Ndërlidhjet

Sfidat e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën


Pjesëtarë të EULEX-it
Pjesëtarë të EULEX-it

Bashkërendimi i punëve mes institucioneve vendore dhe EULEX-it premton shtrirjen e rendit dhe ligjit në mbarë Kosovën, tha zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, në takimin e Bordit Koordinues për sundim të rendit e ligjit.


Autoritetet në Prishtinë kanë shprehur bindjen e tyre se bashkëpunimi i institucioneve me misionin e EULEX-it do të rezultojë me shtrirjen e sundimit të rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Kosovës.

Këto komente nga zyrtarët e lartë kosovarë u bënë gjatë takimit të Bordit Koordinues për sundim të rendit dhe ligjit, që përbëhet nga strukturat qeveritare në Prishtinë dhe ato të EULEX-it.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se Qeveria e Kosovës i ka tri objektiva në lidhje me sundimin e rendit dhe ligjit, të cilat, sipas tij, do të garantojnë përmirësime të dukshme në këtë fushë.

“E para do të jetë mbështetja politike dhe logjistike për misionin e EULEX-it në Republikën e Kosovës, që ai të jetë sa më funksional dhe më i plotë. Objektiva e dytë është të kemi një bashkëpunim efikas, të plotë dhe të harmonizuar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe EULEX-it, dhe objektiva e tretë është që të përforcohet dhe të sundojë rendi dhe ligji në tërë territorin e republikës sonë. Besoj se jemi në rrugë të mbarë dhe jemi në rrugë të mirë që t’i arrijmë këto tri objektiva, që gjithsesi janë me rëndësi për vendin tonë”, tha Kuçi.

Ndërkohë, shefi i misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon, vlerësoi se misioni i tij ka filluar një punë të mirë në sektorin e drejtësisë.

“Është shënuar një kthesë pozitive, marrë parasysh se ky është vetëm fillimi”,
tha Kermabon.

Ai tha se EULEX-i po punon që të sigurojë popullin e Kosovës se do të ketë qasje në gjykimet e paanshme dhe të drejta.

“Do të ketë sundim të ligjit dhe ky është përkushtim i yni”, tha Kermabon.

Por, ai e njoftoi në vazhdim Bordin Koordinues për sundim të ligjit për disa shqetësime, që ditëve të fundit janë shprehur në opinionin kosovar, pas fillimit të proceseve të para gjyqësore nga gjykatësit e Bashkimit Evropian. Ai tha se kishte edhe disa pakënaqësi tek komunitetet, por u zotua se gjykatësit e EULEX-it do të vazhdojnë të punojnë të pavarur dhe të pandikuar nga jashtë.

“Popullariteti i vendimeve të tyre nuk do të ndikojë në suksesin e këtyre gjykatësve”, tha Kermabon.

Sipas tij, do të ketë vendime të vështira, por kjo, shtoi ai, nuk do të mund t’i tërheqë gjykatësit e EULEX-in nga misioni i tyre në Kosovë.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se bashkërendimi i punëve ndërmjet institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare premton suksesin dhe shtrirjen e sundimit të rendit dhe ligjit në mbarë territorin e Kosovës.

“Unë kam besim, po e them në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, se ritmi i bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve tona po ec me dinamikën e duhur në mes të Qeverisë dhe EULEX-it, dhe kam besim se gjërat po lëvizin në kuptimin më pozitiv të mundur, për të mbizotëruar rendi dhe ligji në tërë territorin e republikës sonë”, thotë Kuçi.

Ndryshe, një pjesë e diskutimeve në këtë organ u është kushtuar zhvillimeve në sektorin e drejtësisë pas fillimit të gjykimit të parë në Mitrovicë. Lidhur me atë rast ishin shprehur dyshime se me mbi bazën e cilave ligje zbaton drejtësinë EULEX-i.

Pjesa e diskutimeve në lidhje me proceset e para gjyqësore që ka filluar EULEX-i, ishte mbyllur për media.

Ndryshe, misioni i EULEX-it ka tri fushëveprime në Kosovë, përkatësisht në polici, drejtësi dhe dogana.
XS
SM
MD
LG