Ndërlidhjet

logo-print
Zyrtarë të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë bëjnë të ditur se numri i armëve ilegale në Kosovë vazhdon të jetë i madh. Ata konsiderojnë se me miratimin e ligjit për armët nga Parlamenti i Kosovës, gjërat në këtë drejtim do të përmirësohen.

Ndryshe, autoritetet e rendit bëjnë të ditur se nga përdorimi i armëve pa leje, shumë njerëz kanë humbur jetën.

Rreth 300,000 armë të ndryshme ilegale gjenden në duart e kosovarëve. Kështu bëjnë të ditur zyrtarë të Policisë se Kosovës dhe zyrtarë të UNDP-së.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, thotë se ky numër i të dhënave vjen nga hulumtimet e bëra nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara.

“Nga hulumtimet që janë bërë nga UNDP-ja, e jo nga Policia e Kosovës, flitet për rreth 300,000 armë ilegale nëpër duart e qytetarëve kosovarë. Policia ka pasur plane të ndryshme operative për konfiskimin e këtyre armëve që paraqesin rrezik permanent për jetën e qytetarëve”, tha Beka.

Zëdhënësi Beka thotë se policia ka pasur disa aksione, përmes të cilave ka dërguar apele për ndalimin e përdorimit të armëve. Ai po ashtu thekson se policia, në bashkëpunim me UNDP-në, ka bërë kampanjën “Festo me zemër, e jo me armë”, pas disa incidenteve tragjike në festa të ndryshme.

“Policia disa herë ka bërë apel te qytetarët që të kenë kujdes dhe të mos përdorin armët. Kemi pasur edhe fushata të ndryshme, siç ka qenë ajo e përbashkëta me UNDP-në ‘Festo me zemër, e jo me armë”, pas disa incidenteve që kanë ndodhur nëpër ahengje të ndryshme, ku, si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit ka pasur persona të lënduar, por, fatkeqësisht, ka pasur edhe persona që e kanë humbur jetën”, tha Beka.

Nga ana tjetër, zyrtarët e UNDP-së thonë se arsyet pse kosovarët mbajnë armë pa leje, janë të ndryshme. Por, Alain Lapon, menaxher i projektit “Nisma për kontrollin e armëve të vogla”, konsideron se me miratimin e ligjit për armëmbajtje do të rregullohen shumë gjëra.

“Ajo çka është me rendësi, është se tanimë e kemi draft-ligjin për armëmbajtje, i cili duhet të kalojë në Kuvend. Ky ligj do të mundësojë që armët e paligjshme të largohen nga duart e qytetarëve. Gjithashtu, ne mendojmë se në një të ardhme, me miratimin e ligjit, qytetarët mund t’i dorëzojnë armët pa kurrfarë ndëshkimi”, tha Lapon.

Në aksionin e policisë më 13 mars, janë arrestuar dy shqiptarë në Skenderaj, pasi tek ta është gjetur një sasi e madhe e armatimit pa leje – ndër të tjera u është gjetur eksploziv, një pushkë automat, snajper M – 76, minë anti-tank.

Që armët pa leje janë në duar të qytetarëve, pa marrë parasysh se të cilit nacionalitet, tregojnë rastet fatkeqe, incidentet dhe konfiskimet. Kështu më 5 mars, dy të mitur serbë nga Graçanica janë lënduar lehtë kur në shtëpinë e njërit nga ta kanë aktivizuar një granatë dore.

Tradita e frikës, mosbesimi tek institucionet e dikurshme, si dhe tradita bashkëkohore, janë disa nga arsyet pse qytetarët e Kosovës mbajnë armë në mënyrë të paligjshme, thonë autoritetet kosovare.

Ato theksojnë se ulja e numrit të mbajtjes së armëve nga qytetarët është sfidë për Kosovën. Të shumtë janë ata që konsiderojnë se zgjidhja është në legalizimin, në mënyrë që njerëzit që posedojnë armë, do ta merrnin përgjegjësinë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG