Ndërlidhjet

S’ka kontroll të financave të partive


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Mungesa e projektligjit për financimin e partive politike, sipas aktivistëve për demokratizimin e shoqërisë, i hap shtegun korrupsionit dhe keqpërdorimeve tjera. Projektligji për këtë çështje, që nga viti 2004 është bartur nga Kuvendi te UNMIK-u, për t’u kthyer në fund te sponsorizuesi - Qeveria e Kosovës.


Më shumë se një vit pas pavarësisë dhe 9 muaj pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, Kosova nuk ka ligj për financimin e partive politike, e as ligj për deklarimin e pasurisë së personave të lartë zyrtarë.

Projektligji për financimin e partive politike, i miratuar nga Kuvendi në vitin 2004, nuk pati fatin të nënshkruhej asnjëherë nga shefi i UNMIK-ut. Tani është kthyer në Qeveri, ku pritet të përpunohet dhe të dërgohet sërish për miratim.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, nuk saktëson kohën se kur do jetë gati ky ligj.

“Nuk ka ndonjë problem të veçantë. Është çështje e strategjisë legjislative dhe përgatitjeve që bëhen. Ne kemi miratuar në vitin 2008 mbi 120 ligje, që është një rekord jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin. Edhe këtë vit parashihet një numër i përafërt i miratimit të ligjeve. Me siguri që shumë shpejt do të bëhen përgatitjet edhe për këtë ligj”, deklaroi Krasniqi.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) alarmon se mungesa e këtij ligji hap rrugë për keqpërdorime dhe korrupsion. Besnik Ramadani, nga ky institut, pohon se sa më shumë që të zvarritet miratimi i këtij ligji, aq më shumë Kosova do të jetë larg të qenit shtet ligjor.

“Ligji për financimin e partive politike është i rëndësisë së veçantë. Këtu do të fusja edhe ligjin për deklarimin e pasurive të zyrtarëve të lartë. Pa këto dy ligje, absolutisht nuk mund të themi se mund të luftohet korrupsioni. Janë ligje bazike në luftën kundër korrupsionit dhe për ndërtimin e një shteti ligjor”, tha Ramadani.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian shpeshherë ka kritikuar subjektet politike për mosdërgimin e raporteve financiare në këtë organizatë. Por, kërkesat për transparencë financiare zakonisht kanë ardhur gjatë fushatave zgjedhore.

Besnik Ramadani thotë se neglizhenca në miratimin e ligjit për financimin e partive politike u shkon për shtati subjekteve politike dhe është tipike për vendet në tranzicion.

“Zakonisht kjo ndodh tek vendet në tranzicion. Ata hezitojnë t’i kenë këto ligje, sepse normalisht kanë interesat e veta”, thotë ai.

Ndërkohë, ata që mund të përshpejtojnë miratimin e ligjit, sipas KDI-së, janë partitë në pushtet. Megjithatë, Sadri Ferati, sekretari tekniko-administrativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që është partner i koalicionit qeveritar, thotë të mos jetë fare në dijeni se në ç’fazë të përpilimit është projektligji për financimin e subjekteve politike.

“Nuk kam shumë informacione rreth kësaj. E di se mungon ligji, e di se po bisedohet, e di se është në fazën e dizajnimit, por unë nuk kam shumë informacione tjera shtesë, as për arsyet, as kush është i involvuar në të dhe as në cilën fazë është”, u shpreh Ferati.

Opozita, ndërkaq, kritikon partitë në pushtet për neglizhencë. Avni Arifi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pohon se mungesa e ligjit në fjalë, ka ndikim negativ në veprimtarinë e partive politike.

“Mungesa e këtij ligji nënkupton shumë aspekte të padefinuara si duhet. Për shembull, financimi i partive politike ka shumë pikëpyetje. Ne kemi parë fushatën që ishte me rastin e zgjedhjeve të 17 nëntorit – gjithçka ka pasur, pos transparencë në financa apo limitim, apo rregullim të aspekteve që kanë të bëjnë me çështjet zgjedhore”, tha Arifi.

Ndryshe, OSBE-ja, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe lokale të mbajtura në vitin 2007, pati gjobitur për mosdërgimin e raportit financiar mbi shpenzimet në fushatën zgjedhore disa subjekte politike, në mesin e të cilave kanë qenë edhe partitë më të mëdha në vend.
XS
SM
MD
LG