Ndërlidhjet

“Përkujtimi i bombave të shpëtimit”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
Temë qendrore e shtypit të sotëm ditor është paraqitja e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni, në mbledhjen e djeshme për Kosovën të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Pothuaj të gjitha të përditshmet kosovare kanë dhënë një vlerësim pozitiv për këtë paraqitje, ndërsa titujt e artikujve të shkruara në lidhje me këtë çështje, te pjesa më e madhe e gazetave figurojnë në faqen e parë.

Kështu gazeta “Express” në ballinë të saj ka titullin “Në nivel”, duke e cilësuar paraqitjen e djeshme të shefit të diplomacisë kosovare para Këshillit të Sigurimit si të pëlqyeshme.

Fjalimi dhe argumentimi i Hysenit përballë kundërshtarit të tij, presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, nga gazeta thuhet se ishin befasues. Hyseni, thuhet në shkrimin e “Express”, për të parën herë kreu detyrën që i takonte.

Debati në Këshillin e Sigurimit, i cili u karakterizua nga paraqitja e pikëpamjeve diametralisht të kundërta ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe për progresin në Kosovë, nga e përditshmja “Kosova Sot” cilësohet si një përplasje ndërmjet palëve, gjatë së cilës, sipas gazetës, ministri Hyseni ka nokautuar, siç thuhet, Tadiqin.

Në lidhje me temat, të cilat u diskutuan gjatë debatit të djeshëm në selinë qendrore të OKB-së, e përditshmja “Zëri” në ballinë të saj ka shkrimin, i cili flet për kërkesën kryesore të palës kosovare. “Kosova kërkon zyrtarisht fundin e UNMIK-ut” është titulli i shkrimit në fjalë.

Mirëpo, sipas të përditshmes “Koha Ditore”, edhe pas mospajtimeve të shumta për Kosovën ndërmjet shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit, UNMIK-ut duket se do të mbetet në lojë.

10-vjetori i ndërhyrjes së forcave të NATO-së në Kosovë, në editorialin e së përditshmes “Kosova Sot” cilësohet si një kthesë historike për Kosovën.

Sipas këtij shkrimi, Kosova, 10 vjet pas asaj ngjarjeje, ka përmbyllur një kapitull të rëndësishëm të saj me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Kontributi i atëhershëm dhe i sotëm i NATO-s dhe i shteteve të shumta për Kosovën në aspektin politik, diplomatik e material, është shpërblim, siç thuhet, i rreshtimit të kosovarëve kah civilizimi botëror.

Gazeta “Zëri”, ndërkaq, në editorialin e saj për po të njëjtën temë, kujton dhe një herë ecurinë e procesit të atëhershëm të ndërhyrjes së trupave të Aleancës Veri-atlantike në Kosovë.

Sipas këtij editoriali, pranvera e vitit 1999 do të mbetet e paharrueshme për Kosovën, sepse fundi i asaj pranvere, sipas gazetës, solli lirinë në Kosovë, e cila në dimrin e vitit 2008 u kurorëzua me pavarësinë e Kosovës.

Ndërkohë, opinionet e udhëheqësve të Kosovës, si dhe të përfaqësuesve të opozitës kosovare, në lidhje me 10-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, pasqyrohen dhe në një artikull të së përditshmes “Epoka e Re”, ku citohen kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe të tjerë, të jenë shprehur kryesisht mirënjohës për veprimin e NATO-s në vitin 1999.

Konkursi për të aplikuar për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës ishte mbyllur kohë më parë, ndërsa, sipas gazetës “Express”, ky konkurs vazhdon të mbetet i hapur për komunitetin serb në Kosovë.

Nga 9 gjyqtarë të parashikuar për këtë institucion, në shkrimin e kësaj gazete, thuhet se njëri nga ta duhet të jetë serb dhe se mungesa e aplikuesve serbë për këtë post, sipas “Express”, ka bërë që konkursi të jetë i hapur për ta edhe një kohë të caktuar.

Ndërkohë, në lidhje me aplikantët e deritanishëm, sipas gazetës “Infopress”, në komisionin parlamentar përgjegjës për përzgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese tanimë kanë arritur disa padi për aplikantët aktualë.

Morali i lartë dhe profesionalizmi ishin përmendur më parë si kushte për të konkurruar për postin e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese.
XS
SM
MD
LG