Ndërlidhjet

Pesë vjet pas trazirave të marsit


Mitrovicë - Pamje nga trazirat e marsit 2004

Mitrovicë - Pamje nga trazirat e marsit 2004

Në përvjetorin e 17 marsit të vitit 2004, përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës në Kosovë thonë se kanë arritur progres në rindërtimin e tërësive fetare ortodokse serbe, të cilat kanë qenë të dëmtuara. Nga ana tjetër, edhe zyrtarë nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut e vlerësojnë si të suksesshme punën e Ministrisë së Kulturës.


Ministria e Kulturës ka shënuar përparim të dukshëm në rindërtimin e tërësive fetare ortodokse serbe në Kosovë. Kështu thotë ministri i Kulturës, Valton Beqiri, në përvjetorin e trazirave të 17 marsit të vitit 2004.

Ministri Beqiri pohon se deri më tash nga 10 milionë euro mjete të ndara nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet e ndryshme ndërkombëtare për restaurimin e atyre objekteve, janë shpenzuar rreth 8 milionë euro.

“Që në fillim, Qeveria e Kosovës ka alokuar 3.5 milionë euro në buxhetin fillestar për rindërtimin e tërësive ortodokse serbe dhe ky buxhet, në saje të bashkëpunimit dhe të intervenimit edhe të Qeverisë, edhe institucioneve të ndryshme, ka arritur deri në 10 milionë euro të alokuara, që duhet të shpenzohen”, tha ministri Beqiri.

Ai konsideron se ka përfunduar 80 për qind e punës në rindërtimin e 35 objekteve fetare, të cilat ishin dëmtuar gjatë trazirave, që lanë të vdekur 19 persona - 11 nga ta shqiptarë dhe 8 serbë.

“Disa nga projektet kanë mbetur në fazën përfundimtare. Në këtë kontekst, jemi shumë të lumtur që kemi arritur që të kemi një progres të tillë. Natyrisht, duhet përmendur edhe faktorin ndërkombëtar, i cili ka qenë gjithmonë pranë nesh, pra ka qenë një angazhim i përbashkët, dhe mbi 80 për qind e të gjitha kërkesave janë realizuar”, theksoi Beqiri.

Sipas ministrit Beqiri, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Kulturës është e interesuar që me këtë punë të bërë për rindërtimin e objekteve fetare, të tregojë që është e përkushtuar në ofrimin e kushteve të barabarta për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

“Kemi treguar dhe dëshmuar një largpamësi, një syçelëti dhe një dëshirë të madhe që komunitetit serb në Kosovë, gjegjësisht Kishës Ortodokse serbe t’i ofrojmë kushte maksimale për punë dhe për jetë”, u shpreh Beqiri.

Nga ana tjetër, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, në përvjetorin e ngjarjeve të dhunshme të marsit të vitit 2004, ku si pasojë u dëmtuan, u dogjën tërësisht apo pjesërisht disa objekte fetare ortodokse, e vlerëson si të rëndësishme punën e bërë nga Ministria e Kulturës. Drejtori ekzekutiv i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, thotë:

“Dinamika e renovimit të këtyre ka shkuar sipas asaj që është paraparë. Ne vlerësojmë që ky ka qenë një hap i mirë, një hap pozitiv në përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për rikthimin e besimit te pakica serbe”, u shpreh Shala.

Sipas zotit Shala, rindërtimi i objekteve të dëmtuara në trazirat e marsit është edhe një sinjal i mirë që mund të ndikojë në përmirësimin e raporteve në mes të shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG