Ndërlidhjet

Kosovarët kujtojnë intervenimin ushtarak


Refugjatët kosovarë në Bllacë, 1999.

Refugjatët kosovarë në Bllacë, 1999.

Në dhjetëvjetorin e fillimit të fushatës ajrore të NATO-s, qytetarët e Kosovës rrëfejnë disa kujtime të tyre, që kishin përjetuar në atë kohë...




Derisa kosovarët thonë se janë ndjerë të gëzuar, por njëherësh edhe të shqetësuar në kohën kur filluan bombardimet e NATO-s në caqet serbe, disa nga banorët serbë të fshatit Uglarë të Fushë Kosovës thonë të kundërtën - sipas tyre, një vendim i tillë nuk ishte i qëlluar, pasi që humbjet ishin të mëdha.

Afrim Syla, qytetar nga Mitrovica, duke e kujtuar atë ditë si ditën më të lumtur që mund të ndodhte në atë kohë lufte, thotë se sot, pas 10 vjetësh, nuk ndihet plotësisht i lirë, për faktin se qyteti ku ai jeton, ende ka mbetur, siç thotë ai, jashtë territorit të Kosovës.

“Ishte një ditë që popullata e Kosovës e priste me padurim. Ne ishim dëshmitarë të asaj çfarë ndodhte në atë kohë dhe vendimi për intervenim ishte i gëzuar, edhe përkundër mjaft vështirësive që ne i përjetonim në atë kohë”, shprehet Afrimi.

Tani, pas 10 vjetësh, ai kërkon nga institucionet e Kosovës që të punojnë në të mirë të vendit dhe të krijojnë jetë më të mirë për qytetarët.

Ndërsa, Romana Sefedini, thotë:

Refugjatët kosovarë, 1999.

"Para 10 vjetësh ishte një moment shumë i vështirë, pasi që ne, pikërisht atë ditë, u detyruam të largohemi nga shtëpia. Mirëpo, sot, pas 10 vjetësh të bombardimeve të NATO-s, ndjehem shumë mirë, e qetë dhe shumë e lumtur”.




Disa nga banorët serbë të fshatit Uglarë në Fushë Kosovë – fshat ky i banuar me shumicë serbe, e konfirmojnë këtë gjë. Dragan Stojkoviq, tani 10 vjet pas intervenimit të forcave ajrore të NATO-s në Kosovë, thotë se ndihet më mirë.

“Forcat e NATO-s kanë bombarduar për qëllime të tyre. Ata kanë pasur arsyet e veta. Bombardimet kanë qenë ashtu siç kanë qenë. Nuk ka qenë vendim i mirë për të gjithë, as për shqiptarët, as për serbët dhe as për nacionalitetet tjera”, thotë Stojkoviq.

“Çka të them... Ka qenë çfarë ka qenë. Pas bombardimeve të NATO-s nuk kemi jetuar mirë. Tani në fshat nuk kemi ndonjë problem, askush nuk na ngacmon, por, megjithatë, nuk është mirë”, thotë ai.

Ndërkaq, Jovan Bojkoviq, gjithashtu nga ky fshat, thekson se tani, 10 vjet pas bombardimeve të NATO-s, nuk ndihet mirë në Kosovë. Ai thotë se nuk mund të jetojë në Kosovë, pasi që fëmijët i janë larguar në Serbi.

“Si mund të jetë mirë? Të të rrahë dikush dhe të thuash se është mirë? Të rrah dhe nuk guxon të qash. Kjo është kjo. Nuk ke kujt t’i ankohesh. Gjyqtari të akuzon, gjyqtari të dënon. Kjo është kështu. S’kemi çfarë të flasim për këtë. Sikur të ishte mirë, nuk do të ishte kështu siç është”, shprehet Bojkoviq.

Në këto ditë të përkujtimit të intervenimit të NATO-s mbi caqet serbe, banorët shqiptarë u shprehin mirënjohje të përhershme Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendeve që ndihmuan çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Ajtene Ajeti thotë:

“Nuk ishte kohë e lehtë derisa ne qëndronim të izoluar në shtëpitë tona, pa ditur se çfarë do të ndodhte. Me intervenimin e NATO-s, në atë kohë u ngjall një shpresë se vuajtjeve tona po u vije fundi”, tha ajo.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG