Ndërlidhjet

Liria e kontrabandimit në Kosovë


Zyrtarë të Doganave të Kosovës dhe përfaqësues të bizneseve kosovare thonë se aktualisht kontrabandimi i mallrave po zhvillohet më së shumti në portën 1 dhe 31 në kufi me Serbinë dhe në rrugë tjera alternative, siç janë rrugët anësore të pikave kufitare, dhe përmes hekurudhave.

Përfaqësues të Aleancës Kosovare të Biznesit vlerësojnë se nëse do të kishte një kontroll të duhur në të gjitha pikat doganore, të hyrat doganore do të rriteshin dhe do të kishte rënie të kontrabandës.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se përveç kontrabandës që bëhet përmes pikave kufitare dhe rrugëve anësore, mundësitë janë shumë të mëdha për kontrabandë të mallit edhe përmes vijave hekurudhore.

Sipas tij, hapësira e mjaftueshme për zhvillimin e ekonomisë ilegale po ndikon negativisht në bizneset kosovare, si dhe në buxhetin e konsoliduar të Kosovës.

“Në Kosovë, kontrabanda mund të zhvillohet lirshëm, pasi që kontrollimi i kufirit të Kosovës nuk është në nivelin e duhur. Duhet bërë kontrollimin edhe të rrugëve tjera alternative, siç janë rrugët anësore të pikave kufitare, pasi që mundësitë për kontrabandim të mallrave në këto pika janë shumë të mëdha”, thotë zoti Shahini.

Shqetësues në këtë aspekt, sipas Shahinit, është fakti se mallrat që hyjnë në Kosovë e që nuk i nënshtrohen asnjë kontrollimi, përveç që konsiderohen ilegale, mund të rrezikojnë edhe shëndetin e qytetarëve, për shkak se, siç thotë ai, shumë prej tyre janë me afat të skaduar.

Megjithatë, ai thekson se malli i kontrabanduar është 80 për qind më i lirë se malli që iu nënshtrohet proceduarve të rregullta doganore. Zoti Shahini thekson se për shkak të interesave të individëve të caktuar, ky mall shumë lehtë mund ta mbulojë edhe tregun kosovar.

Ndërkaq, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se mallrat që kontrabandohen më së shumti, janë mallrat që kanë edhe akcizë, pasi që përftimi nga kontrabandimi i këtyre mallrave, është më i lartë.

Ndërkaq, sa i përket rrugëve që më së shumti përdoren nga kontrabanduesit, zoti Stavileci shpjegon:

“Në përgjithësi, në Kosovë ka rrugë të shumta për kontrabandim, pasi që kemi një kufi, i cili shtrihet përmes tokës, dhe kjo mundëson kontrabandim, si dhe rrugët sekondare që i përdorin. Për momentin, kontrabandimi më i madh bëhet përmes pjesës veriore të Kosovës”.

Sa u përket humbjeve që mund të shkaktohen nga kontrabandimi i mallrave, zoti Stavileci thotë se që nga vendosja e EULEX-it, ka pasur një ulje relativisht të madhe.

“Vlerat e humbjeve potenciale gjatë vitit 2009 krahasuar me vitin 2008 janë shumë të ulëta”, thotë ai.

Ndërkaq, sipas udhëheqësit të Aleancës Kosovare të Biznesit, zotit Shahini, EULEX-i është vendosur aty vetëm që të evidentojë, por në asnjë mënyrë që të marrë masa ndaj kësaj dukurie.

“Nëse mendon dikush që në një të ardhme të shpejtë, ajo evidencë do të plot-fuqizohet dhe do të ketë dikush pasojë nga ato evidenca, unë dyshoj që ajo do të ndodhë. Një ditë, ajo do zbardhë të vërtetën, sepse atje ka firma fantome, atje vjen malli i kompanive që nuk ekzistojnë dhe ato janë shënime të kota”, thotë Shahini.

Ndryshe, ekonomia ilegale është rritur me ritëm shumë të shpejtë në Kosovë dhe kjo ekonomi, dita-ditës, po shënon rritje, që në masë të madhe pengon dhe çrregullon tregun kosovar.
XS
SM
MD
LG