Ndërlidhjet

logo-print

10 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, sipas zyrtarëve kosovarë, vazhdon të ekzistojë një numër sfidash për shtetin e ri. Por, kjo ndërhyrje, sipas tyre, ishte një kthesë e madhe për Kosovën, e cila ia hapi rrugën që më vonë të shpallë shtetësinë.


Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë më 24 mars të vitit 1999, nga historianë dhe hisedarë të procesit të shtet-bërjes së këtij vendi, vlerësohet si një kthesë e madhe historike për Kosovën, e cila, siç thuhet, i dha Kosovës lirinë dhe ia hapi rrugën asaj për të shpallur më vonë pavarësinë.

Profesori i historisë në Universitetin e Prishtinës, njëherazi dhe deputet i partisë opozitare Aleanca Kosova e Re, Ibrahim Gashi, konsideron se ndërhyrja e Aleancës Veri-atlantike në Kosovë ka qenë një ndër sukseset më të mëdha jo vetëm në historinë e Kosovës, por edhe të vetë NATO-s.

Ibrahim Gashi
“Aleanca Veri-atlantike e NATO-s, e krijuar para 60 vjetësh, pati rastin që në Kosovë të kryejë pjesën më vitale të misionit të saj, që i përshkruhet në kartën themeluese. Në njëfarë mënyre dha provimin më të rëndë dhe më të suksesshëm në historinë e ekzistimit të saj”,
tha Gashi.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, të cilës i kishin paraprirë një varg përpjekjesh të përfaqësuesve kosovarë si dhe të diplomatëve ndërkombëtarë për arritjen e një marrëveshjeje, përmes së cilës do të ndalej lufta, sipas deputetit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Buja, ka qenë zgjidhja e vetme e realizueshme.

Buja, i cili ishte pjesëmarrës në Konferencën e Rambujesë, sqaron pikëpamjen e tij për procesin e atëhershëm.

“Padyshim se po, sepse, në fakt, në konferencën ndërkombëtare në Rambuje u harxhuan të gjitha mjetet tjera për të realizuar paqen dhe lirinë në Kosovë. Andaj, komuniteti ndërkombëtar, përmes NATO-s, u shtrëngua që të kalojë në mjete të tjera”.

“U realizua liria dhe pas një kohe relativisht të gjatë u realizua pavarësia, dhe sot jemi në këtë pozicion në të cilin jemi”,
u shpreh Buja, duke shtuar se pas shpalljes së pavarësisë vazhdojnë të mbesin akoma shumë sfida për shtetin e Kosovës, sikurse në rrafshin e brendshëm, ashtu dhe në atë të jashtëm.

Prezenca e NATO-s në Kosovë, sipas tij, do të jetë e nevojshme për një kohë të caktuar.

Ramë Buja
“Gjithsesi se Kosovës i duhet për një kohë të shkurtër prezenca e NATO-s. Pengesat gjithsesi dalin dhe kjo u pa me rastin e KFOR-it spanjoll, që sfidoi me këtë formë të largimit. Megjithatë, nëse shtrohet pyetja se a i duhet Kosovës NATO-ja - gjithsesi se i duhet, përderisa Kosova të forcohet, të ecë në këmbët e veta edhe në sfondin ekonomik, edhe atë diplomatik, politik, si dhe ushtarak”,
theksoi Buja.

10-vjetori i ndërhyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë duket se e gjen vendin akoma të pakonsoliduar tërësisht në aspektin politik.

Kështu, të paktën, pohon profesori Ibrahim Gashi, i cili thekson se aktualisht Kosova ka përballë një varg çështjesh të pazgjidhura, prej të cilave mungesa e njohjes së plotë të shtetësisë në arenën ndërkombëtare, si dhe pengesat e vazhdueshme të Beogradit zyrtar, siç i quan ai, e lënë vendin në një fazë të ndjeshme.

“Tash jemi në një fazë të re të konsolidimit të asaj që e kemi shpallur, pra të fuqizimit, forcimit dhe funksionalizimit të instrumenteve të shtetit të pavarur të Kosovës. Natyrisht se në këtë proces ka dhe pengesa. Pra, jemi në një fazë delikate, ku duhet t’i konsolidojmë organet e shtetit dhe, në të njëjtën kohë, duhet ta çojmë përpara procesin e njohjeve”, vlerësoi Gashi.
XS
SM
MD
LG