Ndërlidhjet

Udhëtimi i lirë në BE - ëndërr a realitet?


Kosova nuk është e përfshirë as në procesin e lehtësimit e as të liberalizmit të vizave, që Bashkimi Evropian u ka mundësuar vendeve të Ballkanit Perëndimor. Mosnjohja e Kosovës nga të gjitha vendet e BE-së ka shkaktuar këtë përjashtim.


Marrja e një vize Schengen, një qytetari të Kosovës i merr kohë, i shkakton përballje me procedura burokratike dhe kosto të lartë. Rezultati jo gjithherë është pozitiv.

Zef Dom Gjonit nga Prizreni, para pak kohësh, i është refuzuar dhënia e vizës nga Ambasada Gjermane në Prishtinë. Por, thotë se nuk është dorëzuar, me gjithë vështirësitë që duhet t’i kalojë.

“Për ta marrë një vizë është shumë zor, shumë vështirë. Sa i përket procedurave, është shumë vështirë. Kanë shumë rregulla strikte dhe na shikojnë disi ndryshe. Nuk di si të them, por shumë na shkelin. Rreth dy muaj zgjasin procedurat. Jam për herë të dytë, nuk dihet. Më kanë thënë të pres. Edhe pse kam qenë një herë në Gjermani, ma kanë refuzuar vizën”, pohon Dom Gjoni.

Konstatimet e tilla i pohon edhe Isa Mziu nga Skenderaj, që po ashtu pret përgjigje për një vizë Schengen, vizë kjo që mbulon shumicën e vendeve të BE-së.

“Unë po flas atë që di. Shumë po na maltretojnë; jo hajde sot, jo hajde nesër. Rrafsh dy muaj e gjysmë derisa i kam rregulluar dokumentet për të shkuar te djali në Gjermani. Dy muaj kam vrapuar, jo shko ndreqe këtë letër, jo atë, jo paske dalë shtrembër në fotografi”, shprehet Mziu.

Aktualisht, me vështirësi të tilla përballen qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Por, ndryshe nga Kosova, vendet e rajonit kanë shpresë se shpejt do t’u mundësohet lëvizja e lirë, meqë tashmë janë të përfshirë qoftë në procesin e lehtësimit, qoftë në atë të liberalizmit të vizave për në BE.

Mosnjohja e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së ka përjashtuar Kosovën nga këto procese, sepse Komisioni Evropian, para se të nisë negociatat për regjimin e lirë të vizave, duhet ta ketë mandatin e 27 vendeve anëtare.

“Kosova ende nuk është në fazën kur do të mund të nisnin negociatat për lehtësim vizash, meqë jo të gjitha vendet e BE-së e njohin. Por, po ashtu duhet theksuar se disa shtete anëtare kanë ndërmarrë veprime të njëanshme, në mënyrë që të lehtësojnë udhëtimin për qytetarët e Kosovës. Kështu që në praktikë, Kosova ka një lloj regjimi special, nuk është plotësisht e përjashtuar”, shprehet zëdhënësja e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Maja Pavloviq.

Verena Knaus, nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet, alarmon se nëse vazhdon ky përjashtim, te kosovarët do të rritet frustrimi, që mund të çojë edhe te një jostabilitet politik. Ajo e konsideron si paradoksal faktin që në Kosovë gjendet misioni më i madh që BE-ja ka në botë, ndërsa kosovarëve nuk u lehtësohet udhëtimi për në BE.

“Personalisht mendoj se është paradoksale, ka shumë bisedime për të ardhmen evropiane të Kosovës, kemi një prani shumë të madhe evropiane në Kosovë, dhe në të njëjtën kohë nuk kemi konsensus evropian në Kosovë, dhe jo vetëm për liberalizimin e vizave, por edhe në njohjen e pavarësisë së Kosovës, që është e lidhur ngushtë me njohjen e institucioneve shtetërore të Kosovës, trajtimin e Kosovës si anëtare potenciale, që eventualisht mund t’i bashkohet marrëveshjes së Schengenit”,
vlerëson Knaus.

Por, Maja Pavloviq nuk mendon se duhet të ketë ndërlidhje mes pranisë së misionit EULEX në Kosovë dhe procesit të lehtësimit dhe të liberalizimit të vizave.

“Nuk shoh ndërlidhje me faktin se ekziston një mision i madh i BE-së këtu, sepse kjo çështje u adresohet vendeve anëtare. Në kohën kur kemi vota unanime për këtë, kur të gjithë pajtohen, vetëm atëherë mund të sigurohet mandati dhe të nisin negociatat”, thotë Pavloviq.

Megjithatë, Verena Knaus i tërheq vëmendjen Bashkimit Evropian se nuk duhet ta lë anash Kosovën.

“Lënia anash do të minojë kredibilitetin e BE-së këtu, do ta vë në rrezik edhe EULEX-in si mision. Për disa vjet, të rinjtë kosovarë do të kuptojnë se policët evropianë këtu ndoshta nuk do ta ndihmojnë Kosovën që t’i afrohet Evropës, por janë këtu që të ruajnë një status-quo, ngjashëm si ata të OKB-së”.

“Kjo mund të krijojë shumë hidhërim, mund të çojë në shumë frustrim nëse Maqedonia, Shqipëria, Serbia kanë regjim të lirë të vizave dhe vetëm Kosova nuk ka. Mendoj se ekziston një rrezik i jostabilitetit. Mendoj se është rrezik politik dhe Evropa duhet ta marrë këtë parasysh”, u shpreh Knaus.

Ndryshe, zyrtarë të Komisionit Evropian pranojnë se i kanë duart e lidhura në raport me Kosovën.

Për një liberalizim vizash, shtetet duhet të plotësojnë disa kritere të caktuara nga Komisioni Evropian - një nga to edhe pajisja me pasaporta biometrike. Kosova ka nisur prodhimin e pasaportave të reja vitin e kaluar, por jo biometrike.

Sidoqoftë, zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se do ta shndërrojnë në prioritet çështjen e arritjes së kritereve të duhura për liberalizim vizash.
XS
SM
MD
LG