Ndërlidhjet

Përfaqësues të arkivave të Kosovës dhe historianë kosovarë thonë se mungesa e dokumentacionit arkivor, të zhvendosur nga Kosova në Serbi gjatë periudhës së luftës, po shkakton probleme në shumë sfera të jetës në Kosovë.


Me dhjetëra-mijëra dokumente arkivore, që ishin bartur në Serbi gjatë luftës së 1999-ës, në Kosovë duket se vazhdojnë të mbesin larg duarve të autoriteteve përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e tyre.

Kthimi i këtij dokumentacioni në Kosovë, në planin e presidentit Ahtisaari paraqitet si obligim i Serbisë karshi Kosovës, i cili duhet të realizohet brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij dokumenti, mirëpo në këtë drejtim, sipas zyrtarëve të arkivave të Kosovës, nuk ka pasur asnjë zhvillim.
Drejtori i përgjithshëm i arkivave të Kosovës, Jusuf Osmani, i ka dhënë Radios Evropa e Lirë një pasqyrë për një pjesë të dokumenteve që u mungon arkivave në Kosovë.

“Të gjitha ato dokumente që janë me prejardhje nga Kosova, që janë krijuar në periudhat e mëhershme dhe ato që janë marrë nga koha kur ishin masat e dhunshme në arkivin e Kosovës... konkretisht këtu hyn dokumentacioni i reformës agrare dhe kolonizimit të Kosovës në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, ku janë marrë mbi 17,000 kartonë për çdo subjekt dhe objekt të reformës agrare”, tha Osmani.

Plani i Ahtisaarit parasheh që regjistrat kadastralë dhe dokumente të tjera të lidhura me Kosovën dhe banorët e saj, e që janë zhvendosur nga Kosova në Serbi, të kthehen prapa. Ky dokument po ashtu obligon Serbinë që, sipas parimit të rëndësisë funksionale, t’i kthejë në Kosovë pjesët e arkivit shtetëror të Serbisë, të nevojshme për administrimin normal të Kosovës.

Mirëpo, marrë parasysh qëndrimin mohues të Qeverisë serbe karshi zbatimit të këtij plani, gjatë përpjekjeve të radios për të kontaktuar zyrtarë të shtetit serb në lidhje me këtë temë, nuk është arritur të merret ndonjë deklarim për këtë çështje.

Drejtori i arkivave të Kosovës, Jusuf Osmani, njofton se përpjekjet dhe kërkesat për rikthimin e dokumentacionit të arkivave në Kosovë kanë qenë të kota, marrë parasysh dimensionin politik në të cilin gjendet kjo çështje.

Në një seminar ndërkombëtar në Sarajevë, para disa viteve, kemi biseduar me disa kolegë të Serbisë dhe unë u kam thënë se duhet t’i përmbahemi parimit, se aty ku krijohen dokumentet, duhet të mbeten. Mirëpo, nga ta nuk morëm kurrfarë përgjigjeje, ngase kjo është një çështje politike, ku vendosin organet më të larta”, u shpreh Osmani.

Historiani kosovar, Frashër Demaj, ndërkohë, thotë se Qeveria e Kosovës duhet t’i bëjë padi ndërkombëtare Beogradit zyrtar për këtë çështje. Ai vlerëson se dëmet që shkaktohen nga mungesa e arkivave, janë të mëdha edhe në aspektin e shtjellimit të historisë.

“Unë mendoj se Qeveria e Kosovës, përmes mekanizmave institucionalë të saj, duke përfshirë këtu dhe faktorin ndërkombëtar, duhet të bëjë presion në formën më të mirë të mundshme, në mënyrë që të detyrohen institucionet serbe që t’i kthejnë ato dokumentacione. Si historian, mendoj se nëse Serbia nuk e kthen atë dokumentacion, atëherë asaj duhet bërë një padi ndërkombëtare”, vlerësoi Demaj.

Mësohet se pjesë e dokumentacionit të zhvendosur në Serbi janë, ndër të tjera, Revizioni i reformës agrare 45/48 – që cilësohet të jetë me rëndësi për çështjet pronësoro-juridike të Kosovës, pastaj tërë arkivi i ish-Sekretariatit të Punëve të Brendshme, një pjesë e dokumentacionit për gjendjen civile, dokumentet e kadastrës, disa dokumente për çështje banesore dhe të tjera.

Mungesa e këtyre dokumenteve, sipas Osmanit, shkakton probleme në shumë rrafshe.

“Shkakton dëm, sepse po lindin shumë probleme rreth çështjeve pronësoro-juridike, rreth çështjeve të shtjellimit të historisë së mirëfilltë...”, tha Osmani.

Çështja e kthimit të arkivave të zhvendosura në Serbi nga Kosova është vlerësuar si e domosdoshme dhe nga Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë, si organ që mbikëqyr zbatimin e pakos së Ahtisaarit.
XS
SM
MD
LG