Ndërlidhjet

logo-print

Cvetkoviq: Serbia e përkushtuar ndaj zërit të arsyes


Kryeministri i Serbisë, Mirko Cvetkoviq, ka thënë se viktimat e pafajshme të bombardimeve, rikujtojnë se Serbia ka për detyrim që me përgjegjësi dhe në mënyrë të qytetëruar të luftojë për interesat e saj dhe pikërisht për këtë arsye ajo është e përkushtuar të flasë me zërin e arsyes.

“Bombardimet e NATO-s nuk e kanë zgjidhur problemin e Kosovës dhe nuk e ka vendosur sundimin e rendit dhe ligjit. A ka qenë e mundur të shmangeshin bombardimet? Përgjigjen e dijmë. Vetëm arsyeja mund ta luftojë të keqen”, ka thënë Cvetkoviq, në seancën e hapur të qeverisë serbe me rastin e 10 vjetorit të intervenimit ushtarak të NATO-s.

Qeveria serbe thotë se me të dhënat që ka, gjatë bombardimeve janë vrarë 1002 ushtarë dhe policë dhe rreth 2500 civilë.

Zëvendësi i kryeministrit dhe ministri i punëve të brendshme Ivica Daçiq me këtë rast ka thënë se bombardimet nuk duhet të harrohen, por as të përsëriten më kurrë.

“Bombardimet janë bërë pa lejen e Kombeve të Bashkuara dhe rezultati i tyre është shpallja e pavarësisë së Kosovës. Ckado që të ketë qenë shkaku, ai veprim nuk ka mundur të zbatohet në një botë të qytetëruar dhe demokratike. Ishte krim mbi popullin tonë”, ka thënë Daçiq.

Seanca e sotme e qeverisë së Serbisë ka filluar me një minutë heshtje në shenjë nderimi për viktimat e bombardimeve të NATO-s. Gjithashtu është marrë një vendim për ngritjen e një qendre memoriale për këto viktima.

XS
SM
MD
LG