Ndërlidhjet

"Progres i EULEX-it"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

Në takimin e rregullt të Bordit koordinues për sundimin e ligjit, sipas të përditshmes “Koha Ditore”, shefi i misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit, Yves De Kermabon, u ka kërkuar institucioneve kosovare që të mos marrin ndonjë vendim për shkarkimin e policëve të komunitetit serb, derisa, siç thuhet, Kermabon të kthehet nga vizita e parë në Beograd - vizitë kjo e paralajmëruar të zhvillohet në ditët në vijim.

Sipas kësaj të përditshmeje, në takimin në fjalë, ish-komandanti francez, Kermabon, ka siguruar se Brukseli është duke bërë presion mbi autoritetet në Beograd dhe veçanërisht mbi Ministrinë e Punëve të Brendshme serbe, për zgjidhjen e problemit me policët e suspenduar serbë në Kosovë.

Konkluzionet e takimit të fundit të grupit koordinues për sundimin e ligjit nga e përditshmja “Lajm” cilësohen si “Progres i EULEX-it”, që është dhe njëkohësisht titulli i artikullit të shkrimit për çështjen në fjalë.

“Lajm” citon shefin e EULEX-it, Kermabon, të këtë pohuar se vendimet e fundit të marra nga gjykatësit e EULEX-it kanë krijuar befasi dhe pakënaqësi në mesin e komuniteteve të ndryshme në Kosovë, por se, siç citohet të ketë thënë Kermabon, gjykatësit janë duke punuar të pavarur.

Ndërkohë, e përditshmja “Kosova Sot” në editorialin e saj vlerëson se takimit të bordit koordinues për sundimin e ligjit i ka munguar diskutimi dhe krijimi i një qartësie rreth asaj se a po zbatohet një sistem unik i drejtësisë në Kosovë, si dhe çfarë ligjesh do të zbatojnë gjyqtarët e EULEX-it.

Sipas këtij editoriali, Kosova me një dualizëm në gjyqësi dhe me një, siç quhet, neglizhencë në sundimin e ligjit dhe të rendit, është larg krijimit të një sistemi të integruar të drejtësisë në territorin e Kosovës.

“Dosja e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese hulumtohet deri të hënën” është titulli i artikullit të gazetës “Zëri”, që gjendet në faqen e parë të kësaj të përditshmeje.

Sipas këtij shkrimi, Komisioni i posaçëm i Kuvendit të Kosovës, i ngarkuar që të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve të listës së ngushtë për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ka kërkuar nga Gjykata Komunale në Prishtinë, Inspektorati Gjyqësor dhe nga organizatat ku aktualisht punojnë kandidatët, që deri të hënën të dërgojnë të dhënat definitive për ta, për të, siç shkruhet, verifikuar nëse ndonjëri prej 21 kandidatëve të përzgjedhur pas testit të parë ka rënë ndesh më herët me ligjin apo jo.

Në këtë shkrim mësohen dhe emrat e kandidatëve për Gjykatën Kushtetues të Kosovës.

Gazeta “Express”, ndërkohë, në një koment të sajin, e quan të rëndësishme përzgjedhjen e hollësishme dhe meritore të gjyqtarëve për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, ndërsa shprehet pesimiste për listën aktuale të kandidatëve për këtë institucion.

Kështu “Express”, ndër të tjera, shkruan: “Gjykata Kushtetuese vetvetiu nuk është kurrfarë autoriteti përfundimtar. Të tillë e bëjnë njerëzit. Por, cilët njerëz?”, shtrohet pyetja në komentin e kësaj të përditshmeje.

Mbajtja e takimit të radhës së Këshillit të Sigurimit për Kosovën është temë, e cila trajtohet nga një pjesë e madhe e gazetave të shtypit të sotëm ditor.

Sipas të përditshmes “Koha Ditore”, shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, është duke finalizuar përgatitjen për paraqitjen në Këshill të Sigurimit. Përgatitjet për këtë takim, sipas “Zërit” janë duke u bërë dhe nga pala kosovare, e cila, sipas kësaj gazete, në Këshill të Sigurimit do të përfaqësohet nga ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni.

Ndërkohë, sipas “Infopress”, raporti për Kosovën i Sekretarit Gjeneral të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, do të fokusohet në tri çështje, e të cilat, sipas kësaj gazete, janë: procesi i rikonfigurmit të UNMIK-ut, zhvillimet rreth 6 pikave dhe procesi i shtrirjes së EULEX-it.
XS
SM
MD
LG