Ndërlidhjet

Dhjetë vjet pas


Dhjetë vjet që prej fillimit të fushatës ajrore të NATO-s, Kosova sot gëzon shtetin e saj, të njohur nga 56 vende të botës, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe 22 nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian.


E vlerësuar nga historianë të shumtë si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës, bombat e para kundër caqeve ushtarake dhe policore të Serbisë ranë më 24 mars të vitit 1999 dhe fushata përfundoi më 10 qershor të po të njejtit vit, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës.

Gjatë kësaj periudhe, pamjet në ekranet e mediave botërore tregonin për vrasje të civilëve shqiptarë dhe deportim të koordinuar, që çoi në eksod masovik të popullsisë.

Arsyet e sulmeve të aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, më 3 prill i sqaroi zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea.

Jamie Shea
"Aksioni ushtarak i NATO-s i mbështet qëllimet politike të bashkësisë ndërkombëtare, për një Kosovë paqësore, shumetnike dhe demokratike, në të cilën të gjithë do të jetojnë në siguri. Për këtë qëllim, Republika Federale e Jugosllavisë duhet t'i ndalë të gjitha aktivitetet shtypëse dhe luftarake dhe t'i tërheqë forcat e saj nga Kosova, si dhe të pranojë kushtet që të gjithë refugjatët të mund të kthehen sigurt në Kosovë, nën mbrojtjen e forcës ndërkombëtare të sigurisë",
tha Jamie Shea.

Pas 78 ditë bombardimesh, regjimi i Sllobodan Millosheviqit u përkul dhe i pranoi kushtet e Aleancës. Fundi i luftës, Kosovën e gjen me më shumë se 10,000 të vrarë dhe 5,000 të zhdukur, për fatin e të cilëve nuk dihej gjë. Por, me gjithë dhimbjen, ishte hyrja e forcave paqeruajtëse të KFOR-it, më 12 qershor, ajo që nxori lot gëzimi dhe ndjenjë fitoreje tek qytetarët e Kosovës.

Njoftimin më 10 qershor në Bruksel e bëri sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana.

"Sot mund të shpall se Millosheviqi u dakordua me pesë kushtet e bashkësisë ndërkombëtare, prandaj, pak çaste më parë, e udhëzova gjeneralin Clark që t'i pezullojë operacionet ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë", tha Solana.

"Vendimin e mora pasi gjenerali Clark konfirmoi se ka filluar tërheqja e plotë e forcave jugosllave nga Kosova", tha kreu i Aleancës, Javier Solana.

Dy ditë më vonë, komandanti suprem i NATO-s, gjenerali amerikan, Wesley Clark, njoftoi për hyrjen e trupave të para ndërkombëtare në Kosovë.

Wesley Clark dhe Javier Solana, 25 mars '99.
"KFOR-i filloi vendosjen në Kosovë. Brigadat e para britanike dhe franceze e kaluan kufirin në orën 5 të mëngjesit dhe tash po hyjnë gjithnjë e më thellë në Kosovë. Sot, pasdite, do të hyjnë brigadat gjermane, italiane dhe amerikane",
tha Clark, duke shprehur mirënjohje për trupat e NATO-s.

"Jo vetëm që forcat tona kryen një fushatë të suksesshme ajrore, e cila e detyroi Millosheviqin t'i pranojë pesë kërkesat tona kryesore, por ato gjithashtu kishin qenë përgjegjëse për punën heroike në frontin humanitar", tha gjenerali Clark.

Dita e hyrjes së forcave paqeruajtëse njëkohësisht shënon edhe fillimin e procesit të përndjekjes së përgjegjësve për krime të rënda lufte, për të cilat flitej gjithnjë e më shumë pas zhvarrimeve që bëheshin nëpër varrezat masive.

Presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton, duke i krahasuar ngjarjet në Kosovë me ato të Hollkaustit, pati thënë se “NATO-ja u dha fund përpjekjeve të qëllimshme dhe sistematike për spastrim etnik dhe gjenocid”.

Dhe, fundi i kësaj politike shënon edhe fillimin e përpjekjeve të kosovarëve, të mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar, për ndërtimin jo vetëm të një shteti që do të lindte nëntë vjet më vonë, por edhe të një vendi tërësisht të rrënuar nga një regjim i dhunshëm serb.

Lordi George Robertson, pas vizitës që i pati bërë Kosovës në vitin 2000, pati thënë se “lufta në Kosovë ka qenë dhe ende është në interes të komunitetit ndërkombëtar”.

“Kosova është një vend i vogël, por gjendet në një pikë jashtëzakonisht strategjike – midis Evropës, Azisë dhe Lindjes së Mesme, në pjesën ku takohen Islami dhe Krishterizmi”, pati thënë Robertson.
XS
SM
MD
LG