Ndërlidhjet

Kërkesat për OKB-në


OKB
OKB

Autoritetet në Prishtinë presin që Këshilli i Sigurimit të njohë realitetin e ri në Kosovë dhe t’i japë fund misionit të UNMIK-ut. Ata vlerësojnë se UNMIK-u nuk mund të funksionojë më në Kosovë, kur atje janë krijuar institucionet e shtetit të pavarur e sovran.

Institucionet dhe përfaqësuesit politikë të Kosovës presin nga Këshilli i Sigurimit të miratojë kërkesën kosovare për t’i dhënë fund misionit të UNMIK-ut.

Sipas përfaqësuesve në Prishtinë, administrata e Kombeve të Bashkuara ka luajtur një rol të rëndësishëm që nga qershori i vitit 1999 e këndej, por tash në Kosovën e pavarur dhe në kohën e pranisë së misionit të EULEX-it, UNMIK-u dhe Rezoluta 1244 shihen si të tepërta për rrethanat e reja të krijuara.

Zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, vlerëson se në rrethanat e reja në Kosovë, UNMIK-u nuk mund të funksionojë, pasi që janë institucionet vendore ato që duan ta udhëheqin dhe ta marrin në duart e tyre fatin dhe të ardhmen e Kosovës.

“Presidenti Sejdiu disa herë ka bërë thirrje që misioni i UNMIK-ut të përmbyllet; të përmbyllet si një mision i suksesshëm, i cili ka bërë punë të rëndësishme në Kosovë. Në rrethana të reja në Kosovë, sidomos pas pavarësimit të saj dhe njohjes së gjerë ndërkombëtare të Kosovës, kërkohet që institucionet e vendit të kërkojnë dhe marrin përgjegjësitë në duart e veta dhe të vendosin për fatin e vendit”, tha Beqiri.

Edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se UNMIK-u është dashur që nga shpallja e pavarësisë ta konsiderojë të përmbyllur misionin e vet në Kosovë. Sipas Haradinajt, OKB-ja mund të ruajë një prezencë në Kosovë, por pa përgjegjësi ekzekutive e administrative.

“Ne jemi deklaruar me kohë se UNMIK-u, më 17 shkurt 2008, e ka përmbyllur misionin e vet. Është për keqardhje pse vazhdon të mbetet gjendja e tillë çfarë është. Duhet ta përmbyllë misionin e formës çfarë e ka pasur”.

“Por, nëse OKB-ja është e interesuar t’i përcjellë zhvillimet në Kosovë me ndonjë prezencë monitoruese ose me ndonjë prezencë të ekspertizës së caktuar, ne e mirëpresim, sepse synojmë të jemi anëtare e OKB-së. Në mbledhjen e KS-së, mendojmë se është mirë që definitivisht po prezantohet situata e re në Kosovë”, thotë Haradinaj.

Po ashtu, edhe Qeveria e Kosovës pret që vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit ta kuptojnë rëndësinë e shfuqizimit të Rezolutës 1244.

Qeveria e Kosovës

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, thotë se shfuqizimi i kësaj rezolute nuk e implikon misionin e EULEX-it, i cili po ashtu është vendosur në Kosovë me 1244-shin, pasi që ky mision është ftuar nga Prishtina zyrtare dhe ka miratimin e Bashkimit Evropian.



“Më e mira do të ishte që Rezoluta 1244 të abrogohej apo zëvendësohej nga një tjetër. Por, sidoqoftë, vlera e saj tashmë absolutisht është inekzistente, sepse realiteti në terren është krejt tjetër”.


“EULEX-i është këtu me ftesën e institucioneve të Kosovës; mandati i EULEX-it buron nga plani i përbashkët i veprimit i Bashkimit Evropian dhe nga Kushtetuta e Kosovës dhe nuk është e mundur që asnjë mision që funksionon në Kosovë, të jetë indiferent ndaj këtyre fakteve”, tha Krasniqi.

Kërkesa e kosovarëve për t’i dhënë fund UNMIK-ut shprehet përmes ministrit të Jashtëm, Skënder Hyseni, i cili përfaqëson Kosovën në sesionin e Këshillit të Sigurimit.

Kjo është potencuar edhe në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, i cili thotë se Prishtina insiston në fundin e UNMIK-ut dhe moszbatimin e Rezolutës 1244 për t’i dhënë hapësirë funksionimit të shtetit të Kosovës.
XS
SM
MD
LG