Ndërlidhjet

“Në KS përballen për UNMIK-un”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
Në lidhje me skenarin eventual të rrjedhës së takimit të sotëm për Kosovën të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, gazetat e përditshme kosovare, në esencë, duket se pasqyrojnë pritjet për një ecuri pothuaj të njëjtë në këtë mbledhje.


Pas njoftimeve të palës kosovare, sipas të cilave kërkesë kryesore, e cila do t’i adresohet Këshillit të Sigurimit, do të jetë kërkesa për shuarjen e misionit të OKB-së në Kosovë, shtypi i sotëm ditor paralajmëron, siç thuhet, përplasje ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe pikërisht për këtë çështje.

Kështu gazeta “Express” shkruan se kërkesës së Prishtinës zyrtare për përmbylljen e mandatit të UNMIK-ut, do t’i përgjigjet pala serbe me një qëndrim të kundërt rreth kësaj çështjeje.

Mirëpo, OKB-ja, sipas “Express”, nuk planifikon të tërhiqet krejtësisht nga Kosova, por do të reduktohet, siç thuhet, deri në 90 për qind në krahasim me qershorin e vitit të kaluar.

Në editorialin e “Express”, raporti i fundit për Kosovën i Sekretarit Gjeneral të OKB-së, Ban Ki Moon, të cilin ky i fundit pritet ta paraqesë para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, dëshmon, sipas shkrimit, që UNMIK-u dhe OKB-ja janë shndërruar në përshkrues pasivë të rrjedhave në Kosovë.
Sipas këtij shkrimi, raporti i kreut të OKB-së bën një përshkrim për zhvillimet në Kosovë, duke u shprehur në trajtë të pamundësisë së parashikimeve, siç thuhet, për zhvillimet e ardhshme në Kosovë, në tri rrafshe: në raportet midis Kosovës dhe Serbisë, pastaj në relacionet midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, si dhe në marrëdhëniet midis kosovarëve dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë.

E përditshmja “Lajm”, ndërkaq, në një artikull të sajin, duke cituar përfaqësues të skenës politike në Kosovë, thekson se zhvillimet politike dhe juridike që kanë ndodhur në Kosovë nga 17 shkurti i vitit 2008, kanë bërë që UNMIK-u të jetë i panevojshëm dhe misioni i tij i pamundur të funksionojë në Kosovë.

Është fakt që paralajmërimet e Madridit zyrtar për tërheqjen e trupave të tij nga KFOR-i, kishin nxitur reagime të shumta sikurse në Aleancën Veri-atlantike, po ashtu dhe në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.

Pas këtyre reagimeve, të paktën kështu pohon shtypi i sotëm ditor, duket se Spanja ka zbutur qëndrimin e saj, duke mos e ndryshuar tërësisht vendimin.

Sipas të përditshmes “Kosova Sot”, Spanja do të jetë fleksibile sa i përket kohës se kur do t’i tërheqë trupat e saj. Shteti spanjoll, sipas artikullit të kësaj gazete për çështjen në fjalë, është i gatshëm të presë dhe 18 muaj nëse kjo gjë i kërkohet nga NATO-ja.

Po për të njëjtën periudhë kohore, në të cilën pritet të nisë tërheqja e kontingjentit ushtarak spanjoll nga Kosova, shkruan dhe e përditshmja “Zëri”, sipas së cilës, brenda periudhës 18-mujore mund të nisë ky proces.

Gazeta “Express”, në një koment të sajin, shkruan se bazuar në paralajmërimet e Spanjës për tërheqje të trupave nga Kosova, si dhe në deklaratat e zyrtarëve spanjollë se kurrë nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës, bëjnë që Spanja në kuadër të Bashkimit Evropian, të marrë rolin që ka Rusia në Këshill të Sigurimit.

Duket se pjesa veriore e Kosovës, përkatësisht shtrirja e autoritetit në atë pjesë, pastaj dhe luftimi i strukturave paralele, vazhdojnë të sfidojnë institucionet kosovare. E përditshmja “Koha Ditore” madje shkruan se pakoja e Ahtisaarit rrezikohet të dështojë në veri, marrë parasysh, siç shkruan kjo gazetë, telashet ekzistuese në krijimin e komunës së veriut sipas Planit Ahtisaari.

Në një intervistë dhënë për “Koha Ditore”, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, vlerëson se në veri po cenohet sovraniteti.

Në një artikull të së përditshmes “Bota Sot”, ndërkohë, citohen përfaqësues të partive në pushtet, si dhe atyre opozitare, të jenë shprehur kundër bisedave më përfaqësues të strukturave paralele serbe, të cilat, sipas tyre, do të shkatërronin sovranitetin.
XS
SM
MD
LG