Ndërlidhjet

(S') ka konsum të prodhimeve vendore


Zyrtarë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë thonë se nuk janë të kënaqur me nivelin e përdorimit të produkteve vendore nga qytetarët dhe vetë institucionet. Një qëndrim të ngjashëm kanë edhe përfaqësuesit e bizneseve kosovare.


Kosova mbetet në nivelin më të ultë në rajon sa i përket konsumimit të prodhimeve vendore. Kështu konstatojnë përfaqësuesit e Aleancës Kosovare të Biznesit.

Agim Shahini, kryetar i kësaj aleance, thotë se kohëve të fundit vërehet një vetëdijesim i qytetarëve në konsumimin e prodhimeve vendore.

“Krahasuar me vendet regjionale, Kosova mbetet një vend që prodhimtarinë e vet nuk e konsumon në nivelin e duhur. Por, kjo dalëngadalë po e rrit kultin e vetëdijes, ndërgjegjes qytetare dhe po i kopjojnë vendet përreth me nacionalizëm ekonomik, që e kanë të avancuar, dhe kjo do t’i ndihmojë drejtpërsëdrejti ekonomisë së Kosovës”, tha Shahini.

Ndërkaq, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, thotë se institucionet e Kosovës nuk janë të kënaqura me nivelin e konsumimit të prodhimeve vendore. Mirëpo, sipas tij, janë duke u bërë politika të ndryshme për vetëdijesimin e qytetarëve që konsumojnë prodhime vendore.

“Ministria, në bashkëpunim me shoqatat e biznesit dhe me aktivitete të ndryshme, po punon në sensibilizimin dhe rritjen e vetëdijesimit të qytetarëve për konsumimin e prodhimeve vendore. Megjithatë, nëse e marrim që bruto prodhimi i Kosovës është afër 4 miliardë, kurse kemi një import prej afër 2 miliardë, do të thotë se 50 % e konsumit është nga importi”,
theksoi ministri Zharku.

Ai tha se ministria që e drejton ai, ka hartuar një strategji që ka të bëjë me rritjen e konsumimit të produkteve vendore.

“Javën e kaluar kemi pasur prezantimin e politikave tona tregtare, të cilat parashohin marrjen e masave në tri grupe. Grupi i parë janë masat në rritjen e konkurrencës së prodhimeve vendore, të cilat masa janë paraparë edhe në kornizën afatmesme të shpenzimeve, me të cilat parashihet forcimi i prodhuesve vendorë”.

“Forcimi i prodhuesve vendorë do të rezultojë me rritjen e prodhimtarisë vendore. Rritja e prodhimtarisë vendore në cilësinë e prodhimeve më tej do të çojë deri te zvogëlimi i importeve dhe natyrisht edhe zbutja e deficitit tregtar”, tha ministri Zharku.

Në anën tjetër, ka qytetarë që thonë se kanë filluar të konsumojnë vetëm prodhime vendore. Rrahim Gashi është njëri nga ta.

Pamje në Prishtinë
“Ato që vijnë nga vendet e ndryshme, nuk i përdor hiç, veç kur nuk kam kurrfarë mundësie vendore. Unë i përkrah vendoret, se janë më të freskëta dhe janë më të sigurta. Edhe te disa shtete nuk kam besim”,
shprehet ai.

Edhe Labinot Krasniqi thotë se konsumon prodhime vendore.


“Prodhime vendore; edhe më duket se janë pak më të mira me kualitet“,
thotë ai.

Por, Ibrahim Gashi, pronar i një dyqani ushqimor në Prishtinë, tregon se shumë nga artikujt në lokalin e tij nuk janë prodhime vendore.

“Gjatë blerjes, kam dëgjuar duke pyetur a ka apo nuk ka; nëse nuk ka, shkojnë me zëvendësim. Ndërsa këtu, çka shes unë, të gjitha janë prodhime të huaja. Janë disa gjëra që nuk prodhohen në Kosovë, por jashtë vendi”, thotë Gashi.
XS
SM
MD
LG