Ndërlidhjet

logo-print

“Nis zbatimi i decentralizmit”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

Pothuaj të gjitha gazetat e shtypit të sotëm ditor trajtojnë çështjen e decentralizmit, proces ky i cili ka filluar në vitin e shkuar.

“Nis zbatimi i decentralizmit” titullohet shkrimi i të përditshmes “Koha Ditore” në lidhje me këtë temë - shkrim ky, sipas të cilit, në takimin e së mërkurës të grupit ndërministror për procesin e decentralizmit, ku u vendos për krijimin e ekipeve përgatitore komunale, ka nisur, siç shkruan kjo gazetë, zbatimi i decentralizmit edhe në praktikë.

Gazeta “Lajm” citon kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, t’i kenë bërë ftesë të gjithë banorëve të Kosovës, me theks të veçantë te banorët e komunitetit serb, t’i bashkohen procesit të decentralizmit. Këta të fundit, siç thuhet në “Lajm”, kanë deklaruar se decentralizmi është një mundësi e mirë për të përmirësuar jetën e qytetarëve në Kosovë.

Ndërkohë, në editorialin e të përditshmes “Zëri” theksohet nevoja për nisjen sa më parë të procesit të ndarjes së pushtetit lokal. Në këtë shkrim thuhet se kosovarët dhe partnerët e tyre ndërkombëtarë duhet të bëjnë krejt çka është e mundur që të nisë decentralizmi.

Dështimi eventual i tij, sipas kësaj gazete, duhet ta ketë adresën e qartë të fajit dhe assesi nuk duhet të reflektojë në sigurimin e interesave jetike të Kosovës, e para së gjithash, siç thuhet, në garantimin e tërësisë territoriale.

Përzgjedhja e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, sipas shtypit ditor, po vazhdon edhe më tutje. Sipas Pakos së Ahtisaarit, Gjykata Kushtetuese do t’i ketë 9 gjyqtarë, prej të cilëve 4 shqiptarë, 3 ndërkombëtarë dhe 2 minoritarë.

Lidhur me këtë, gazeta “Express” njofton se Zyra Civile Ndërkombëtare tanimë ka hapur konkursin për tre gjyqtarët ndërkombëtarë për Gjykatën Kushtetuese, konkurs ky, i cili, sipas “Express”, përjashton nga e drejta për konkurrim kosovarët dhe shtetasit nga vendet fqinjë me Kosovën.

Në shkrimin që trajton këtë çështje thuhet se përzgjedhja e 3 kandidatëve ndërkombëtarë nga ICO nuk do të marrë aq kohë sa përzgjedhja e 6 kandidatëve kosovarë.

Ky proces, ndërkaq, në editorialin e të përditshmes “Kosova sot” thuhet se nuk do të jetë dhe aq i lehtë. Aktualizimi i dosjeve të kandidatëve kosovarë për të mbledhur të dhëna rreth të kaluarës së tyre dhe për të vërtetuar se a është ajo në përputhje me veprimin moral, si një ndër kriteret për këtë institucion, sipas këtij shkrimi, është një gjë e zakonshme.
Mirëpo, siç vazhdon kjo e përditshme, ekziston dilema se a janë të përgatitura instancat dhe cilat janë ato që do t’i prezantojnë të dhënat e plota për kandidatët për Gjykatën Kushtetuese.

Ndërkaq, në një shkrim të gazetës “Express”, me titull “UNMIK - Pengesë e padëshirueshme”, i cili duket se bazohet në raportin për Kosovën të sekretarit gjeneral të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, të cilin thuhet se e ka siguruar gazeta, theksohet se në mbledhjen e 23 marsit të Këshillit të Sigurimit për Kosovën, numri një i OKB-së pritet t’i njoftojë përfaqësuesit e shteteve anëtare të këtij mekanizmi për qëndrimin mohues të shqiptarëve karshi pranisë së UNMIK-ut në Kosovë.

Konkluzione të tjera të raportit të cilin Ban Ki Moon pritet ta paraqesë në Këshill të Sigurimit, javën që vjen, sipas “Express” janë dhe “Autoritetet e Kosovës nuk e shohin Rezolutën 1244 si obligim ligjor”, “Rikonfigurimi i UNMIK-ut përfundon në qershor”, “Shumë serbë kundërshtojnë autoritetin kosovar, por një numër në rritje i tyre po marrin dokumentet e Kosovës”, shkruan kjo e përditshme.
XS
SM
MD
LG