Ndërlidhjet

Fushata zgjedhore në Maqedoni


Posterë të fushatës parazgjedhore në Maqedoni
Posterë të fushatës parazgjedhore në Maqedoni

Partitë politike në Maqedoni kanë vazhduar fushatën elektorale për zgjedhjet e 22 marsit. Derisa partitë shqiptare, vëmendjen e kanë përqendruar në pozitën e shqiptarëve dhe po shkëmbejnë akuza mes tyre, partitë maqedonase, nga ana tjetër, akuzojnë njëra-tjetrën për skenarë për parregullsi në zgjedhje.

Edhe dy ditë deri në mbyllje të fushatës zgjedhore, liderët e partive politike dhe kandidatët e tyre për president dhe kryetar të komunave, kanë vazhduar akuzat ndaj oponentëve të tyre politikë, ndërsa para elektoratit, ashtu sikur në fillim të fushatës zgjedhore, edhe tani, në mbyllje të saj, kanë premtuar zgjidhjen e të gjitha problemeve, me të cilat përballen qytetarët, si dhe integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në tubimet me elektoratin ka thënë se të arriturat e shqiptarëve askush nuk do të mund ti cenojë dhe tani, sipas Ahmetit, ka ardhur koha për t’iu përkushtuar përmirësimit të kushteve për jetesë për popullatën shqiptare.

“Fjalët tani janë të tepërta. Patriotizëm tani është të ndërtosh infrastrukturë, të ndërtosh rrugë, të hapësh vende të reja të punës, pasi tani askush nuk do të guxojë ta prekë flamurin shqiptar, askush nuk guxon të prekë universitetin shqiptar, Skënderbeun apo varrezat e dëshmorëve, pra askush nuk guxon ato t’i prekë”, ka deklaruar Ahmeti.

Ndërsa, lideri i PDSH-së opozitare, Menduh Thaçi, në tubimet me elektoratin ka vazhduar akuzat ndaj Qeverisë, e në veçanti ndaj BDI-së, duke e akuzuar atë për devalvim të gjuhës shqipe dhe pozitën e palakmueshme të shqiptarëve në Maqedoni. Por, Thaçi ka thënë se kësaj politike shumë shpejt do t’i vijë fundi.

“Nuk duhet të shqetësoheni, nuk duhet të mërziteni shumë për ata që zbukurohen me fjalor maqedonas, për ata të cilët flasin pa kuptim, pasi fundi i kësaj politike, dënimi i kësaj politike do të përfundojë vetëm te ata. Dëmet që ata përgatisin, nuk do të mund të vijnë te shqiptarët, pasi do të hasin në barrierën që e ka emrin PDSH“, ka thënë Thaçi.

Derisa partitë politike shqiptare akuzohen për të drejtat e shqiptarëve, partitë politike maqedonase, nga ana tjetër, akuzohen se cila më tepër po tradhton interesat kombëtare e shtetërore dhe cila më tepër po punon për parregullsi në zgjedhjet e 22 marsit.

VMRO-DPMNE-ja tha se ankesat e LSDM-së janë edhe një përpjekje e saj për të krijuar alibi për humbjen në zgjedhje.

“Në vend të ankesave para diplomatëve, LSDM-ja para anëtarësisë së saj duhet t’i sqarojë arsyet e vërteta, se pse në pjesën më të madhe të komunave kandidatët e tyre do të pësojnë humbje katastrofale, dhe shkaqet e vërteta për kandidatin e tyre presidencial, që rrezikon të mos futet në rrethin e dytë zgjedhor”, deklaroi Ilija Dimovski, nga VMRO-DPMNE-ja.

“Pohimet e partisë në pushtet janë thjesht shpifje dhe tentim i VMRO-DMNE-së që planin për parregullsi në zgjedhje, t’ia hedhë opozitës. Ne jemi në komunikim permanent me të gjithë përfaqësuesit e huaj në vend, sepse Maqedonia është para një sfide serioze, që këto zgjedhje duhet të jenë të lira dhe demokratike”,
ka deklaruar Emiljan Stankoviq, nga Lidhja Socialdemokrate.

Fushata elektorale deri më tani ka rrjedhur pa incidente dhe kjo është vlerësuar nga komuniteti ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG