Ndërlidhjet

A e dëmtojnë NATO-n idetë e Francës?


Derisa NATO-ja po përgatitet ta shënojë 60-vjetorin e themelimit të saj, ministri i Mbrojtjes i Francës, Herve Morin, ka sugjeruar që Rusia të konsultohet para çfarëdo zgjerimi të ardhshëm të aleancës dhe të tërhiqet nga ideja, që eventualisht roli i NATO-s të bëhet global, e jo i përqendruar në Evropë. Në këtë aspekt, shtrohet pyetja se a është ky vizion i drejtë për aleancën ushtarake, që ishte krijuar për t’u konfrontuar me sferën e dikurshme në rritje të Bashkimit Sovjetik, apo ky është kapitullim ndaj Moskës?


Për ministrin e Mbrojtjes të Francës, Herve Morin, është shumë e qartë: nuk është e rëndësishme se si ka filluar NATO-ja, ose çka është menduar të jetë ajo, sot aleanca është ajo që ai e cilëson si "instrument i paqeruajtjes dhe sigurisë" jashtë kufijve të aleancës.

Aktualisht ai ka thënë se e kundërshton të ashtuquajturën dinamikë "globale të NATO-s".

Analisti James Phillips, nga Fondacioni Heritage në Uashington, pjesërisht pajtohet me këtë vlerësim. Ai i tha Radios Evropa e Lirë se aleanca duhet të kthehet në statusin fillestar, si një aleancë që fizikisht do të mbrohej nga ndonjë kërcënim i jashtëm, që atëherë konsiderohej Bashkimi Sovjetik. Por, ai thekson se është e rrezikshme që të neglizhohet qëllimi fillestar i NATO-s.

“NATO-ja është aleancë për luftë, e themeluar për ta mbrojtur sigurinë kolektive të anëtarëve të saj. Në vitet e fundit, pjesa më e madhe e operacioneve të saj ishin paqeruajtëse dhe ndërtimi i sigurisë në periudhat pas konfliktit. Megjithatë, mendoj se do të ishte e rrezikshme që të neglizhohet qëllimi fillestar i NATO-s, që është për t'i mbrojtur anëtarët e vet nga agresioni i jashtëm”, thotë analisti Phillips.

Ai, më tutje, thotë se nëse NATO-ja e vazhdon të ashtuquajturën qasje "globale", ajo do të dobësohet.

“Mendoj se, për fat të keq, shumë vende evropiane i kanë degraduar mbrojtjet e tyre, saqë ato i shohin armatat e tyre, në rend të parë, si punonjës socialë. Mendoj se nëse kjo vazhdon deri në një ekstrem, atëherë, për fat të keq, do t'i dobësonte përpjekjet për mbrojtje të aleancës së NATO-s”, thotë analisti Phillips, duke shtuar se nuk pajtohet me sugjerimet e ministrit të Mbrojtjes të Francës, se bashkëpunimi me Moskën, me gjasë, do ta mbajë NATO-n e fuqishme, ndërsa ballafaqimi me të do ta dobësonte aleancën.

Ministi i Jashtëm i Francës, Herve Morin.

Analisti Phillips thotë se një qëndrim i tillë i përgjigjet Rusisë, e cila jo vetëm që e kundërshton zgjerimin e NATO-s, por kërkon që ajo të shkatërrohet. Në këtë aspekt, sugjerimet e ministrit francez, Herve Morin, analisti Phillips i konsideron "kundër-produktive".



Por, analisti Ted Carpenter, nga instuituti CATO në Uashington, thekson se ideja se NATO-ja duhet të bashkëpunojë me Rusinë ishte forcuar në Evropën Perëndimore.

Ai i tha Radios Evropa e Lirë se gjatë një dekade e gjysmë, evropianët hezitonin t'i kundërvihen Rusisë, duke besuar se një sjellje e tillë do të mund të çonte te konfrontimi i ri, i ngjashëm me Luftën e Ftohtë.

Analisti Carpenter thotë se dy valët e para të zgjerimit të NATO-s i kishin dëmtuar shumë raportet ndërmjet Perëndimit e Rusisë, ndërsa, sipas tij, vala e tretë, me synimin që në NATO të anëtarësohen Gjeorgjia dhe Ukraina, mund ta përkeqësojë edhe më tepër situatën.

Ai më tutje shpjegon se shpeshherë, qasja e Perëndimit, në një formë të patronazhit ndaj Rusisë, gjatë viteve të 90-ta, dhe zgjerimi i NATO-s në kufijtë e Rusisë, kanë ndikuar në forcimin e personalitetit të Vladimir Putinit.

“E gjithë kjo i ka goditur elementet demokratike dhe pro-perëndimore në Rusi dhe u ka shkuar për shtati elementeve më nacionaliste-autoritare. Për mua kjo është tragjedi - e cila ka mundur të evitohet - që ka krijuar rritjen e stilit nacionalist të llojit të Putinit. Sigurisht se zgjerimi i NATO-s nuk ishte i vetmi faktor, por ai nuk ishte i parëndësishëm", thotë analisti Ted Carpenter.
XS
SM
MD
LG