Ndërlidhjet

Politika pengon luftën kundër krimit të organizuar?


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Bashkëpunimi mes mekanizmave të sigurisë të shteteve të rajonit, sipas pjesëmarrësve në konferencën rajonale të policisë, përmendet si parakusht për të arritur progres në sundimin e ligjit në këto vende.

Lufta kundër krimit të organizuar, kontrabandës, terrorizmit dhe dukurive të tjera negative që sfidojnë sundimin e ligjit në Kosovë, mund të arrihet vetëm përmes një bashkëpunimi rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit.

Kështu u tha në konferencën e parë rajonale të Shefave të Policisë, e cila u mbajt në Prishtinë, me qëllim të ndërtimit të kapaciteteve të policisë në rajon.

Qeveria e Kosovës u zotua se do të jetë e gatshme për një bashkëpunim me të gjitha vendet e rajonit, duke marrë pjesë në nisma të ndryshme që kanë për qëllim ruajtjen e stabilitetit, siç thuhet, dhe avancimin e sundimit të ligjit.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi se bashkëpunimi edhe me Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën - si dy vende që akoma nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, do të jetë i domosdoshëm në këtë drejtim.

“Lufta kundër kontrabandës, kundër korrupsionit, kundër dukurive negative, kundër ekonomisë joformale, kundër terrorizmit, është pjesë e vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë -edhe e Bosnjës, edhe e Serbisë, e që janë në proces të vetëdijesimit për njohjen e Kosovës si shtet”.

“Prandaj, në kuadër të kësaj, edhe pse ende nuk ka ndodhur njohja reciproke, Qeveria e Republikës së Kosovës ka vullnet që të bashkëpunojë në këtë drejtim me këto vende”, u shpreh kreu i ekzekutivit kosovar.

Suksesi në luftën kundër krimit të organizuar në Kosovë, sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, do të ishte më i madh po qe se Kosova do të merrte pjesë në nisma të ndryshme rajonale, si në të ashtuquajturën “Front Ex”, në Këshillin për Bashkëpunim rajonal në Sarajevë dhe të tjera.

Ministri Pajaziti sqaroi punën e ekzekutivit kosovar në luftën kundër krimit të organizuar, e cila, siç theksoi ai, do të vazhdojë të jetë prioritet në punën e Qeverisë.

Në këtë kuadër, Qeveria jonë ka mandatuar Ministrinë e Punëve të Brendshme për hartimin e politikave strategjike, me qëllim të adresimit të kërcënimeve të sigurisë nacionale. Tashmë, jemi në finalizimin e strategjisë kundër krimit të organizuar dhe asaj kundër terrorizmit, që do të adresojnë këto kërcënime në nivel vendi dhe atë në aspektin trans-nacional”, tha ministri Pajaziti.

Mirëpo, ekspertët për çështje të sigurisë në Prishtinë vlerësojnë se mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha shtetet e rajonit vështirëson bashkëpunimin në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar.
Eksperti për çështje të sigurisë, Nuredin Ibishi, sqaron mendimin e tij:

“Mosnjohja e statusit të Kosovës pengon në shkëmbimin e informatave dhe krijimin e një memorandumi të mirëkuptimit apo bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar të vendeve fqinje, por edhe në rajon”, konsideroi Ibishi, i cili sugjeroi se institucionet kosovare duhet t’i kalojnë barrierat e bashkëpunimit, siç i quan ai, përmes bashkëpunimit të mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë në Kosovë me vendet që nuk e kanë njohur Kosovën.

Angazhimi i misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit -EULEX, sipas Ibishit, mund të jetë ndihmues në këtë drejtim.

Ndryshe, sundimi i ligjit në Kosovë, sipas ekspertëve, vazhdon të jetë sfidë sikurse për mekanizmat vendorë, po ashtu dhe për ata ndërkombëtarë të sigurisë.
XS
SM
MD
LG