Ndërlidhjet

Zgjedhje të qeta në Maqedoni


Zgjedhjet presidenciale dhe lokale në Maqedoni kanë kaluar qetë dhe pa incidente. Vlerësime pozitive për procesin zgjedhor dhanë edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara.


Procesi zgjedhor në Maqedoni është mbyllur në orën 19, 12 orë pas fillimit të votimit, kryesisht në një atmosferë të qetë dhe pa incidente.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka kumtuar se procesi zgjedhor, për shkak të motit të keq, nuk është realizuar në 103 vendvotime, që përfshijnë 3 për qind të trupit elektoral. Deri në orën 17, jehona e votuesve ka qenë mbi 48 për qind.

“KSHZ vlerëson se procesi zgjedhor në tërë territorin e Maqedonisë është realizuar në një atmosferë të qetë dhe pozitive, përpos ca vështirësive teknike të shkaktuara nga moti me borë në vendbanimet malore", tha pak pas përfundimit të procesit zgjedhor, kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Novakoski .

"Most" gjatë konferencës për shtyp
Organizata joqeveritare MOST, që ka përcjellë votimin me 3,700 vëzhgues, ka evidentuar çregullime të vogla të procesit zgjedhor në dhjetëra vendvotime të tipit votim pa kartë identifikimi, mungesë të materialit zgjedhor, si dhe agjitim pranë objekteve ku votohet, ka theksuar zëdhënësja e kësaj organizate, Sllavica Bilajarska.

Edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët kanë ndjekur procesin zgjedhor, i kanë vlerësuar si pozitive zgjedhjet e sotme presidenciale dhe ato lokale.

Ambasadori i BE-së, Ervan Fuere, i impresionuar nga koha, këto zgjedhje i ka quajtur të “bardha si bora”.

“Nga ajo që pamë duket se gjithçka është në regull; janë bërë përpjekje të mëdha nga ana e këshillave vendore që procesi zgjedhor të fillojë me kohë dhe mbarëvajtja të jetë e kënaqshme”, tha ambasadori i BE-së, Ervan Fuere.

Për një proces të mirë zgjedhor është shprehur dhe ambasadori i SHBA-ve, Filip Riker, i cili ka vëzhguar realizimin e zgjedhjeve në rajonin e Tetovës.

“Deri më tani është mirë; kjo është demokracia dhe kjo është ajo që çdo shtetas i Maqedonisë dëshiron dhe meriton”,
ka deklaruar ambasadori i SHBA-ve, Filip Riker.

Kandidatët presidencialë kanë deklaruar se zgjedhjet presidenciale dhe lokale janë një test i rëndësishëm për demokracinë e vendit dhe për ardhmërinë euroatlantike të Maqedonisë.

“Prej këtyre zgjedhjeve varet e ardhmja evropiane e Maqedonisë dhe ne, me sjelljen tonë të përgjegjshme, kontribuojmë për perspektivat evropiane të Maqedonisë dhe të plotësojmë atë që pritet prej nesh”, tha Gjorgji Ivanov, kandidat i VMRO-DPMNE-së.

Kandidati i Lidhjes Sociademokrate të Maqedonisë, Lubomir Ferçkovski, u shpreh se zgjedhjet duhet të jenë demokratike.

“Presim që të kemi zgjedhje të lira dhe të qeta. Kemi dy koncepte të ndryshme se si Maqedonia duhet të lëvizë në të ardhmen. Mendoj se qytetarët do të zgjedhin atë që mendojnë se është më mirë për ta“, tha Ferçkovski.

Kandiadti i BDI-së, Agron Buxhaku, deklaroi se zgjedhjet ishin shumë demokratike.

“Pres ashtu siç ka qenë deri më tani - përkrahje për BDI-në dhe për mua personalisht, dhe jam i bindur në fitoren time në vendlindjen time, në Dibër“, ka thënë ai.

Ndërsa, kandidati presidencial i Demokracisë së Re, Imer Selmani, shpreson se në këto zgjedhje qytetarët kanë votuar duke i tejkaluar dallimet etnike.

"Sot besoj se do të fitojë demokracia e vërtetë në Maqedoni, sot besoj se do të thyhen tabuhat etnike, sot besoj se do të votohet për ofertën më të mirë në këto zgjedhje presidenciale dhe lokale dhe besoj se Republika e Maqedonisë do të dalë fituese. Kurse, nënkuptohet, ai që do të ketë përkrahjen e shumicës së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, do të jetë edhe fitues“,
deklaroi Selmani.

Kandidatja e Partisë Demokratike Shqiptare, Mirushe Hoxha, tha se dita e zgjedhjeve është ditë e demonstrimit të vlerave demokratike.

“Sot është një ditë solemne dhe shpresoj që zgjedhjet të kalojnë në frymë dhe atmosferë fer dhe demokratike, të përpiqemi të gjithë që ta krijojmë këtë atmosferë“, tha Hoxha.

Ngjashëm u shpreh edhe kandidati liberal-demokrat, Nano Ruzhin.

“Votova për Republikën e Maqedonisë; le të jenë zgjedhjet korrekte dhe demokratike, le të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s“, tha Ruzhin.

Kandidati i pavarur, Lube Boshkovski, deklaroi se Maqedonia me këto zgjedhje e kaloi provimin e demokracisë.

“Sipas të gjithë analistëve vendas dhe sipas opinionit ndërkombëtar, posaçërisht Bashkimit Evropian, zgjedhjet janë një provim i demokracisë maqedonase. Unë mendoj dhe jam i bindur se e kemi kaluar provimin“, tha Boshkovski.

Zgjedhjet për president për herë të parë mbahen sipas Kodit të ri zgjedhor. Për kryetar do të zgjedhet kandidadti që sot do të fitojë shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të votuesve të evidentuar në listën zgjedhore.

Nëse asnjëri nuk e merr shumicën e nevojshme, pas 14 ditësh do të organizohet raundi i dytë, në të cilin do të shkojnë dy kandidatët që kanë marrë më shumë vota. Do të fitojë ai që do të marrë më shumë vota, por me kusht që në zgjedhje të dalin së paku 40 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve në Maqedoni.
XS
SM
MD
LG