Ndërlidhjet

Hyseni: Do kërkoj shuarjen e UNMIK-ut


Skënder Hyseni
Skënder Hyseni

“UNMIK-u duhet ta përmbyllë misionin në Kosovë dhe gjithsesi ne do të kërkojmë që rikonfigurimi i UNMIK-ut të përmbyllet sa më parë që të jetë e mundur”, thotë për radion Evropa e Lirë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni.


RADIO EVROPA E LIRË

Zoti ministër, fillimisht çka do të përmbajë raporti juaj që do ta paraqisni në Këshillin e Sigurimit?

SKËNDER HYSENI
Raporti do të përqendrohet kryesisht në të arriturat dhe në zhvillimet në Kosovë në mes të dy seancave të Këshillit të Sigurimit për Kosovën; do të flas pak më në detaje për të gjitha zhvillimet kryesore, e të tilla ka mjaft.

Në këtë periudhë kemi pasur aprovim të një numri të madh të ligjeve për ndërtimin e institucioneve të pavarura të shtetit të Kosovës, pastaj kemi pasur themelimin e një numri institucionesh shumë të rëndësishme, që ndonjëherë unë i quaj palcë kurrizore e shtetit, siç është Shërbimi Inteligjent, Këshilli i Sigurisë i Kosovës, pastaj Ministria e Mbrojtjes ose Ministria e Forcës së Sigurisë e kështu me radhë.

Po kështu, do të përqendrohem edhe në gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Kosovë, duke vënë theksin te gjendja e sigurisë dhe gjendja përgjithësisht në veri të Kosovës dhe në ato pjesë të shtetit të Kosovës, ku ende nuk ka një kontroll të plotë dhe të mirëfilltë të institucioneve në tërësi. Kjo do të jetë pak a shumë përmbajtja e fjalës sime në Nju Jork.

RADIO EVROPA E LIRË
A është e vërtetë se do të kërkoni shuarjen e UNMIK-ut?

SKËNDER HYSENI
Ju e dini që ka kohë që është qëndrim i institucioneve të Kosovës që UNMIK-u duhet ta përmbyllë misionin në Kosovë dhe gjithsesi ne do të kërkojmë që rikonfigurimi i UNMIK-ut të përmbyllet sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që EULEX-i të bëhet plotësisht operacional në të gjithë Kosovën, e në veçanti në veri, sepse në veri kemi një status-quo, e cila duhet përfundimisht të thyhet, një status-quo që duhet përfundimisht të ndryshojë për së miri.
Në veri kemi një status-quo, e cila duhet përfundimisht të thyhet...

Veriu është shndërruar në oazë krimesh të natyrave të ndryshme, sidomos trafikim të llojeve të ndryshme, dhe nga e gjithë kjo pëson në mënyrë të vrazhdë ekonomia e Kosovës, pësojnë të hyrat për shtetin e Kosovës, për buxhetin e Kosovës.

Kjo gjendje duhet të ndryshojë me përpjekje të përbashkëta të institucioneve të Kosovës, të EULEX-it, të Zyrës Civile Ndërkombëtare, të KFOR-it dhe natyrisht të të gjithë pranisë ndërkombëtare, e cila është e interesuar që ta ndryshojë gjendjen në veri në mënyrë rapide, natyrisht kujdesshëm, por ka nevojë të ndryshohet gjendja për të mirën e të gjithë qytetarëve; unë do të thosha në rend të parë për të mirën edhe të qytetarëve serbë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, si e vlerësoni raportin tashmë të publikuar të Ban Ki Moonit mbi gjendjen në Kosovë?

SKËNDER HYSENI
E kam lexuar me kujdes raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, është i balancuar. Më shumë do të thosha se është një përmendje taksative e zhvillimeve në Kosovë. Më tepër është një konstatim i një gjendjeje. Gjithsesi që konstatimi që UNMIK-u shihet si pengesë për funksionimin e institucioneve shtetërore të Kosovës – është konstatim i Sekretarit të Përgjithshëm.
Kosova ka nevojë për qartësim të plotë të pranisë ndërkombëtare dhe të mandatit që ka secila prani ndërkombëtare.

Ne themi në vazhdimësi se Kosova ka nevojë për qartësim të plotë të pranisë ndërkombëtare dhe të mandatit që ka secila prani ndërkombëtare, sepse ka pasur një periudhë bukur të gjatë që mandatet dhe pranitë ndërkombëtare janë ngatërruar dhe ka qenë krijuar një konfuzion i madh se cilat janë në të vërtetë pranitë ndërkombëtare që kanë mandat për të mbikëqyrur Kosovën, kanë mandat për të vepruar në fusha të caktuara në Kosovë, e cilat nuk janë.

Kosova ka nevojë për këtë qartësim përfundimtar, në mënyrë që të mund të funksionojë, të dihet çka. Misioni i EULEX-it, përkatësisht Zyra Civile Ndërkombëtare, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, janë ftuar në Kosovë nga institucionet e Kosovës, nga organet sovrane dhe të pavarura të shtetit të Kosovës për të mbikëqyrur zbatimin në rend të parë të pakos dhe planit të presidentit Ahtisaari.

Gjithsesi që kjo prani, EULEX-i sidomos, ka një rol për të luajtur edhe në fushën e rendit dhe të ligjit, siç është paraparë në dispozitat në pakon e Ahtisaarit.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë prisni se do të ndodhë në Këshillin e Sigurimit – do të mbështetet raporti i Ban Ki Moonit, i cili edhe më tej i lë disa përgjegjësi të dërguarit të tij, e sidomos kur është fjala për bisedimet mbi 6-pikëshin?

SKËNDER HYSENI

Përfundimisht duhet të kuptohet se 6-pikëshi, sa i përket Kosovës, ka qenë inekzistent dhe është inekzistent. Nuk pres ndonjë rrjedhim shumë specifik, shumë të veçuar nga ky sesion i radhës i KS-së. Gjithsesi nuk pres që do të refuzohet raporti i Sekretarit të Përgjithshëm, sepse kjo nuk ka ndodhur pothuajse asnjëherë në rastin e Kosovës.

Mirëpo, pres diskutime konstruktive nga pjesa më e madhe e anëtarëve të KS-së, duke përfshirë edhe pjesën dërrmuese të anëtarëve të përhershëm, pres një afirmim të të arriturave në Kosovë, pres një përkrahje për Kosovën, pres gjithsesi një pranim se në Kosovë ka pasur progres dhe se Kosova po e ndërton shtetin e vet në mënyrë të qëndrueshme dhe të sigurt.
XS
SM
MD
LG