Ndërlidhjet

KSHZ: Ivanov dhe Fërçkoski në rrethin e dytë


Shkup - Posterë me portretet e Ivanovit dhe Fërçkoskit
Shkup - Posterë me portretet e Ivanovit dhe Fërçkoskit
Presidenti i ri i Maqedonisë do të dihet në rrethin e dytë zgjedhor, që do të mbahet pas dy javësh, ndërsa do të garojnë kandidati i VMRO-DPMNE-së, Gjorgje Ivanov, dhe ai i Lidhjes Social-demokrate në opozitë, Lubomir Fërçkoski.

Kështu ka bërë të ditur Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, duke publikuar rezultatet e zgjedhjeve të djeshme presidenciale nga përpunimi i më se 94 për qind të vendvotimeve.

“Kandidati për president i VMRO-DPMNE-së, Gjorge Ivanov, ka fituar 35.06 % të votave, kurse kandidati për president i LSDM-së, Lubomir Fërçkoski, 20.45 %. Në vend të tretë ndodhet kandidati i partisë shqiptare, Demokracia e Re, Imer Selmani, i cili në zgjedhje ka marrë 14.99 % të votave, kurse shumë pranë tij, në vendin e katërt, ndodhet kandidati i pavarur për president, Lube Boshkovski, i cili ka fituar 14.87 % të votave”.

“Kandidati i partisë shqiptare në pushtet, BDI-së, Agron Buxhaku, ka fituar 7.51 %, kurse në vendin e parafundit ndodhet kandidati i Partisë Liberal-Demokrate, Nano Ruzhin, me 4.05 % të votave të fituara, ndërsa në vend të fundit ndodhet kandidatja e Partisë Demokratike Shqiptare, Mirushe Hoxha, me 3.9 % të votave”.

Këto të dhëna i publikoi kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Novakovski. Ai publikoi edhe të dhënat sa i përket zgjedhjeve lokale, të cilat gjithashtu u mbajtën dje, paralelisht me ato presidenciale.

“Nga 84 komuna sa ka Maqedonia, në rrethin e parë zgjedhor janë zgjedhur 32 kryetarë të komunave, kurse të tjerët do të zgjidhen në rrethin e dytë, që do të mbahet më 4 prill. Nga partitë shqiptare, vetëm BDI-ja ka fituar 7 komuna, kurse partitë tjera shqiptare asnjë komunë; pra, komunat tjera janë fituar nga partitë maqedonase”.

Në rrethin e dytë zgjedhor, gara do të përqendrohet në komunat më të mëdha shqiptare, si në Tetovë, Gostivar, ku mes vete garojnë kandidatë shqiptarë, dhe në Strugë, ku përballë kandidatit të BDI-së, gjendet një kandidat i Partisë për Ardhmëri Evropiane, të drejtuar nga Fiat Canovksi, i komunitetit torbesh.

Në zgjedhjet e djeshme, sipas KSHZ-së, në votime kanë dalë 55 % e trupit të përgjithshëm zgjedhor, ndërsa i tërë procesi zgjedhor, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ka kaluar në atmosferë të qetë dhe demokratike.
XS
SM
MD
LG