Ndërlidhjet

EULEX-i demanton mediat serbe, të cilat kanë cituar kreun e këtij misioni, Yves de Kermabon, të ketë thënë se po shqyrton edhe mundësinë e aplikimit të ligjeve serbe në veriun e vendit. Megjithëkëtë, ka disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, që besojnë se EULEX-i tashmë po zbaton ligjet serbe.



Zyrtarë të EULEX-it kanë thënë se Yves de Kermabon është keqinterpretuar, kur është cituar të ketë thënë se EULEX-i është duke kërkuar një zgjidhje pragmatike në lidhje me ligjet e aplikueshme dhe se për këtë çështje është i gatshëm të marrë në konsideratë të gjitha propozimet, duke përfshirë edhe ato që dëgjohen nga Beogradi, për të zbatuar ligjin serb në pjesën veriore të Kosovës.

Zëdhënësi i EULEX-it, Kristophe Lamfalussy, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se ajo që ka deklaruar Kermabon gjatë vizitës në Beograd, “është larg së thëni se ligjet serbe duhet të aplikohen në veriun e vendit”.

Por, nga përgjigjet origjinale të dërguara nga Lamfalussy, Kermabon - i pyetur nëse është i hapur për të gjitha mundësitë në lidhje me aplikimin e ligjeve, citohet të ketë thënë:

Yves de Kermabon

"Jam i hapur për të gjitha mundësitë që janë në pajtueshmëri me gjyqësorin, në mënyrë që të kemi një drejtësi të pavarur, e cila punon për interesin e popullatës”,
ka deklaruar Kermabon për televizionin serb - B92.




Në të vërtetë, ligjet e aplikueshme mbesin një problem në vete për misionin evropian në Kosovë. Derisa institucionet e Kosovës insistojnë që të përdoren vetëm ligjet që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës, zyrtarët e EULEX-it preferojnë të heshtin dhe të mos deklarohen qartë në lidhje me këtë çështje.

Ndërkohë, ligjvënësit kosovarë nuk dinë saktë se çfarë ligjesh po aplikon EULEX-i. Nait Hasani, nga Grupi Parlamentar i PDK-së, beson se misioni evropian është duke lëshuar pe dhe në veri po aplikon ligjet serbe.

“Ligjet serbe në veri janë aplikuar deri më tani, janë ende të aplikueshme dhe po aplikohen në veri, edhe nga EULEX-i”, thotë Hasani, të cilin për këtë çështje e bën të besojë mosprania e gjyqtarëve shqiptarë në gjykatat që gjenden në veriun e vendit.

Në raportin e tij të fundit, që u është dërguar anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, ka thënë se EULEX-i po vepron brenda kornizave të Rezolutës 1244 dhe nën autoritetin e plotë të OKB-së.

Ai po ashtu ka saktësuar se në lëmin e drejtësisë, përfaqësuesi i tij special ka ndërmarrë hapa për të siguruar që caktimi i gjykatësve dhe prokurorëve të EULEX-it të bëhet nën autoritetin e tij dhe në përputhje me ligjet e aplikueshme nën Rezolutën 1244.

Deputeti nga radhët e Aleancës Kosova e Re, njëherësh ekspert për çështje ligjore, Riza Smaka, thotë se EULEX-i esencialisht, deri më sot, po vazhdon politikën e UNMIK-ut.

“Realiteti është ky - sipas Banit, UNMIK-u është ai që duhet të jetë institucion valid, legal, i instaluar ndërkombëtarisht në Kosovë, ndërsa EULEX-i nuk e ka mbështetjen e KS të OKB-së. Kësisoj, deri më tash edhe po veprohet në këtë hierarki: UNMIK-u i pari, EULEX i dyti dhe EULEX në funksion të realizimit të dispozitave, provizioneve juridike të UNMIK-ut”, u shpreh Smaka.

Kuvendi i Kosovës
Ligjvënësit kosovarë thonë se kanë kërkuar që në Kosovë të gjejë zbatim vetëm Kushtetuta.

“Ne kemi kërkuar edhe si Kuvend, edhe si Grup Parlamentar i PDK-së, por edhe si Qeveri, edhe nga kryeministri, edhe nga presidenti, të kërkojnë nga EULEX-i që vetëm Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet e Republikës që dalin nga Kushtetuta, të zbatohen në Kosovë, në gjithë territorin e saj, sepse edhe pjesa veriore është pjesë e Kosovës”, thotë Nait Hasani.

Në anën tjetër, Riza Smaka, thotë se aplikimi i ligjeve nga ana e EULEX-it është politizuar.

“Natyrisht, këtu kemi të bëjmë me çështje politike. Ka kompromise joparimore, inkonsistente. Nëse do të shkohej sipas parimit të legalitetit, EULEX-i do të duhej të ushtronte monitoringun dhe mentoringun, t’i aplikonte aktet ligjore te miratuara konform propozimit të Ahtisaarit”, tha Smaka.

Kreu i misionit evropian për sundimin e ligjit, Yves de Kermabon, ka pranuar se EULEX-i në Kosovë vepron në bazë të Rezolutës 1244.

Ekspertët për çështje ligjore thonë se kjo situatë konfuze do të vazhdojë deri në kohën sa nuk shfuqizohet Rezoluta 1244. Ndërkohë, me kornizat e ndryshme ligjore në fuqi, shndërrimi i Kosovës në një shtet ligjor, për të cilin lypset ndihma e EULEX-it, sipas ekspertëve, duket të jetë i largët.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG