Ndërlidhjet

logo-print

Padrejtësitë nga ligjet që (nuk) zbatohen


Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi i Republikës së Kosovës

Edhe nëntë muaj pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, shumë nga ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës, nuk po zbatohen në vend, thonë ekspertët ligjorë.

Kjo gjendje e krijuar, sipas tyre, vjen si pasojë e mosfunksionimit të kapaciteteve të plota institucionale. Këtë mendim ka edhe Kujtim Kërveshi, ekspert për çështje të legjislacionit.

“Mungesa e institucioneve - numër një, mungesa e kapaciteteve për ta zbatuar legjislacionin, sepse shumica e ligjeve kërkojnë një administratë efikase dhe një sistem administrativ për të administruar zbatimin e ligjeve. Ka një zinxhir që është ekzekutiv – Qeveria, dhe zinxhiri tjetër që është i pavarur, e ky është zinxhiri i gjyqësorit. Vetëm këto të dyja mund ta rrisin nivelin e bashkëpunimit”, tha Kërveshi.

Edhe eksperti tjetër ligjor, Ismet Salihu, thotë se aktualisht në Kosovë nuk ka zbatueshmëri të duhur të ligjeve. Ai thotë se ky fakt duhet të jetë shqetësues për institucionet e vendit.

“Është një perceptim dhe një konstatim i përgjithshëm se nuk janë duke u zbatuar si duhet dhe sa duhet ligjet në përgjithësi, e posaçërisht nuk janë duke u zbatuar në pjesën veriore të Kosovës. Ky është një problem shumë i madh. Kjo shkakton pasiguri, shkakton padrejtësi, shkakton dëmtimin e buxhetit, shkakton pabarazi, shkeljen e lirive dhe të të drejtave të njeriut”,
u shpreh Salihu.

Zoti Salihu vlerëson se ligjet në Kosovë nuk po zbatohen për faktin se deri më tash nuk ka një gatishmëri institucionale.

“Shkaqet, të cilat kanë kontribuar në moszbatimin e ligjeve në Kosovë, janë të shumëfishta. Në radhë të parë, për shkak të moskonsolidimit të organeve të pushtetit, neglizhencës së tyre dhe mungesës së vullnetit politik, nuk ka atmosferë të duhur politike”, theksoi Salihu.

Aktualisht në Kosovë ekzistojnë tri korniza ligjore: ligjet e aprovuara në Kuvendin e Kosovës së bashku me Kushtetutën e Kosovës si aktin më të lartë juridik të shtetit, disa ligje të ish-Jugosllavisë, si dhe disa rregullore të UNMIK-ut, të cilat ende nuk janë zëvendësuar me ligje të Kosovës.

Ekzistimi i këtyre kornizave ligjore duket se ndërlikon edhe më tej operimin e EULEX-it në gjykatat në veri të Kosovës, meqë serbët lokalë atje thonë se nuk do t'u nënshtrohen ligjeve që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës.

Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi i Kuvendit ka parashikuar që gjatë këtij viti të monitorojë zbatimin e ligjeve. Bahri Hyseni është kryetar i këtij komisioni:

“Në përgjithësi mund të themi se çështja e zbatueshmërisë së ligjeve ka filluar me vetë faktin që kemi marrë edhe ne një angazhim që ligjet t’i monitorojmë. Nëse hasim në defekte, atëherë do të kërkojmë prej sponsorizuesve, e natyrisht edhe ne në shumicën e rasteve si komision, t’i ndryshojmë ato amendamente, nene, apo paragrafë, që nuk po zbatohen në praktikë”.

“Mund të themi se ekziston një problem rreth zbatimit të ligjeve, por jemi në rrugë të mbarë, që, dita-ditës, këto ligje, aty ku ka pengesa, të eliminohen dhe të fillojnë të zbatohen”, tha Hyseni.

Neni 145 i Kushtetutës së Kosovës parasheh që legjislacioni i aplikueshëm në ditën e hyrjes në fuqi të Kushtetutës, të zbatohet për aq sa të jetë në pajtueshmëri me Kushtetutën, derisa të mos shfuqizohet, zëvendësohet ose amandamentohet.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG