Ndërlidhjet

“Ban e lavdëron shtetin, s’e harron 6-pikëshin”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
Raporti për Kosovën, të cilin Sekretari Gjeneral i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, pritet ta paraqesë në mbledhjen e radhës së Këshillit të Sigurimit për Kosovën, në fakt duket se është tema qendrore e shtypit të sotëm ditor.


Lidhur me këtë, e përditshmja “Lajm” shkruan “Bani e lavdëron shtetin, s’e harron 6-pikëshin”, duke e cilësuar raportin e kreut të OKB-së për Kosovën si pozitiv për zhvillimet në Kosovë.

Sipas “Lajm”, raporti përmend sfidat me të cilat ballafaqohet UNMIK-u dhe shefi i tij, Lamberto Zannier, pastaj pengesat e funksionimit të EULEX-it në veri, ndërkohë që, sipas kësaj të përditshmeje, ky raport nuk anashkalon, siç thuhet, rezultatin zero të bisedimeve teknike Prishtinë-Beograd për 6-pikëshin.

Kundërshtimin e saj ndaj këtyre bisedimeve, sipas të përditshmes “Koha Ditore” e ka ritheksuar, të enjten, Prishtina zyrtare. Institucionet e Kosovës, sipas kësaj gazete, kanë miratuar pjesën politike të raportit, por kanë kundërshtuar propozimin që përmes dialogut teknik të vihen në jetë gjashtë pikat e propozuara nga Ban Ki Moon.

Në shkrimin në fjalë, citohet kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ta ketë quajtur të vdekur 6-pikëshin, duke shprehur bindjen se ky plan nuk do të jetë as në tryezat kosovare e as ato ndërkombëtare të diskutimit.

Qëndrimi i deritanishëm i Prishtinës zyrtare, në lidhje me marrëdhëniet me Beogradin zyrtar, ishte ndër të tjera dhe këmbëngulja për zbatimin e planit për pavarësi të mbikëqyrur të presidentit Martti Ahtisaari.

Në një vështrim te “Koha Ditore” ky plan cilësohet jo vetëm si një, siç thuhet, lejekalim për shpalljen dhe njohjen e shtetit të Kosovës, por po ashtu thuhet se është një program i veçantë për funksionimin e këtij shteti, i cili, sipas këtij shkrimi, nuk mund të zëvendësohet me një plan tjetër që do të ishte në dëm të shqiptareve.

Në artikullin e saj në lidhje me këtë çështje, gazeta “Express” shkruan se vendimi i Spanjës për të tërhequr kontingjentin ushtarak nga Kosova ka hidhëruar sekretarin e përgjithshëm të NATO-së, Jap De Hoop Scheffer, i cili, sipas kësaj gazete, ka vlerësuar se për vendime të tilla duhet të konsultohet me Këshillin Ushtarak të Aleancës.

Ndërkohë, autoritetet e Kosovës, sipas “Express”, kanë falënderuar Spanjën për kontributin e deritanishëm.

E përditshmja “Zëri” pohon po ashtu se paralajmërimet e shtetit spanjoll për tërheqjen e trupave nga Kosova kanë shqetësuar NATO-n. Sipas kësaj të përditshmeje, fundi i verës së këtij viti duket të jetë koha kur Spanja pritet të tërheqë kontingjentin e vet ushtarak nga Kosova.

E përditshmja “Kosova Sot”, ndërkaq, në shkrimin e saj që trajton këtë temë, vlerëson se tërheqja e trupave ushtarake të Spanjës nga Kosova nuk mund të ndikojë në sigurinë në Kosovë.

Gazetat e sotme në Kosovë flasin po ashtu për vizitën e djeshme të shefit të EULEX-it, Yves De Kermabon, në Beograd.

“Hapi i parë i Kermabonit” është titulli i artikullit të gazetës “Infopress” për këtë vizitë, gjatë së cilës, sipas kësaj të përditshmeje, ish-komandanti francez ka zhvilluar takime me përfaqësues të lartë të Qeverisë së Serbisë, më të cilët, siç thuhet, ka biseduar edhe për disa çështje që lidhen me banorët serbë në Kosovë.

Ndërkohë, e përditshmja “Epoka e re” citon Kermabonin të ketë thënë se bashkëpunimi me Beogradin duhet të zhvillohet me qëllim të luftimit të krimit.
XS
SM
MD
LG