Ndërlidhjet

logo-print

Analistët mendojnë se misioni i OKB-së në Kosovë duhet të shkojë drejt, siç e quajnë ata, tkurrjes maksimale. Kjo gjë, sipas tyre, duhet të ndodhë ngase prania e vazhdueshme e këtij misioni po pengon funksionimin e Kosovës si shtet.


Prania e administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, e cila ka vazhduar edhe pas shpalljes së pavarësisë së vendit, sipas analistëve për çështje politike në Prishtinë, po pengon funksionimin e Kosovës si shtet.

Analisti politik, Ramush Tahiri, vlerëson se ekzistimi i UNMIK-ut po krijon një lloj dypushtetësie në vend, marrë parasysh faktin se që nga dhjetori i vitit të kaluar në Kosovë ka filluar punën dhe misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit.

Kundërshtimi i Beogradit zyrtar për shtrirjen e këtij misioni në Kosovë kishte shtyrë Sekretarin Gjeneral të OKB-së, Ban Ki Moon, të krijojë një dokument kompromisi, i cili kishte për qëllim të mundësonte shtrirjen e EULEX-it në njërën anë dhe, në anën tjetër, t’i vazhdonte mandatin UNMIK-ut. Analisti Tahiri sqaron:

“Prezenca e UNMIK-ut pengon Kosovën si shtet i pavarur, sepse shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte llogaritur me një mision tjetër evropian dhe me një mandat tjetër, jo çfarë e ka aktualisht UNMIK-u. Mirëpo, kjo çështje nuk mund të zgjidhej me një rezolutë në Këshill të Sigurimit dhe tash ne formalisht kemi dy pushtete - kemi edhe Rezolutën 1244, e cila nuk është hequr dhe nuk është zëvendësuar, dhe gjithashtu kemi dhe misionin e EULEX-it”, tha Tahiri.

Në dokumentin e kreut të OKB-së të nëntorit të kaluar parashihej gjithashtu zhvillimi i një dialogu teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për çështjet që kanë të bëjnë me policinë, gjykatat, doganat dhe të tjera.

Beogradi zyrtar kishte pranuar zhvillimin e një dialogu me ndërmjetësimin e UNMIK-ut. Një dialog i tillë, ndërkaq, vazhdon të hedhet poshtë nga Qeveria kosovare.

Sidoqoftë, shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, deri para pak ditësh kishte vazhduar përpjekjet e tij për t’i ulur në një tryezë diskutimi të dyja palët, veprime këto të cilat, sipas analistit Driton Lajçi, po dëmtojnë interesin politik të shtetit të Kosovës.

“Qeverinë dhe institucionet e Kosovës është duke i drejtuar në një kahje tjetër, kahje të padëshirueshme, kahje apo orientim që bie ndesh edhe me vullnetin politik të shqiptarëve të Kosovës”, tha Lajçi.

Qeveria e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë dhe që nga operacionalizmi i EULEX-it, nuk kishte preferuar të bashkëpunojë me UNMIK-un, si dhe të respektojë Rezolutën 1244, gjë që, sipas të gjitha gjasave, do të jetë element që ceket dhe në raportin e ardhshëm për Kosovën të numrit një të OKB-së. Lajçi sqaron:

“Zotëri Ban Ki Moon e ka kuptuar se në Kosovë ka një realitet tjetër dhe se roli aktual i UNMIK-ut është i panevojshëm. Unë jam dakord që misioni i Kombeve të Bashkuara të jetë prezent, mirëpo me një mision tjetër, siç është integrimi i minoriteteve në institucionet e Kosovës dhe të tjera”, theksoi Lajçi.

Megjithatë, sipas paralajmërimeve nga zyrtarë të UNMIK-ut, ky mekanizëm do të vazhdojë të jetë i pranishëm në Kosovë për të përfaqësuar, ndër të tjera, Kosovën në forumet e ndryshme ndërkombëtare, ku Kosova akoma nuk njihet si shtet. Kjo gjë, sipas Tahirit, duhet të shfrytëzohet nga institucionet kosovare, por fjala e fundit në organizime të tilla, sipas tij, duhet t’i takojë Kosovës.

“UNMIK-u është prezent në Kosovë dhe është një administrim ndërkombëtar, mirëpo me aktin e Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran, Kosova vetë duhet të pranojë çështjen dhe pikëpamjet e veta dhe jo më UNMIK-u”, tha Tahiri.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG