të qeverisjes. Ata thonë se varësia e një pjese të banorëve serbë të vendit nga këto struktura po e ngadalëson procesin e integrimit të tyre në shoqërinë si dhe në jetën institucionale në Kosovë.

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, pohon se veprimi i strukturave të tilla, të cilat, sipas tij, veprojnë nën direktivat e Beogradit zyrtar, po dëmton dhe procesin e decentralizimit në territorin e Kosovës, të cilin ai e sheh si alternativën më reale për t’i bindur serbët kosovarë që të heqin dorë nga organizma të tillë.

Sadri Ferati
“I kemi definuar si ilegale dhe vazhdojmë t’i trajtojmë si të tilla. Përveç kësaj, janë dhe shumë të dëmshme, sepse e ngadalësojnë procesin e vetë-mundësisë për qytetarët dhe liderët e atyre lokaliteteve që të kyçen në proceset e decentralizimit, por edhe të instalimit të strukturave sipas sistemit unik”,
theksoi Ferati.


Gjatë zgjedhjeve serbe të 11 majit të 2008-ës, të cilat ishin zhvilluar dhe në Kosovë, banorët serbë kishin zgjedhur kryetarët e komunave dhe kuvendet komunale në disa zona të caktuara - struktura këto, një pjesë e të cilave ishin shpallur të pavlefshme nga administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

I pyetur se a do të kontaktohen këto struktura gjatë procesit të decentralizmit, ministri Ferati u shpreh:

“Është çështje e kohës kur ato nuk do të mund të veprojnë edhe më tutje dhe këtë duhet ta kenë të qartë edhe qytetarët, edhe liderët. Ne po krijojmë vazhdimisht kontakte, po shpjegojmë dhe njëkohësisht po e zhvillojmë mundësinë që me organizimin e zgjedhjeve të lira, ata të mund të instalojnë struktura më të fuqishme sesa sipas çdo ligji tjetër mbi të cilin vepron cilado strukturë”, tha Ferati.

Zyra Civile Ndërkombëtare, e cila është e përfshirë në procesin e decentralizmit të pushtetit lokal në Kosovë, inkurajon kontaktet me të gjithë personat që mund të kontribuojnë në këtë proces.

Sidoqoftë, zëdhënësi i këtij mekanizmi, Andy McGuffy, tërheq vërejtjen se nuk duhet bërë vlerësime të pabaza në lidhje me atë se kush mund t’i përkasë strukturave paralele serbe.

Andy McGuffie


"Nëse ka një theksim të tepruar në lidhje me etiketa apo individë të caktuar që e cilësojnë vetëm si diçka të tillë, atëherë programi i decentralizimit, apo në përgjithësi pajtimi në Kosovë, nuk do të zhvillohet aq shumë”.




“Pra, mendoj se aty ku Qeveria vendos se mund dhe duhet të ketë dialog me qytetarë të vendeve të caktuara, atëherë ata le ta bëjnë atë”,
tha McGuffy, duke e vlerësuar pozitiv trendin e interesimit të banorëve serbë për pranimin dhe pjesëmarrjen në programin e decentralizmit.

“Ka pasur disa komuna, të cilat kanë treguar se në mënyrë aktive janë të gatshme për këtë program, por ka dhe të tjera, të cilat kanë nevojë për më shumë dialog dhe më shumë shpjegim”, u shpreh ai.

Shqetësimi kryesor në lidhje me strukturat paralele serbe, sipas zyrtarëve vendorë dhe ndërkombëtarë në Kosovë, është dhe financimi i këtyre strukturave nga Qeveria e Serbisë, e që, sipas tyre, duket se do t’i sfidojë institucionet e vendit edhe për një kohë.
XS
SM
MD
LG